Partia Demokratike ka denoncuar sot një ndërtim pa leje që sipas tyre është duke u ndërtuar pranë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Dajt.
Partia Demokratike paralajmëroi se qeveria po ndjek politika selektive me ndërtimet duke prishur ato të qytetarëve pa njohje dhe pa lidhje me oligarkinë, dhe duke lejuar ndërtesat e miqve, madje duke lejuar dhe ndërtime pa leje që po zhvillohen këto kohë.
Koordinatori Ervin Salianji ishte sot në vendin ku po ndodh një masakër e vërtetë ndaj mjedisit me ndërtimin pa leje.
“Dje Kryeministri tha që krimi ndaj mjedisit është një vrasje. Jemi sot këtu për të denoncuar një vrasje. Ky ndërtim pa leje bëhet nga njeriu më i afërt i Erjon Veliajt. Ditën për diell. 100 metra larg shtëpisë së kryeministrit. Kjo kodër e bukur që shihni pas meje ka qënë e gjelbëruar 3 muaj më parë, dhe për interesa klienteliste dhe korruptive të qeveritarëve, të njerëzve më të afërt të kryeministrit dhe nën bekimin e tij, ka marrë këtë pamje, duke u ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Banorët janë ankuar në institucionet qeveritare duke gjetur shurdhërinë e tyre. Partia Demokratike denoncon dhe do të denoncojë fuqimisht çdo politike selektive, prishje të ndërtimeve të njerëzve të pamundur dhe çdo ndërtim pa leje që bëhet me bekimin e kryeministrit, me mbrotjen e kryeministrit, dhe nën hundën e kryeministrit. Për të vetmen arsye sepse këta janë njerëzit e oligarkëve që lyejnë rrotën e qeverisë. Kjo është e vërteta Rama. Ky është standardi Rama”, u shpreh Salianji.
Koordonatori Sallianji shoqerohej nga banorë të zonës që janë të shqetësuar nga ndërtimi pa leje.