KRUJE – Shpëtim Ziza, i dënuar me burgim të përjetshëm për dhunimin dhe vrasjen në 2007 në Peshkopi të 10-vjeçarit Bekim Çenga, ka tentuar vetëvrasjen duke i vënë flakën krevatit të qelisë së burgut të Krujës, ku ai vuan dënimin.
Ky fakt konfirmohet në burime pranë Drejtorsisë së Përgjithshmë të burgjeve, të cilët pohojnë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, teksa Ziza i ka vënë flakën me cigare dyshekut të tij. Të njëjtat burime sqarojnë se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar pasi ndërhyrja në kohë e gardianëve ka neutralizuar flakët e zjarrit. I dënuari është transferuar në një tjetër qeli.
Kjo nuk është hera e parë që Shpëtim Ziza, ka tentuar të vetëvritet, ku vetëm pak ditë më parë madje ka tentuar vetëvarjen me çarçaf në burg, por është shpëtuar nga roja i burgut. Në një tjetër rast, ai ka prerë damarët në qeli dhe më pas është dërguar në urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkaq në qershor të këtij viti, në një atentat para banesës së tij në fund të rrugës “5 Maji” në Tiranë, është vrarë vëllai i tij, Saimir Ziza. Ndërsa hetimet për këtë vrasje vijojnë, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje.
Nga ana e saj, familja e Ziza, përmes kamerës së televizionit A1 Report, ka hedhur dyshimet së vrasësi mund të jetë një i afërm i 10 vjeçarit Çenga, duke ngjallur dyshimet e hakmarrjes, ndërsa i bëjnë apel Kryeprokurorit të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje. Familja Ziza: Kjo drejtësi na futi në këtë hasmëri
Shpëtim Ziza është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit, Besim Çenga, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2007, dhe ku vetë ai ka pranuar krimin në fjalë.