Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një konferencë për shtyp deklaroi se qeveria dhe Policia e Shtetit do bëjnë të pamundurën për të luftuar betejën me krimin mjedisor, siç e quajti ai ndërtimin e paligjshëm.
Tahiri i bëri thirrje qytetarëve dhe kompanive të ndërtimit të marrin parasysh faktin se të ndërtosh pa leje do të thotë të kesh bërë një krim dhe për këtë do procedohesh penalisht, do dalësh para gjykatës.
“Jam këtu sot për t’i bërë apel çdo individi që përfshihet në veprimtari ndërtimore dhe për t’i bërë apel çdo kompanie që ofron shërbime të çfarëdollojshme për veprimtari ndërtimi, që të verifikojnë paraprakisht ligjshmërinë e aktivitetit ku janë përfshirë dhe ku përfshihen. Policia e Shtetit ka marrë urdhër që në bazë të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe në ushtrim të përgjegjësisë së saj në kontroll të të gjithë territorit, të procedojë çdo krim mjedisor dhe çdo person të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në kuptim të ligjit, të ndërtosh pa leje është krim. Të përfshihesh në ndërtim pa leje është pjesëmarrje në krim. Të lejosh të ndërtohet pa leje, është po kështu krim. Çdo punëtor, mbikëqyrës kantieri, përgjegjës transporti i çfarëdolloj lënde ndërtimore, përfshirë edhe çdo mjet që transporton lëndë ndërtimore për llogari të kësaj veprimtarie kriminale, do të ndalohet, do të shoqërohet në polici, do të procedohet penalisht dhe do të dërgohet para drejtësisë për pjesëmarrje në këtë veprimtari kriminale”, tha ministri.
Sipas tij, policia ka nisur kontrolle të rrepta për çdo ndërtim.
“Në përmbushje të detyrave të saj, Policia e Shtetit do kërkojë në mënyrë të menjëhershme të administrojë të gjitha lejet ndërtimore të dhëna nga autoritetet vendore si dhe të gjitha praktikat për legalizim. Çdo ndërtim do i nënshtrohet kontrollit të rreptë të Policisë së Shtetit dhe çdo veprimtari e paligjshme do procedohet penalisht, përfshirë këtu dhe hetimin pasuror të porositësit të ndërtimit pa leje, të ndërtuesit dhe të kujtdo tjetër që e ka lejuar ndërtimin pa leje. Ministria e Punëve të Brendshme i bën apel çdo qytetari dhe komuniteti vendor që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për ndalimin dhe goditjen e çdo krimi mjedisor mbi territorin e vendit. Unë u bëj thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë duke denoncuar në numrin 129 çdo veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje, prerje pemësh apo sipërfaqesh pyjore, shfrytëzim dhe dëmtim të shtretërve të lumenjve, të tokës bujqësore, dhe të plazheve; Çdo veprimtari kriminale të tregtisë së lëndëve të para për ndërtime pa leje apo vepra të tjera që lidhen me krimet kundër mjedisit. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se Shqipëria duhet ta mbyllë njeherë e mirë historinë e gjatë të shkatërrimit dhe ne do ta bëjmë realitet këtë nevojë historike së bashku me qytetarët. Dhe gjithashtu, u bëj qytetarëve thirrje të denoncojnë çdo mosveprim të strukturave të Policisë së Shtetit duke lejuar veprimtari të paligjshme me ndërtimet pa leje apo krimin mjedisor. Çdo punonjës policie që nuk do të përmbushë detyrën, do të mbajë përgjegjësi duke filluar me procedim disiplinor deri në largimin nga detyra”, tha Tahiri.
Ministri shtoi ndër të tjera se, qeveria është e vendosur të fitojë betejën me krimin mjedisor, prandaj i ka shpallur atij luftë frontale.
“Qeveria Shqiptare është e vendosur që të fitojë betejën me krimin mjedisor. Ne jemi shumë të vendosur që të fitojmë betejën me ndërtimin pa leje. Siç jemi shumë të vendosur që të fitojmë betejën me dhunuesit e mjedisit që kërcënojnë seriozisht të ardhmen e vendit tonë. Tashmë që kemi shembur rreth 1000 ndërtime pa leje përmes Inspektoriatit Kombëtar Urbanistik, është shumë e qartë për të gjithë ne, se është koha për luftë frontale me këtë fenomen kriminal që e ka bërë Shqiperinë një vend unikal në Europë në këto njëzetë vjet. ”, tha ai më tej.
Pyetje: Sa i takon çështjes së INUK, që do të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme, çfarë parashikohet konkterisht, do të ketë atribute të Policisë Gjyqësore? A do të ristrukturohet dhe në varësi të kujt do të jetë, të Ministrisë apo Policisë së Shtetit?
Ministri Tahiri: Së pari më lejoni të vlerësoj punën e deritanishme të INUK, me paligjshmërinë masive të ndërtimeve pa leje. Gjatë kësaj kohe janë prishur më shumë se 1000 ndërtime pa leje, që është sigurisht shifër impresionuese, por që na bën të gjithëve të vetëdijshëm për përmasën reale të problemit dhe për vullnetin dhe forcën që duhet për të luftuar masivisht, në mënryë të menjëhershme, veprimtarinë e paligjshme të ndërtimeve pa leje dhe çdo krim mjedisor.
Dua t’ju bëj me dije që nuk bëhet fjalë për kalim mekanik të përgjegjësisë së INUK nga një Ministri në një Ministri tjetër, por bëhet fjalë për një reformë të plotë të ushtrimit të përgjegjësive, nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Shtetit, për të luftuar çdo veprimtari kriminale me ndërtimin pa leje.
Ndryshon rrënjësisht mënyra e funksionimit, bashkëpunimi institucional dhe mënyra e procedimit me çdo krim mjedisor dhe ndërtim pa leje.
Pra është një ndryshim radikal në qasje, në funksionim të institucionit në bashkëpunim ndërmjet instancave dhe autoriteteve në qendër dhe autoriteteve vendore, dhe gjithashtu në vullnetin për të trajtuar çdo ndërtim pa leje dhe krim mjedisor si veprimtari kriminale, të denjë për t’u proceduar penalisht dhe për t’u dërguar para drejtësisë, njëlloj si veprat e tjera penale.