Ora 02:07 e datës 25 mars 2014. Kamerat e sigurisë filmojnë momentin e lëvizjes së predhës dhe goditjen me murin e vilës tre katëshe të kryekomunarit Fatbardh Plaku, në zonën e njohur si Farkë e Vogël, në periferi të Tiranës.
Pamjet tregojnë predhën që përshkon rrugën përballë vilës, dhe godet fasadën.
Nga pamjet duket momenti i parë i një shpërthimi drite që tregon vendin dhe aktivizimin e predhës nga antitanku, nga vendi ku është kryer goditja dhe më pas rrugën që përshkron predha derisa godet vilën.
Sipas policisë ka shpërthyer vetëm mekanizmi ndezës dhe jo predha, duke shmangur një tragjedi, nëse do të shpërthente.
Sipas policisë nuk rezulton të ketë lidhje mes xhamisë dhe ngjarjes dhe ndoshta ajo është zgjedhur si vend i duhur nga autorët për shkak të pozicionit të favorshëm që kishte për të goditur vilën e kreut të komunës së Farkës.
Vetë Plaku, i cili drejton këtë komunë prej 17 vitesh, në një intervistë thotë se familja e tij është e shokuar dhe se, gjatë 17 viteve në detyrë është mundur që të bëjë më të mirë. Nuk ka pasur konflikte në punë apo jetën e tij.
“Muri është qëlluar me antitank. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja e gjithë familja ka qenë në banesë në katin e dytë të saj”, tha sot paradite Plaku për A1 Report.
Fatmirësisht nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale, dhe nuk ka dëmtuar asnjë prej pjesëtarëve të familjes Plaku, të cilët në atë orë kanë qenë në gjumë.
Policia dhe prokuroria e Tiranës kanë ngritur një grup të zgjeruar hetimor ku janë përfshirë edhe oficerët antiterror.
ORA 14: 40 PLAKU PER A1 REPORT: FAMILJA IME ESHTE E TRONDITUR
Si ndiheni pas kësaj ngjarjeje dhe a ndiheni i tronditur apo i frikësuar?
Është një ngjarje shumë tronditëse, për mua dhe familjen. Jemi para një fakti që na ka shokur, tronditur. Nuk dimë ndonjë arsye.
Keni ju dyshime për autorët?
Erdhi policia, bën ekspertizën e tyre, për predhën. Nuk kam dyshime. Nuk ka ndonjë problem me punën, apo të jetës. Kam 17 vite në këtë detyrë dhe jam mundur që të bëjmë më mirë.
Ju keni një sistem kamerash, është kapur pamje?
Janë disa kamera të brendshme dhe dy kamera që kontrollojnë rrugën. Ato kanë kapur vetëm flakën e predhës, ndërsa nuk shikohen njerëzit. Unë kam 17 vjet në këtë detyrë dhe kam rreth 2 vite e gjysëm që jam në këtë banesë dhe nuk kam pasur asnjë problem.
Prokuroria dhe policia po hetojnë në disa pista, ju ku dyshoni?
Policia dhe Prokuroria do të bëjnë punën e vet, detyrën e tyre dhe do të verifikojnë të gjitha pistat. Unë nuk dyshoj dhe këtë gjë do e zbardhë policia dhe prokuroria.
Ora 12:00 PLAKU PËR A1 REPORT: SHTËPIA U GODIT ME ANTITANK, NUK KAM KONFLIKTE
Kreu i komunës së Farkës, Fatbardh Plaku tregon se, banesa e tij është goditur me antitank dhe nuk ka pasur shpërthim eksplozivi. Muri është qëlluar me antitank nga oborri i xhamisë që ndodhet përballë. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja e gjithë familja ka qenë në banesë në katin e dytë të saj”, ka thënë Plaku.
Gjithashtu ai thotë se, “nuk kam pasur asnjë konflikt që ta lidh me ngjarjen”. Ai ka treguar se ka dhënë deklarimet e tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke shpjeguar se nuk ka konflikte. Duke folur për A1 Report, kreu i Komunës së Farkës, ka treguar se ka vënë në dispozicion të hetimit të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë që ka në banesë dhe murin rrethues.
“Jam në dispozicion të policisë për zbardhjen e gjithë kësaj ngjarjeje”, ka thënë kreu i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku.
HETIMET
Nuk dihen ende shkaqet në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa është marrë në pyetje kreu i Komunës së Farkës. Policia po verifikon pamjet e regjistruara nga 10-12 kamera të cilat survejonin ambientet e jashtme të vilës tre katëshe.
Fatbardh Plaku është i zgjedhur i Partisë Demokratike si kreu i komunës së Farkës. Ai është në mandatin e dytë të tij në këtë zonë. Kjo është një zonë e gjerë në lindje të Tiranës, me një sipërfaqe të gjerë. Disa herë ka pasur shpesh edhe probleme në lidhje me ndërtimet në këtë zonë.
ME 1 MAJ 2011 U SULMUA VELLAI I TIJ
Në 1 maj të vitit 2011, pak ditë para ditës së zgjedhjeve lokale, katër persona sulmuan duke goditur dhe plagosur vëllanë e Fatbardh Plakut, Ganiun. Ky i fundit u godit me shqelma dhe sende të forta, ndërsa pas ngjarjes për policinë ka deklaruar se, nuk i njihte personat që e kishin sulmuar. Sipas policisë kjo ngjarje lidhej me kandidimin e Fatbardh Plakut në krye të Komunës së Farkës.
POLICIA E TIRANËS: SHPËRTHIMI PRANË MURIT RRETHUES
Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në banesën e kreut të Komunës së Farkës.
Sipas uniformave blu, “më datë 24.03.2014 rreth orës 02.40 në fshatin Farkë e Vogël, në murin e rrethimit të banesës së Kryetarit të Komunës Farkë, Fatbardh Plaku, është vendosur një sasi lënde shpërthyese, ku fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz por vetëm dëme materiale”.
“Aktualisht grupi hetimor në vendngjarje po punon në drejtim të zbardhjes dhe dokumentimit ligjor të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e bërë nga Policia e Tiranës.