Edhe pse nuk është vendosur përfundimisht mësohet emri që pritet të ketë partia më e re e së djathtës shqiptare që pritet të shpallet para pak ditëve. “Fryma e Re Demokratike”, është alternativa më e kuotuar në radhët e themeluesve të grupimit që tashmë quhet si “partia e Topit”, por vetëm para pak ditësh do të drejtohet nga Gazmend Oketa, deputet i parlamentit Shqiptar.
Partia e re ka përfunduar përzgjedhjen e stafit të saj themelues. Aleksandër Meksi, Aleksandër Biberaj, ish-kreu i PD-së, Eduard Selami, si dhe disa ish-ministra të tjerë të PD-së, pritet të zbulojnë këtë muaj para mediave dhe publikut, programin dhe strategjinë e hyrjes së tyre në “fushën e lojës”. Në një kohë kur vetëm pak ditë e ndan këtë parti nga dalja e saj publike, grupi i themeltarëve dhe i organizatorëve kanë bërë gati çdo element, duke nisur që nga emri i partisë, siglat, posterët dhe godina e selisë. Një vëmendje e madhe në ditën që do të vendoset themelimi do t’i jepet dhe prezantimit të drejtuesve lokalë të kësaj partie. Burimet bëjnë të ditur se ditën e themelimit në skenë do të dalin dhe drejtuesit lokalë të kësaj partie, që do të prezantojnë mënyrën sesi do ta organizojnë partinë në qytetet që përfaqësojnë. Një element interesant që po zhvillojnë themeluesit e kësaj partie të re janë edhe sondazhet për mbështetjen në rrethe të ndryshme të vendit. Me të dhënat e deritanishme mësohet se Shkodra është rrethi në të cilën kjo parti e re do të mbështetej më shumë, por pas nuk qëndrojnë as qytete të rëndësishme në vend si Durrësi, apo Elbasani.
Themeluesit
Grupi themelues i partisë së re të së djathtës pritet të prezantojë javën e ardhshme jo vetëm figurat kryesore të tij, por edhe të gjitha elementet kryesore me të cilat do të dalë në skenën politike. Ndonëse e programuar për të dalë publikisht një muaj më parë, grupi themelues ka kërkuar të marrë më shumë kohë, për të bërë një dalje të parë dinjitoze. Një kohë e madhe e fondeve mësohet se është përdorur për administrimin e godinës, ku tashmë është ngritur selia e kësaj partie, ndërsa pjesa tjetër do të harxhohet për elementet simbolike që do të përdoren, si flamujt, posterat, siglat dhe spotet televizive. Kjo kohë gjithashtu ka shërbyer për sa i përket përzgjedhjes përfundimtare të grupit që do të cilësohet si themeluesi i kësaj partie. Përfundimisht është vendosur se personat kyç të saj dhe që do të dalin publikisht si firmëtarë, janë ish-deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, ish-deputetët demokratë: Aleksandër Biberaj dhe Sali Shehu, si dhe ish-kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi. Në momentin se themelimit pritet që pjesëmarrës të jetë dhe ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, i cili aktualisht jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po kështu, një pjesë qytetarësh me moshë të re pritet t’i bashkëngjiten kësaj force në momentin e themelit, për të dhënë kështu idenë se ndonëse pjesëmarrjes së figurave me eksperiencë në politikë, të rinjtë do të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj partie.
Sondazhet
Grupi themelues i partisë së re të së djathtës, prej muajsh po kryen sondazhe në qytetet kryesore të vendit për të matur dhe mbështetjen e tyre. Në përfundim të këtyre sondazheve, rezultati ka dalë pak jashtë parashikimit të tyre, duke e renditur Shkodrën si qytetin i cili jep më shumë mbështetje për një parti të re të së djathtës. Qytete të tjera të rëndësishme për mbështetjen, konsiderohen Durrësi dhe Elbasani.