Gropa dhe kanale të mbushura me qepë, patate dhe mollë. Kjo është panorama që vjen së fundmi nga dhjetëra fshatra të Korçës, por edhe drama sociale që fshihet pas saj.
Qindra familje fermerësh kanë shpallur falimentin. Që nga Treni, Cangoji, Zemblaku, Gorica, Plasa, Pojani, Terova, Kuç i Zi, Belorta, Neveçishti, Dishnica, Mahaveci, Bulgareci, Lumalasi, Kloça, Vashtemija, Pocesti, Vloçishti, Maliqi, Symizi, Sovjani, Zvirina, Sheqerasi, Zotilani, Podgoria dhe Grabovica. Të paktën në këto 25 fshatra ishim ne dhe biseduam me bujqit që gjetëm nëpër ara, por edhe nëpër shtëpi. Shpesh, edhe nuk arritëm të flisnim dot. Si në prag të një depresioni të madh, fshatarët iu përgjigjën me gjeste pyetjeve tona. Disa treguan me gisht se ku kanë hedhur prodhimet e tyre dhe të tjerë vetëm sa psherëtinë. Në të tillë gjendje gjetëm Ilir Spahon nga fshati Belorta, teksa me një karrocë dore po hidhte mollë dhe qepë anash një kanali. “Nuk jam në gjendje të flas, kam halle të tjera. Shihi vetë”, tha ai, ndërsa kthehet të mbushë sërish karrocën. Festim Gjata nga fshati Cangoj duket më në formë. Mbi një traktor me rimorkio ai është nisur për diku. “Për të hedhur qepët dhe patatet që u kanë mbetur nëpër shtëpi fshatarëve të mi”, sqaroi ai. Sipas tij, prej dy javësh po merret me pastrimin e prodhimeve të kalbura. I transporton rreth 5 kilometra larg Cangojit, aty ku është një impiant përpunimi plehrash. Teksa ai ikën në punë të tij, ne vijojmë në tonën… Anash rrugës nacionale Devoll-Korçë nuk ka nevojë për komente, por vetëm për foto. Qepët, mollët dhe patatet dominojnë kudo. Të kalbura, por edhe të shëndetshme. Përveç prodhimeve të kalbura, fshatarët kanë hedhur edhe ato të mira, në mënyrë që të mos paguajnë më kot qera për magazinat. Ndërkaq, çdo 100 metra janë pika të improvizuara shitjesh. Shpresa Fundo nga fshati
Qepë, patate dhe mollë të hedhura anash rrugës nacionale Devoll-Korçë-Tiranë. Këto pamje vlejnë për dhjetra fshatra
Vloçisht është njëra prej fermereve që del për çdo ditë në rrugë, duke ekspozuar prodhimet e saj. “Kam vite që dal kështu, por si këtë dimër e pranverë nuk më ka ndodhur kurrë. Në fund të ditës, bashkë me djalin ndalojmë makinat për t’ua falur njerëzve çfarë ka mbetur, vetëm e vetëm që të mos i çojmë sërish mbrapsht në shtëpi, se nuk i mbajmë dot. Kam 600 kuintalë qepë dhe 800 kuintalë patate, që po më kalben në shtëpi. Dhe thuajse po kaq kam hedhur rrugëve”, u ankua gruaja rreth të 60-ave. Një ankesë që u ndoq edhe nga burrat që gjetëm rrugës. Përparim Topalli nga fshati Zotilan nuk futej poshtë tendës që të mbrohej nga shiu, por rrinte i ekspozuar para makinave, duke i ftuar me dorë drejt prodhimeve të tij – thasë me qepë e patate. “Vjet i kemi shitur me 600 lekë një kilogram. Këtë vit i japim me 60 lekë. Na bllokoi tregun patatja që u fut pa doganë nga Kosova dhe prodhime të tjera. Na falimentuan të gjithëve”, tha ai. “Patatet pa doganë nga Kosova” duket se është tema e ditës në të gjitha fshatrat e qarkut të Korçës, siç edhe i përmendëm me radhë. Por Zvirina është një ndër fshatrat më të prekur financiarisht nga kjo histori. Këtu flitet vetëm për borxhe dhe për tonelata patate e qepë të hedhura. “Kam harxhuar 30 milionë lekë dhe kam arritur të marr vetëm 2 milionë. Jam me 28 milionë lekë humbje, 700 kuintalë patate pa shitur. Qepët i hodha të gjitha, plot 900 kuintalë”, shpjegoi Vasil Taçi, fermeri që punoi në 30 dynym tokë dhe, si përfundim, falimentoi. Si ai, edhe Lipe Kinolli, Gëzim Cite, Vangjel Vangjeli etj. Por të
Vangjel Vangjeli duke treguar patatet e mbetura stok
gjithë bashkë kanë një plan. “Kemi rënë dakord në fshatin tonë dhe po lidhemi edhe me fshatrat e tjera që të bojkotojmë zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Nuk kanë pse të tallen më deputetët e Korçës me ne. Të vijë po deshi sërish këtej Ridvan Bode e të na kërkojë vota, por do të bllokojmë rrugën nacionale. Ai u hapi doganat kosovarëve, ndaj le t’ua marrë atyre votat për 2013. Ne kemi halle të tjera, të paguajmë borxhe e të ushqejmë fëmijët”, tha Vangjel Vangjeli. Pasi ka hedhur 500 kuintalë qepë dhe 300 kuintalë patate (përveç 500 kuintalëve që i ka ende pa shitur), Vangjeli duket krejt pa shpresë. Ulet te shkallët e shtëpisë dhe me duar mbulon sytë, që nuk i kanë më lot. Pranë i shkon bashkëshortja me një pjatë patate në dorë. Kjo është dreka e Vangjelit. Edhe darka do të jetë kështu. Mëngjesin nuk e hante… Sa për bashkëfshatarët e tij, menyja vlen njësoj!
“Bode na falimentoi, qindra familje në zi buke e miliona borxh”
Flet Minella Taçi, fermeri i Zvirinës së Korçës.
“Ministria e Financave na ndëshkoi me pataten pa doganë nga importi”
Ai është një nga të shumtët. Nga ata, të falimentuarit e fshatrave të Korçës, deri në zi buke. I vetmi ushqim që Minella Taçi dhe familja e tij mund të hanë me shumicë është qepa dhe patatja.
Për t’i kultivuar ata kanë marrë miliona lekë borxh. Borxh për qiranë e tokës, borxh për të blerë farërat, borxh për t’i mbjellë dhe borxh për pesticidet. Kur më në fund, ka ardhur koha e shumëpritur për të shitur prodhimet dhe për të fituar diçka, Minella Taçi është i zhytur në dëshpërim. I mbytur në mjerim, por edhe më thellë në borxhe, që i janë trefishuar. Gjithçka ka marrë nga toka, ia ka kthyer tokës. I ka hedhur në kanal. Shumica e prodhimeve i janë kalbur, ato çfarë i kanë mbetur janë çështje ditësh para se të përfundojnë njësoj. Minella Taçi nuk di se ç’të bëjë. Ai vjen sot në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke rrëfyer dramën e familjes, por edhe të bashkëfshatarëve…
Pse i keni hedhur prodhimet tuaja?
Na mbetën pa shitur. Na u kalbën nëpër magazina që morëm me qira. Dhe sa të paguanim kot, i hodhëm nëpër kanale e gropa. Këto që na kanë mbetur, durojnë dhe pak ditë. Nëse nuk do të na i blejë njeri, do t’i hedhim edhe këto. Qindra kuintalë kam hedhur vetëm unë. Po të llogarisësh në të gjitha fshatrat e Korçës që dallohen për patate, qepë e mollë, janë hedhur me tonelata. Jemi qindra familje të falimentuara. Kemi mbetur për bukën e gojës. Vetëm qepë e patate mund të hamë. Edhe këto për pak ditë, derisa të kalben. Pastaj nuk e di se çfarë do të bëhet me ne.
Po pse nuk ju shiten prodhimet, për shkak të cilësisë apo çmimit?
As njëra e as tjetra. Cilësia e patateve të Korçës ka qenë gjithnjë e preferuar, ndërsa sa i përket çmimit është krejt qesharak. Ministria e Financave la që të futej patatja pa doganë nga importi, sidomos nga Kosova, duke u siguruar atyre treg shitjeje. I favorizoi grosistët e huaj dhe ata kosovarë, ndërsa ne korçarëve na falimentoi. Ministri i Financave, Ridvan Bode, që Korça e ka dhe për deputet, na pati premtuar se do të na gjente treg shitjeje. Vetëm mbillni ju, – na tha, – se do t’ju sjell unë njerëzit këtu që t’ua marrin me shumicë. Na mashtroi që të mbillnim sa më shumë patate dhe qepë se do të vinte të na e blinte këtu, por na i la stok. U përpoqëm të shisnim sa mundëm nëpër rrugë, por dështuam. Shitëm patate e qepë me kile, ndërkohë që kemi prodhuar me qindra kuintalë. Kështu na mbetën gjithë dimrit nëpër magazina, derisa u kalbën. Tani janë mbushur kanalet plot dhe plot me borxhe jemi mbushur edhe ne.
Na thatë se i keni nxjerrë në shitje me çmim qesharak. Për sa lekë/kg bëhet fjalë?
Pataten e kemi shitur së fundmi edhe me 50 lekë të vjetër, ndërsa qepën me 20 lekë të vjetër. Po tani, a ju duket qesharak? Edhe kaq dhe nuk na vjen njeri të na e blejë. Ne vetë nuk kemi financa ta transportojmë nëpër tregjet e qyteteve apo shteteve të tjera. Kemi marrë shumë borxhe për të mbjellë dhe tani na janë trefishuar.
Sa lekë keni marrë borxh ju?
Po ju bëj një llogari të thjeshtë dhe nxirreni vetë rezultatin. Unë kam marrë me qira 24 dynym tokë. Për çdo dynym kam paguar 100 mijë lekë qira. Nga këto kam mbjellë 18 dynym patate dhe 6 dynym qepë. Fara e tyre për çdo dynym më ka kushtuar 300 mijë lekë. Rreth 100 mijë lekë më ka kushtuar mbjellja dhe pesticidet, po them minimalisht. Pra, nga një dynym unë kam pasur 500 mijë lekë shpenzime. Në 24 dynym gjithsej kam harxhuar 12 milionë lekë. Tani, nga gjithë këto, unë kam arritur të marr vetëm 3 milionë lekë. Po flas gjithmonë me lekë të vjetër.
D.m.th ju keni humbur 9 milionë lekë?
Sikur t’i kisha pasur dhe t’i kisha humbur nuk është problem. Unë i kam të gjitha borxh këto 9 milionë, që i pata marrë që në vjeshtë. Mora 12 milionë, por siç ju thashë, arrita të mbledh deri në 3 milionë lekë. Për të fituar as që bëhet fjalë. Halli është tani se si t’i kthej ato borxhe…
Po taksa, a paguani për tokën?
Taksat për tokën janë të vogla. Nuk janë ato që na dëmtojnë. Ne nuk jemi kundër taksave, por jemi kundër mashtrimeve, premtimeve boshe të politikanëve. Kur deputeti i Korçës, ai që kemi sot ministër Financash, Ridvan Bode, vinte dhe bënte fushatë nëpër fshatrat tona, i lironim shtëpitë për mbledhjet e partisë. Tani, po deshi mund t’i vijë dhe të na i blejë shtëpitë tona, me çfarë çmimi të dojë se duhet t’i shesim dhe ato. T’i shesim për të larë borxhet dhe për t’u dhënë bukë fëmijëve.
Bode nuk është qeveritari i vetëm. Pse akuzoni vetëm atë?
Po ai merret me politikën e Financave. Kë të akuzoj unë, ministrin e Sporteve apo atë të Mjedisit? Atë akuzoj dhe i kërkoj llogari madje, sepse është ministër Financash që menaxhon doganat dhe është deputet i Korçës. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për fshatarët e qarkut të tij dhe të mbajë premtimet që bën. Dhe nëse ka ende ndonjë ndjenjë korçarie, të sjellë dikë urgjent dhe të na blejë me atë çmimin qesharak që të tregova, çfarë na ka mbetur akoma pa u hedhur nëpër kanale.
“Ambasadori amerikan bleu 5 thasë me patate”
Fermeri i fshatit LumalasQytetarët nga Tirana dhe të huajt janë myshterinjtë më të mirë të fshatarëve që shesin anash rrugës nacionale të Korçës. Mes tyre, edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. “Para një jave u ndal një makinë me targa diplomatike dhe që andej dolën dy burra. Po vrisja mendjen se ku e kisha parë njërin prej tyre, atë që fliste anglisht. Tjetri përkthente. Ky që përkthente më bëri shumë pyetje dhe unë i tregova se sa e vështirë ishte gjendja e fshatarëve të Korçës këtë vit dhe se si po i hidhnim patatet, qepët dhe mollët. Ata diçka folën dhe pas pak minutash më porositën që t’u bëja gati 5 thasë me patate, se do t’i blinin. U gëzova shumë për shitjen dhe nisa t’i shikoja me vëmendje. Atëherë u kujtova dhe e pyeta përkthyesin. Ai ma konfirmoi se ishte ambasadori amerikan”, tregon L.S, nga fshati Lumalas i Korçës, i cili del për çdo ditë në rrugën nacionale për të shitur prodhimet e tij. I pyetur nëse ndalojnë edhe deputetë apo personazhe të tjerë të njohur, ai u përgjigj se “Blerësit më të mirë janë tiranasit, durrsakët dhe elbasanllinjtë. Pastaj janë edhe të huajt. Me ata ke qejf të bësh pazar, ua dinë rëndësinë prodhimeve cilësore dhe të freskëta, siç i ka Korça”.