Home Politike KQZ dorëzon tabelat, Kolegji Zgjedhor tërhiqet për vendim

KQZ dorëzon tabelat, Kolegji Zgjedhor tërhiqet për vendim

556
0

Trupa e Kolegjit Zgjedhor është tërhequr për të marrë një vendim në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
PS ka kërkuar që KZ të marr parasysh tabelat përfundimtare që janë dhënë nga KZAZ- të.
Kolegji Zgjedhor ka vënë në dukje që KQZ nuk ka paraqitur tabelat e hartuara nga KZAZ- të si prova materiale. Kjo vërejtje ka marrë përgjigje nga PD e cila i quajti këto tabela të panevojshme për marrjen e vendimit, pasi nuk janë objekt i akuzave të PS.
Ndërkohë bëhet e ditur se KQZ i ka dorëzuar tabelat e KZAZ-ve pas kërkesës së Kolegjit Zgjedhor. Ky i fundit ka vendosur që të marrë parasysh animimin e Partisë Socialiste për fletët e kontestuara.

 

14:45 – Kolegji Zgjedhor vuri në dukje se KQZ nuk ka paraqitur tabelat e hartuara nga KZAZ- t si prova materiale. Kjo vërejtje ka marrë përgjigje nga PD, e cila i quajti këto tabela të panevojshme për marrjen e vendimit, pasi nuk janë objekt i akuzave të PS. Në këto rrethana Kolegji ka kërkuar pesë minuta pushim, pas të cilave do të marrë vendimin. Ndërkohë që përfaqësuesit e PS deklaruan se Kolegji Zgjedhor nuk mund të marrë një vendim pa vlerësuar tabelat e KZAZ-ve, të cilat sipas tyre janë ndryshuar nga KQZ.
Kolegji Zgjedhor ka nisur rreth orës 10:00 të paradites shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, në lidhje me vendimin e KQZ-së për rinumërimin e votive të kontestuara. Fillimisht, Kolegji Zgjedhor ka dëgjuar argumentimin e kërkesës së përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste, të cilët u shprehën se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi Kodi parashikon që të drejtën për të hartuar tabelat përfundimtare e kanë vetëm KZAZ-të. KQZ kishte për detyrë të bënte vetëm përlogaritjet matematikore”.

Ndërsa në lidhje me aktin normativ të miratuar nga KQZ me 4 votat e mazhorancës, përfaqësuesit e Partisë Socialiste u shprehën se një akt i tillë për t’u miratuar kërkon një kuorum prej 5 votash, dhe jo 4 të tilla, siç u veprua konkretisht. “Akti i KQZ i datës 23 maj është i pavlefshëm, pasi si akt normativ është miratuar pa pasur kuorumin, pa pasur 5 vota. Ndërkohë që akti normativ është miratuar me 4 vota pro ( votat e maxhorancës)”, tha përfaqësuesi ligjor i PS, Arjan Salati.

 

* * * *

TIRANË- Kolegji Zgjedhor pritet që të marrë sot vendimin më të rëndësishëm për zgjedhjet e 8 majit ku do të vendosë fatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Një javë më parë socialistët dorëzuan në gjykatë kërkesën e tyre, në të cilën kërkonin rrëzimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nisi procedurën e hapjes së kutive të votimit dhe rivlerësimit të votave. Në përfundim të këtij procesi KQZ ndryshoi në tavolinë rezultatin për Tiranën. Tashmë i takon Kolegjit që të legalizojë apo të rrëzojë vendimmarrjen e KQZ-së. Relatori i seancës së sotme do të jetë gjyqtari Tom Ndreca, ndërsa në përbërje të trupit gjykues do të jenë Entela Prifti, Sashenka Jonuzaj, Astrit Kalaja dhe Petraq Dhimitri.

***
Në çështjen e re, PS kërkon shfuqizimin e vendimit 709 të KQZ-së për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në Tiranë. Opozita pretendon se organi që merret me administrimin e Zgjedhjeve ka kapërcyer kompetencat e tij si dhe nuk ka respektuar procedurat që përcakton Kodi Zgjedhor për miratimin e vendimeve. Duke e cilësuar vendimin për rivlerësimin e votave si akt normativ, socialistët pretendojnë se duhej të ishte miratuar me pesë vota dhe jo me katër.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk rezulton t’i ketë pasur parasysh cilësitë ligjore të sipërpërmendura të aktit normativ. Nëpërmjet votimit të këtij vendimi dhe kryerjes së veprimeve gjatë hetimit administrativ për vlerësimin e fletëve të votimit për Kryetarin dhe Këshillin e Bashkisë Tiranë, të gjendura në kutitë e gabuara, KQZ-ja ka shkelur në mënyrë flagrante procedurën dhe e ka shndërruar veten në një organ inkompetent”, theksohet në padi.

Sipas saj, KQZ në përfundim të miratimit nga KZAZ-të të tabelave për çdo zonë, kishte për detyrë vetëm mbledhjen matematikore të dhënave që pasqyrohen në tabelat e rezultateve të KZAZ-ve, ose sipas rastit të tabelave të rezultateve për çdo QV. Pretendimet që subjekte të caktuara, apo edhe komisione të administrimit të zgjedhjeve të nivelit më të ulët se KQZ-ja mund të kenë në lidhje me vlerësimin e votave dhe/ose të gjithë procesit zgjedhor, për socialistët nuk mund të shqyrtohen ose vlerësohen nga KQZ në këtë fazë të procesit.

Në varësi të vendimit të Kolegjit do të përcaktohet edhe axhenda politike e opozitës por edhe rezultati i Tiranës. Nëse do të lihet në fuqi vendimi i KQZ-së , atëherë do të ligjërohet hapja e kutive të votimit që nxori fitues me 78 vota para kandidatin Basha edhe pse numëruesit nxorën fillimisht kandidatin socialist Rama fitues për të katërtën herë në kryeqytet.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here