Home Kosova Kosova feston 3 vjetorin si shtet i pavarur

Kosova feston 3 vjetorin si shtet i pavarur

740
0

Tri vite më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një procesi të gjatë e të mundimshëm negociatash me Serbinë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë me 17 shkurt të vitit 2008 u prit me gëzim e lot nga qytetarët e Kosovës të cilët kujtuan breza të tërë shqiptarësh që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Gjatë këtyre tri viteve, Kosova është njohur nga gjithsej 75 vende të ndryshme të botës dhe ka fituar një betje të rëndësishme ligjore përballë Serbisë. Pas një procesi më shumë se një vjecar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në shtator të vitit të kaluar konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme duke bërë që Serbia të marrë një grusht të dytë të fortë pas pavarësisë.

Para tri vitesh Kosova u bë lajmi kryesor në mediat ndërkombëtare, ndërkohë që kosovarët dhe shqiptarët po festonin realizimin e një ëndërre shekullore. Sot shteti i ri ballafaqohet me probleme të shumta dhe me një imazh të dëmtuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare për Kosovën dhe udhëheqësit e saj të cilat u publikuan në mediat prestigjioze ndërkombëtare.

Një raport shumë negativ për Kosovën i senatorit zviceran Dik Marti u miratua edhe nga Këshilli i Evropës. Raporti i Martit për dyshimet mbi “trafikim organesh nga ish zyrtarë të lartë të UÇK dhe për krim të organizuar”, ka pasur një jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare duke e dëmtuar kështu rëndë imazhin e shtetit të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe Kosova u përballë edhe me raporte tjera negative në të cilat krysisht akuzohen zyrtarë të lartë të institucioneve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, të cilave së fundi iu shtua edhe një barrë e re, ajo e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, që u konsideruan të manipuluara dhe me shumë parregullësi nga monitoruesit ndërkombëtarë të këtij procesi.

Shteti i Kosovës krahas imazhit të tij jo të mire ndërkombëtar, përballet edhe me probleme të mëdha të brendshme siç është numri i madh i të papunëve dhe varfëria ekstreme.

E ky përvjetor i tretë, e gjen vendin edhe pa institucione të zgjedhura me kryeministër në dorëheqje dhe president në detyrë. Sfida të mëdha e presin shtetin e ri, duke filluar nga procesi i fillimit të bisedimeve me Serbinë e deri tek problemet e brendshme sic janë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik si një parakusht për zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë.

Për t’u përballur me këto sfida bashkësia ndërkombëtare kërkon me ngulm krijimin e një qeverie me duar të pastra e cila pritet të formohet në javën tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here