Home Aktualitet Trageti ne flake shkon drejt Brindisit, deri tani 290 persona te shpetuar

Trageti ne flake shkon drejt Brindisit, deri tani 290 persona te shpetuar

966
0

Pas me shumë se 24 orësh në det të hapur e në temperatura të ulëta, trageti italian “Norman Atlantic” me rreth 188 persona ende në bordin e tij, po tërhiqet me rimorkiator drejt brigjeve të Brindizit. Ky vendim është marrë një orë pas mesnate (01:00 e së hënës) nga ekipi i koordinimit të shpëtimit në Brindisi të Italisë. Kjo bëhet për shkak se deti është qetësuar, e njëherësh për t’i paraprirë rikthimit të dallgëve nga moti i paqëndrueshëm që parashikohet këtë të hënë. Trageti po tërhiqet nga 3 rimorkiatorë ndërsa rreth tij ndodhen anijet e shpëtimit dhe helikopterët për çdo avari të mundshme.

Operacioni mbetet i vështirë dhe pritet të vijojë gjatë gjithë natës e deri në orët e mëngjesit të së hënës.

trageti-zjarr4

Prej orës 04:30 të mëngjesit të së dielës trageti italian “Norman Atlantic” me rreth 188 persona ende në bordin e tij, mes tyre edhe shqiptarë, qëndroi në flakë në det të hapur, rreth 20 milje larg Durrësit, ndërsa ishte nisur nga Igumenica e Greqisë për në Ankona të Italisë.

“Do të digjemi si minj, jemi në rrezik dhe nuk e dimë se sa mund të rezistojmë”, ishte rrëfimi rrënqethës i një pasagjeri që qëndron në bashin e tragetit. Ndërsa të tjerë thonë se ky përjetim është për ta një Titanik i dytë. Duke menduar se mund të shpëtonin, mediat raportuan se disa prej udhëtarëve janë hedhur në det me shpresën se do t’i shpëtonin makthit të flakëve.

Trageti kishte 478 persona në bord (422 pasagjerë dhe 56 pjesëtarë të ekuipazhit) dhe pothuajse gjysma e tyre janë greke. Por kjo tragjedi ka prekur edhe vendin tonë, pasi 27 prej pasagjerëve janë shqiptarë. 8 prej tyre kanë arritur të shpëtohen nga anija “Aby Jeannette” ndërsa pjesa tjetër luftoi për mbijetesë përballë ksuhteve të këqija atmosferike që vështirësuan operacionin e shpëtimit me anije.

Makthi filloi në orën 04:30 kur trageti dha alarmin SOS pasi në katet e poshtme të tij u përhapën me shpejtësi flakët e zjarrit, kur anija ndodhej 13 milje larg ishillut të Sazanit. Shkak për këtë tragjedi dyshohet të jetë bërë një problem me një nga 128 kamionët me vaj ulliri, që ndodheshin në katin përdhes në zonën e parkingut me 94 automjete të tjera. Por ndërsa shkaku është ende shumë herët të zyrtarizohet, ajo që dihet është se vetëm 10 ditë më parë një inspektim në traget kishte evidentuar mosfunksionim të stukturave që duhet të parandalojnë përhapjen e zjarrit.

Sipas mediave italiane, deri tani 290 persona arritën të evakuohen me anije nga një super-operacion shpëtimi që përfshiu jo vetëm autoritetet italiane dhe greke, por edhe ato shqiptare. Por fatkeqësisht, gjatë operacionit të shpëtimit rreth orëve të pasdites, një shtetas grek humbi jetën, duke shënuar viktimën e parë të kësaj tragjedie në det. Georghios Doulis u gjet në det të hapur nga “Butrinti”, anija shqiptare që mori pjesë në operacion-shpëtimin.

Me dëmet e shkaktuara nga zjarri, trageti menjeherë u bë i pakontrollueshëm. Rreth orës 18:30 trageti u bllokua nga tre rimorkiatorë të nisur nga Brindisi, ndërsa shpëtimi i jetëve që ndodhen ende në bord do të mundësohet vetëm përmes helikopterëve, pasi dallgët e mëdha që arrinin deri në 8 ballë e bënë të pamundur afrimin e anijeve të shpëtimit. Duke marre parasysh detin e trazuar, fillimisht u mendua që terheqja e tragetit drejt Italise te behej vetem pasi të gjithë pjesëtarët në bord të ishin shpëtuar me helikopter, por me qetesimin e dallgeve, trageti u terhoq me rimorkiatore se bashku me pjesetaret e mbetur ne bord.

Për shpëtimin e pjesëtarëve në bordin e tragetit janë përfshirë 7 anije, mes tyre edhe “Butrinti” nga Shqipëria, 6 helikopterë shpëtimi italiane, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi.

Dëshmitë e ferrit në det/ Pasagjerët mbi traget: Po vdesim nga i ftohti, tymi e zjarri

Te gjitha zhvillimet ore pas ore te ndjekura ne kohe reale

Vijon operacioni, shpëtohen 290 persona, mes tyre 2 shqiptare
Ora 07:40 Operacionet e shpëtimit të personave në bordin e anijes “Norman Atlantik” vijojnë pa pushim, dhe nga ku mësohet se deri më tani janë arritur të shpëtohen nga bordi i anijes 290 persona.

Ka qenë vetë Marina Italiane e cila ka konfirmuar shifrën duke theksuar se ende në bordin e “Norman Atlantic” vijojnë të mbeten ende 188 persona.

Në mesin e këtyre personave të shpëtuar, në orët e para të mëngjesit është arritur të shpëtohet edhe një tjetër shqiptare duke e çuar kështu në 7 nga 25 që ishin në bord, numrin e shqiptarëve të shpëtuar. Bëhet fjalë për shqiptaren Brunilda Cazo e cila është arritur të nxirret nga bordi i “Norman Atlantic”. Gjithashtu është shpëtuar edhe shqiptari me nënshtetësi shqiptare, Gjergji Kristo.

Ndërkohë bëhet e ditur se një tjetër anije shpëtimi i është afruar “Norman Atlantic” dhe bëhet fjalë për anijen “De La Penne”. Operacionet e shpëtimit kanë vijuar pa ndërprerje përgjatë gjithë natës, teksa trageti i rimorkuar vijon t’i drejtohet brigjeve të Brindizit.

Merret vendimi: Trageti terhiqet drejt Brindisit me rimorkiatore se bashku me personat ende ne bord
Ora 01:30 Ekipi i koordinimit per shpetimin e jeteve te mbetura ende ne bordin e tragetit ne flake, moren vendimin qe trageti te terhiqet me rimorkiatore se bashku me pasagjeret dhe ekuipazhin, pasi deti eshte qetesuar nga dallget. Rreth tragetit ndodhen anijet e shpetimit dhe helikopteret te cilet monitorojne situaten nga ajri, e nese dicka shkon keq, terheqja e tragetit do te ndalet dhe evakuimi do te nise serish me helikoptere. Ky vendim u mor per te shmangur veshtiresite gjate dites se hene, ku parashikohet qe deti te perkeqesohet e te krijohen serish dallge te medha. Trageti eshte nisur drejt Brindisit, aty ku jane ngritur cadrat e ekipit te shpetimit qe do te presin pasagjeret e evakuar.

Brindisi behet gati per te pritur te mbijetuarit, ngrihen cadrat me ekipet e emergjencave
Pas lajmit se Brindizi do të jetë vendi ku do te ankorohet trageti në flakë, në qytetin italian janë ngritur çadrat të cilat do të presin të gjithë të evakuuarit dhe pasagjerët e tragetit në fjalë. Siç raportojnë dhe mediat italiane janë marrë të gjitha masat për të pritur të gjithë pasagjerët. Gazetari Carlo Bollino ka rapotuar nga Brindizi për A1Report duke shpjeguar të gjithë panoramën e asaj që po ndodh në Brindizi, por dhe se çfarë ndodhi në këto orë “tmerri” me pasagjerët, por jo vetëm.

Shuhen vatrat e zjarrit pas 10 orësh…por trageti ende “i fshehur” nga tymi
Ora 22:30 Pas 10 orësh, më në fund në tragetin e bllokuar prej orëve të para të mëngjesit në brigjet e Adriatikut, nuk dallohen më zjarr, por vetëm tym. “Norman Atlantik”, është ende i fshehur nga tymi i krijuar nga flakët që u përhapën me shpejtësi, fillimisht në katet e poshtme e më tej përfshinë tragetin. Këtë referojnë forcat e shpëtimit të cilët janë në det të hapur për të shpëtuar të gjitha jetët që vazhdojnë të qëndrojnë ende në traget. Por pavarësisht, këtaj, ekuipazhi i shpëtimit thotë se ky fakt nuk jep sigurinë se zjarri është fikur. Sipas tyre, brenda anijes në katet përdhese mund të ketë ende vatra zjarri që vazhdojnë të shtojnë tymin.

Deshmia e te mbijetuarit: Tymi dilte nga të gjitha anët, u bllokuam nga i ftohti
Antonio Gnoni, është dëshmia e parë e gjallë që vjen nga të mbijetuarit e tragetit që mori flakë prej orëve të para të mëngjesit në brigjet e Adriatikut, ndërsa alarmi SOS i dhënë rreth 13 milje larg Sazanit, angazhoi autoritetet italiane, greke e shqiptare.

Tmerri i përjetuar ndërsa flakët nisnin të përhapeshin me shpejtësi dhe trageti filloi të anonte, vunë në pikëpyetje mbijetesën në tragetin famëkeq që u kujtoi pasagjerëve tragjedinë e “Titanikut”.
trageti-zjarr3

Dëshmia e plotë e të mbijetuarit
“Mori flakë poshtë në pjesën e garazhit dhe pas orës 3 e gjysmë na nxorën të gjithëve jashtë, pa paralajmërim pa asgjë. Ishte një i ftohtë i tmerrshëm, e nuk kishte asnjë ndihmë. Helikopterët e parë që na ndihmuan kanë ardhur rreth orës 13:00, duke shpëtuar një pjesë të njerëzve. Të parët u shpëtuan ata në gjendje më të vështirë shëndetësore, pasi ishin të gjithë të bllokuar nga i ftohti. Edhe unë ndihmova deri rreth orës 15:30 bashkë me një pilot tjetër, por më pas më evakuuan pasi edhe unë isha pothuajse i bërë akull.

Anija ishte drejt apo ishte anuar?
Ishte anuar lehtë, por problemi ishte që bënte shumë ftohtë.

Patët frikë? Menduat ndonjëherë se nuk do ja dilnit dot?
Ai ishte mendimi i parë, por më pas duhet të gjesh forcë pasi nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’ia dalë mbanë.

Sa persona ishit, sa fëmijë keni parë, cila ishte gjendja e pjesës më të madhe të pasagjerëve?
Fillimisht u transportuan fëmijët dhe shumë prej grave, por në traget mbetën dhe qindra persona të tjerë. Problemi është se kamionët me vaj ulliri ishin të shumtë, ishin qindra kontenierë me cisterna me vaj. Pasi morën flakë, rreth orës 14:00 mund të shikoje vetëm tym që dilte nga të gjitha anët. Tymi që dilte ishte tepër tronditës. Menduam se shpëtuam kur erdhi ndihma e parë, por në fakt ata filluan të na hidhnin ujë nga sipër për të shuar flakët.

A ju dha kapiteni i tragetit ndihmë?
Në fakt aty nuk kuptohej asgjë, se kush ishte kapiteni dhe kush pjesë e ekuipazhit, pasi të gjithë silleshin rrotull duke u munduar të ndihmonin këdo që kishte nevojë. Praktikisht të gjitha i bëmë vetë. Ata që na ndihmuan ishin djemtë e Marinës më skuadrat e shpëtimit.
Ndihmën e siguruam me mjetet tona dhe me ndihmën e Marinës Ushtarake dhe asaj të ndihmës së shpejtë.

Po tani si ndiheni?
Them se më mirë

Do ktheheni në shtëpi?
Të shohim se çfarë më thonë. Tani këtu në tokë ndihem shumë më mirë. kjo është një mundësi e dytë jete që na është dhënë.

Bashkëshortja e kapitenit të “Norman Atlantic”: Asnjë lajm prej tij, por do t’ia dalë
“Nuk kam dëgjuar asnjë prej tij që dje. Jam përpjekur të flas me të që në mëngjes, por ka qenë e pamundur. Padyshim që jemi në ankth, jam këtu së bashku me vajzën time përballë televizorit duke pritur lajme, ashtu siç kushdo tjetër. Asnjë nuk ka kontaktuar me në deri tani”. Kjo është dëshmia e Paolës bashkëshortes së kapitenit Argilio Giacomazzi, të tragetit të përfshirë mëngjesin e sotëm nga flakët “Norman Atlantic”, Ndonëse me gjysmë zëri ajo shprehet se bashkëshorti i saj është mjaft i zoti dhe di t’ia dalë mbanë.

Ministri Grek: Anija ka anuar. Ja greku qe humbi jeten
Ora 20:00 Ministri grek i mbrotjes Nikos Dendias ka konfirmuar live për televizionit grek Mega Channel që trageti “Norman Atlantic” ka pësuar një anim prej 7 gradësh për shkak të ujit të përdorur për të fikur zjarrin në traget. Dendias ka bërë të ditur edhe emrin e viktimës së parë Georghios Doulis.

Inspektimi i fundit: Trageti ka mangësi serioze për ndihmën e shpejtë
Trageti “Norman Atlantic” i cili në orët e para të mëngjesit të sotëm është përfshirë nga flakët, ndërsa vijon rreziku për pasagjerët, ka marrë vërejtje serioze për rrjedhje, për mungesë të dritave të emergjencës, si dhe mungesa e pajisjeve të ndihmës së shpejtë.

Këto vërejtje janë dhënë nga autoritetet e portit të Patras më 19 dhjetor, ku dhe i është dhënë një periudhë 15 ditore për përmirësimin e kushteve të anijes.

Një tjetër vërejtje ka qenë dhe mosfunksionimi i mbylljes së dyerve të cilat janë të papërshkrueshme nga uji dhe ndikojnë drejtpërdrejtë që ndikojnë në ngushtimin e anijes dhe nuk kanë pasur asnjë plan konkret për menaxhimin e situatave emergjente në shpëtimin e pasagjerëve në rast rreziku.

Publikohen emrat e gjashtë shqiptarëve të parë të shpëtuar
Ora 19: 40 Bëhen public emrat e gjashtë shqiptarëve të shpëtuar nga trageti që mori flakë në det të hapur. Njoftimi i është bërë i ditur ministrisë sonë të Punëve të Jashtme nga roja bregdetare greke.

Sipas tyre, në bordin e anijes “Aby Jannette” ndodhen 6 shqiptarë të mbijetuar.

1. Refik Aliko
2. Sheraf Aliko
3. Donika Aliko
4. Jonel Lamcaj
5. Festim Cuci
6. Hasie Cuci

trageti-zjarr2

trageti-zjarr

Ndërkaq, një tjetër shqiptarë që ka mundur t’i shpëtojë kësaj tragjedie në det, është evakuuar me anijet e shpëtimit dhe është cuar në spitalin e Brindisit.

VIDEO/ Pamjet e para brenda tragetit, flakët në kafene
Pamjet nga brenda bordit të anijes. Videoja është xhiruar nga një pasagjer me celular në momentet e para të mëngjesit: Flakët nisin të përfshijnë kafenenë e tragetit e duken pamjet ndërsa pasagjerët veshin jelekët e shpëtimit. Autori i kësaj videoje është një 43-vjeçar me kombësi egjiptian, Yousri Wadan, nisur nga Patra drejt Ankonës. Ai është një nga të evakuuarit dhe momentalisht i shtruar në spital në Leçe ku i është nënshtruar kontrolleve.

Djegia e tragetit në Adriatik, Beqaj: Jemi në gatishmëri
Spitali i Durrësit është në gjendje gatishmërie për të përballuar çdo fluks pacientësh, nëse anija “Norman Atlantik” e përfshirë nga flakët në ujërat e Adriatiku mbërrin në portin e Durrësit. Për të parë nga afër situatën ka mbërritur edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shtoi së në gatishmëri është edhe spitali i traumës. Ministri ndër të tjera pohoi së po punohet ngushtë më ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme.

“Janë marrë të gjitha masat për pritjen dhe dhënien e ndihmës shëndetësore të të gjithë udhëtarëve të tragetit që është përfshirë nga flakët nëse ai do të ankorohet në Portin e Durrësit. Në gatishmëri janë spitali rajonal i Durrësit, qendrat shëndetësore të këtij rrethi, qendra e traumës në Tiranë si dhe qendra toksikologjike po në Tiranë e aftë për të kuruar të sëmurë të helmuar nga gazi karbonik. Gjithashtu janë marrë të gjitha masat që udhëtarët të marrin ushqimet e nevojshme.”- tha Beqaj.

Kodheli në Durrës, ndjek operacionin e shpëtimit
Ende nuk është marrë asnjë vendim nëse trageti “Norman Atlantik” i përfshirë nga flakët në ujërat e Adriatikut do sillet në bregdetin shqiptar apo do çohet në Itali. Ky fakt është pohuar nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ndodhet në qendrën ndëroperacionale në Durrës nga ku po ndjek punën për shpëtimin e tragetit.

Video/Alarmi SOS që dha Kapiteni i Tragetit “Norman Atlantic”
Sinjali i parë për ndihmë “SOS” nga trageti “Norman Atlantic” është “pikasur” për herë të parë prej radio-amatorit nga Puglia Alessandro Pagliara. Sinjali për ndihmë nga trageti “Norman Atlantic” i është drejtuar të gjitha kapitenerive përreth.
trageti-zjarr5

I mbijetuari në traget: “Po vdesim nga i ftohti”
“Tymi po na mbyt, nuk dimë nëse mund t’ia dalim të shpëtojmë. Jemi jashtë në bashin e tragetit, po vdesim së ftohti si dhe po asfiksohemi nga tymi dhe zjarri është duke u shtuar edhe më shumë”. Ky ishte rrëfimi drejtpërdrejtë nga trageti nga një prej të mbijetuarve greke. Yorgos Stiliaras më pas ka shtuar, “dyshemetë janë të nxehta, njerëzit dridhen dhe kolliten. Nuk dihet nëse do ja dalim të shpëtojmë”.

VIDEO/ Ja imazhet e evakuimeve të para me helikopter nga trageti “Norman Atlantic”
Publikohet në mediat italiane dhe greke videot e para të cilat tregojnë sesi realizohet evakuimi i pasagjerëve nga anija në flakë “Norman Atlantic”. Në këtë video shohim shpëtimin e një gruaje me dy fëmijë dhe menjëherë më pas një grua tjetër me një fëmijë nga një helikopter italian. Tre fëmijët e shpëtuar janë në gjendje hipotermie. Gjithashtu nga pamjet shihet si një nga gratë e shpëtuara me xhupin blu ka mbështjellë një tjetër fëmijë në krahët e saj dhe e kontrollon nëse është mirë. Ajo ka dy fëmijë një fëmijë e mban në krahë tjetrin në këmbët e saj. Sipas mediave italiane dhe greke mënyra e shpëtimit realizohet duke zbritur një nga shpëtuesit së bashku me koshin ku do të vendosen të mbijetuarit dhe zgjidhen fillimisht për tu marrë gratë dhe fëmijët. Gjatë një aksioni shpëtimi mund të evakuuohen maksimum tre fëmijë dhe më pas koshi me ta ngjitet për në helikopterin italian. Siç shihet edhe në video tensioni është mjaft i lartë por edhe çlirimi pas shpëtimit është mjaft i lartë

Rama kontakton me Samaras për tragjedinë në det
Menjëherë pas marrjes së informacionit lidhur me ngjarjen në tragetin “Norman Atlantik” mësohet se Kryeministri Edi Rama ka kontaktuar me Kryeministrin grek Andonis Samaras dhe atë italian Matteo Renzi, me të cilët kanë koordinuar vazhdimin e operacionit për shpëtimin e pasagjerëve.

Trageti nën flakë, Shqipëria në gatishmëri, mblidhet emergjenca

Alfano komunikon me Tahirin
Ministri i Brendshëm italian, Angelo Alfano, komenton në Twitter situatën, ku bën me dije se eshte në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin shqiptar Saimir Tahiri. Sipas tij Shqipëria është e gatshme për t’u përballur me çdo situate.

Trageti ende në flakë, lundron në mënyrë të pakontrolluar
Ora 18:00 Në grupin e shpëtimit për të evakuuar pasagjerët e tragetit “Norman Atlantic” janë përfshirë 8 anije, 10 helikopterë, 1 motovedet shqiptare,1 motovedet italiane dhe 1 helikopter greke. Ndërkohë është një avion i cili koordinon operacionin e shpëtimit të pasagjerëve. Trageti vijon të jetë i përfshirë në flakë si dhe të lundrojë në mënyrë të pakontrolluar drejt brigjeve shqiptare ose atyre italiane, gjithnjë në varësi të drejtimin të erës.

Gjeneral Shkurti: Anija shqiptare gjeti ne det viktimen greke, trageti rrezikon mbytjen
Ora 17:30 Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar vitkimën e parë të shënuar në tragetin italian që mori flakë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në një konferencë për shtyp, gjeneral Qemal Shkurti, Komandant i Forcave Detare, tha se “Butrinti”, anija jonë shqiptare e cila i është bashkuar operacionit të shpëtimit nga anije dhe helikpterë grekë dhe italianë, ka gjetur trupin e shtetatit grek i cili u mbyt gjatë operacionit të shpëtimit. Sipas Shkurtit, viktima është transportuar më tej në anijet greke të shpëtimit. Gjenerali tha se situata është e vështirë pasi anija rrezikon të përmbytet për shkak se është hedhur shumë ujë për të shuar flakët që ranë në katet e poshtme të tragetit.

“Një person i mbytur, zbuluar nga anija jonë. Rrezikohet dhe mbytja e anijes, pasi i hidhet ujë për fikjen e zjarrit. Kemi marrë masa për rimorkimin dhe masa për pritjen e pasagjerëve. Janë marrë masa për transportin e pasagjerëve nëse vjen në portin e Durrësit, drejt qendrave shëndetësore”, u shpreh Shkurti.

Gjenerali theksoi se trageti nuk është ende në territorin e ujërave shqiparë, dhe se dallgët e mëdha të detit e vështirësojnë tej mase operacionin e shpëtimit.

“Në këtë situatë dhe roja bregdetare, pas sinjalit të marrë nga qendra e Pireut ka marrë masa. Ka vënë në dispozicion kapacitetet e veta, ka nisur anijen Butrinti, së bashku me anijet e tjera italiane dhe greke është përfshirë në shpëtimin e pasagjerëve. Aktualisht vazhdon të ndodhet në rajon, situata është e vështirë, anija jonë ka marrë pjesën në fikjen e zjarrit dhe shpëtimin e pasagjerëve që mund të kenë rënë në det. Nga informacionet që kemi janë përfshirë në operacion rreth 6 anije, 5 helikopterë dhe aktualisht vazhdon operacioni. Zjarri vazhdon, është shuar pjesërisht, pasagjerët janë në bashin e anijes. Aktualisht vazhdon evakuimi me helikopter. Ministria e Mbrojtjes ka bënë në dispozicion gjithë kapacitetin e tyre, dhe anija Lisus që të shkojë dhe të jap ndihmesën e vet. Deti është 6-7 ballë, det goxha i lartë për kapacitetet që ne kemi. Nuk mund të flas për numër të saktë të evakuimit, është e pamundur një shifër e qartë.

Në zonën e operacionit 2 rimorkiatorë italianë. Një rimorkiator është në gatishmëri nga Vlora. Nuk mund të themi se a do vijë në ujërat tona, apo do rrijë aty”, tha Shkurti.

Shënohet viktima e parë, burri bie në det gjatë operacionit të shpëtimit
Ora 16:55 Shënohet viktima e parë e tragetit italian që mori flakë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një burrë që ka humbur jetën gjatë operacionit për evakuimit e pasagjerëve nga trageti në flakë në anijet imbarkuese. Georghios Doulis 67 vjeç po evakuohej për tu shpëtuar së bashku me bashkëshorten e tij, por gjatë këtij operacioni ka pasur një avari ku çifti ka mbetur i varur në një litar. Më pas të dy kanë rënë në det, por forcat e shpëtimit kanë mundur të nxjerrin jashtë detit vetëm gruan e tij, ndërsa burri fatkeqësisht ka humbur në det. Ndërkohë janë edhe dy të plagosur, një pasagjer dhe një ushtarak i cili nuk është ndjerë mirë gjatë operacionit të shpëtimit.
greku i vdekur ne traget
Ne foto: Greku qe humbi jeten

Kodheli komunikon me homologun grek: Athina zyrtare nis një anije ushtarake, i bashkohet tragetit në orën 05:00
Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli komunikoi me homologun grek Nikos Dendias. Të dy ministrat diskutuan për situatën lidhur me tragetin në flakë dhe punën që po bëhet për të shpëtuar jetët njerëzore. Denidias i pohoi ministres Kodheli se Greqia ka nisur nje anije ushtarake drejt vendngjarjes, e cila mendohet të mbërrije rreth orës 5:00 të mëngjesit për shkak të motit të keq.

Ministrja Kodheli më herët komunikoi dhe me homologen italine Pinotti. Të dy kolegët e saj e kanë falenderuar ministren për kontributin që po jep Shqipëria dhe Forcat e Armatosura në këtë operacion të vështirë.

Koloneli: Trageti 2 milje larg Shqipërisë. Ka nisur evakuimi i personave që janë ende në bord
Ora 16:20 Disa orë pasi u dha alarmi SOS për anijen italiane “Norman Atlantik”, që udhëtonte nga Igumenica drejt Ankonës, koloneli Ahmet Leka me detyrë komandant i Qendrës së Bashkuar Operacionale tha se po punohet për evakuimin e pasagjerëve të mbetur në bord. Në një lidhje telefonike me A1Report, Leka tha se po punohet për evakuimin sepse anija “Norman Atlantik” rrezikon mbytjen.

“Anija ndodhet 2 milje nga ujërat shqiptare. Pasi bëmë kontakte me palët e tjera, vumë në dijeni komandën e forcave detare dhe vuri në lëvizje anijen “Butrinti”. Kjo anije është për shkuarjen e zjarrit, dhe evakuimin e udhëtarëve. Për shkak të erës, ajo lëviz drejt Shqipërisë, por je e drejtuar. Po bëhet imbarkimi i dy anijeve të tjera. Akoma nuk ka filluar transportimi. Po bëhet transferimi i udhëtarëve. Po bashkëpunojmë me forcat italiane dhe greke, jemi drejt evakuimit të pasagjerëve nga anija që rrezikon të mbytet”, deklaroi Koloneli Leka.

Rama: Po bëhet maksimumi në kushtet e një moti të tërbuar
Ora 16: 10 Për situatën e rëndë të pasagjerëve që rrezikojnë jetën në tragetin që mori flakë në ujërat neutralë mes Shqipërisë e Italisë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes rrjetit social Facebook ai është shprehur se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me palët italiane dhe greke të cilat janë angazhuar në shpëtimin e personave që ndodhen ende në bord, mes tyre edhe shqiptarë. Kreu i qeverisë thekson vështirësinë e këtij operacioni shpëtimi në kushte klimaterike që i kanë cuar dallgët deri në 8 ballë.

“Jemi vazhdimisht në kontakt me palët italiane e greke e po bëhet maksimumi në kushtet e një moti të tërbuar që përbën një pengesë ekstreme”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetin social Facebook.

Trageti ne flake, Tahiri-Alfano bisede telefonike: Jemi ne gatishmeri per te perballuar cdo situate
Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano i ka telefonuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar lidhur me situatën e krijuar në tragetin grek “NORMAN ATLANTIC”. Të dy ministrat kanë shkëmbyer informacione për ecurinë e deritanishme të operacionit të shpëtimit.

Ministri Tahiri e informoi Alfanon se e gjithë infrastruktura pritëse në të gjitha portet e Shqipërisë është në gadishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet nga ankorimi i tragetit në këto porte dhe emergjencës shëndetsore për pasagjerët.

Sipas Alfanos 138 pasagjerë janë evakuuar tashmë dhe ndërkohë vijon operacioni për shpëtimin e çdo pasagjeri.

Të dy ministrat po mbajnë kontakt të vazhdueshëm personal për përballimin e situatës emergjentë.

Shefi i kapitenerisë Vlorë: Ja si morëm alarmin SOS për anijen italiane
Shefi i Kapitenerisë në portin e Vlorës, Dionis Andoni, rrëfen për mediat momentet kur morën sinjalizimin lidhur me anijen e përfshirë në flakë në bordin e së cilës ndodheshin 478 pasagjerë.

“Në portin e Vlorës në orën 7:00 të mëngjesit kapiteni mori sinjalin e ndihmës nga ania “Norman Atlantic”. Ku specifikohet rënia e zjarrit në bord dhe kërkesa për ndihmë për të evokuar njerëzit dhe të gjithë personat që janë në bord . Mbas kësaj kapitaneria e portit formoj të gjithë institucionet e nevojshme që janë të destinuara të merren me këtë operacion që është qendra ndër operacionale detare në Durrës, forcat e kufirit që të gjithë mjetet portale të jenë në dispozicion për evakuimit të tyre. Nga Vlora është nisur anija e rojës detare “Butrinti” bashkë me një rimorkiator “Iliria” me mjetet portale detare Shqiptare dhe këto janë prezentë në dhënien e ndihmës së tyre për këtë anie, për të evokuar njerëzit, pasagjeret dhe të gjithë personat që kanë nevojë. Karakteristikë e kësaj është situata detare me nje det shumë të madh dhe forcat shqiptare marrin pjesë në mënyrë aktive ne ndihmën e anijes. Anija është duke evokuar njerëz nga bordi i sajë në bordet e anijeve të tjera detare dhe transportuesve që janë anije pasagjeresh tanker dhe karakteristikë është që të gjitha mjetet lundrues që janë në ndihmë të anijes që po digjet për të shpëtuar njerëzit . Janë koordinuar forcat greke, forcat italiane dhe ato shqiptare”, u shpreh Andoni.

Trageti italian hyn në ujërat shqiptare, zhvendoset në mënyrë të pakontrolluar drejt Veriut
Ora 15:00 Trageti tashmë ka hyrë në ujërat shqiptare. Ai lëviz në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa anijet e shpëtimit qëndrojnë rreth tij për të bllokuar dallgët, pasi është thuajse e pamundur të mundësohet evakuimi i personave që janë ende në bord për shkak të dallgëve që arrijnë deri në 8 ballë. Sipas Kapitenerisë së Vlorës, trageti është duke lëvizur në drejtim të Veriut, drejt Durrësit.

Kapiteni: Trageti do të vijë drejt Shqipërisë
Kapiteni i anijes ka mundur të vihet në kontakt me Kapitenerinë e Portit ndërsa flakët ende nuk ishin shuar.”Trageti është në flakë të pakontrollueshme, ndërsa trageti do të shkojë drejt Shqipërisë”, tha kapiteni.

Deshmia e pasagjerit: “Kepucet na digjeshin nga i nxehti”. Disa persona u hodhen ne det
“Këpucët filluan të na shkriheshin nga i nxehti ndërsa ishim në zonën e pritjes”, kështu rrëfen për televizonin grek Mega, një nga pasagjerët e “Norman Atlantic”.

Ekuipazhi i anijes pas dhënies së alarmit filloi procedurat e evakuimit, ndërsa disa nga pasagjerët janë hedhur në det nga frika.

Papa Françesku: Mendimi im për pasagjerët e “Norman Atlantic”
Tensionit dhe shqetësimit për ngjarjen e përfshirjes nga flakët të tragetit “Norman Atlantic”, i është bashkuar edhe Papa Françesku. Ai ka ndjekur me vëmendje zhvillimet lidhur me këtë ngjarje. “Mendimi im shkon në këtë çast tek pasagjerët e tragetit të mbetur në ujërat e Adriatikut,”-është shprehur Papa në fund të Angelus në Sheshin “San Pietro”.

Në operacionin e shpëtimit, 7 anije, helikopterë e avionë
Në ndihmë të pasagjerëve mbërriti anija e parë italiane “Sprint” që bëri evakuimin e parë të 30 pasagjerëve, e më tej u përfshinë 7 anije të tjera, një prej të cilave shqiptare. Sakaq, 3 helikopterë shpëtimi të ushtrisë greke u ngritën në fluturim, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi u dërgua në vendngjarje.

Në operacionin e shpëtimit, edhe anija shqiptare “Butrinti”
Ministria jonë e Mbrojtjes është përfshirë në këtë operacion shpëtimi, përmes anijes “Butrinti”, për të mundësuar evakuimin e pasagjerëve nga trageti “Normal Atlantic”. Sakaq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm grek ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo.

Kodheli në komunikim të vazhdueshëm me homologen italiane
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është vënë në komunikim të vazhdueshëm me homologen e saj italiane, Pinnoti për situatën dhe ndjekjen e operacionit të evakuimit.

Ministri grek i Marines: Ky, operacioni me i veshtire qe kemi bere ndonjehere
Ministri grek i Marinës, Miltiadis Varvitsiotis tha se ky është operacion i vështirë për shkak të erës së fortë deri në 55 milje (88 kilometra) për orë, ndërsa zjarri e bën operacioni ekremisht të komplikuar.

“Ne jemi duke bërë gjithçka mundemi për të shpëtuar pjesëtarët e bordit, dhe asnjë nuk do të mbetet pa u ndihmuar në këtë situatë të vështirë. Është një nga operacionet e shpëtimit më të komplikuar që kemi bërë ndonjëherë”, u shpreh për gazetarët ministri Varvitsiotis.

Ministri grek i Mbrojtjes: Jemi ne gadishmeri maksimale
Pas njoftimit ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias kontaktoi me kryeministrin Samaras duke dërguar helikopterë nga Athina për shpëtimin e pasagjerëve që ndodhen në anije. “Ajo që mund të bëjmë është që të evakuojmë pasagjerët individualisht nga ajri, pasi situata është shumë e vështirë si pasojë e motit të keq. Unë kam besim dhe shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe nuk do të ketë të lënduar, pasi në bashkëpunim me palën italiane jemi në gatishmëri maksimale” shprehet Nikos Dendias.

Pasagjeret: Nuk ka aspak koordinim
Sipas medieve greke, pasagjerët fajësojnë mungesën e koordinimit gjatë evakuimit duke e cilësuar shumë të dobët. “Ata po përpiqen të ulin disa varka shpëtimi, por jo të gjithë pasagjerët mund të hipin mbi to. Nuk ka aspak koordinim”, tha një prej të rrezikuarve.

“Është errësirë, ndërsa fundi i tragetit është përfshirë nga flakët. Ne jemi në pjesën e përparme, pamë një varkë që po afrohet… hapëm disa kuti të ndihmës së shpejtë dhe morëm disa jelekë shpëtimi, po përpiqemi të shpëtojmë veten”, janë disa nga komentet e raportuara në lidhje të drejtpërdrejtë me televizionet greke.

“Norman Atlantic”, trageti “fatkeq” në 5 vjet ndryshoi 3 herë emrin
Trageti është kompletuar në nëntor të vitit 2009 nga kantierët Navali Visentini të Porto Viro në provincë të Rovigos. Në vetëm 5 vjet trageti ka ndryshuar tre herë emrin e saj. Në momentin e daljes së parë në det të hapur trageti ishte pagëzuar me emrin “Akeman Street”, më pas u ndryshua në “Scintu” dhe në fund gjatë janarit të vitit 2014 iu vendos emri i saj aktual “Norman Atlantik”. Në pronësi të “Visemar di Navigazione”, trageti është marrë me qira nga shoqëria T-Link dhe më pas nga “Gnv” dhe së fundmi nga Caronte and Tourist. I gjatë 186 metra trageti “Norman Atlantic” me një tonazh bruto prej 26.904 ton, ndërsa tonazhi neto arrin në 7800 ton dhe ka një kapacitet prej 492 pasagjerësh si dhe mund të mbajë 195 autovetura në garazhin e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here