Home Aktualitet Kontrabanda e karburanteve, pranga tre doganierëve në Durrës

Kontrabanda e karburanteve, pranga tre doganierëve në Durrës

538
0

Tre doganierë janë arrestuar dje nga policia e Durrësit së bashku me katër shtetas të tjerë të akuzuar për kontrabandë nafte. Ata janë kapur në flagrancë teksa po transportonin më shumë se 51 mijë litra karburant në dy pika në qytetet e Fierit dhe Shkodrës. Operacioni është zhvilluar nga zyra e antikontrabandës në qytetin e Durrësit dhe mbante emrin e koduar “Siguria”. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dyshohet se në këtë skemë të kontrabandës së naftës janë të implikuar edhe persona të tjerë si nga ana e doganës së Durrësit, ashtu edhe nga ana e disa firmave private.

Hetuesit pohuan dje se në rrugë operative kanë mësuar një kontrabandën që kryhej në mjediset e sektorit të Porto Romanos në Durrës. Sipas të dhënave të tyre, autobote me karburant dilnin nga porti pa paguar detyrimet doganore dhe në këtë skemë ishin të implikuar punonjës të doganës së Durrësit. Pasi kanë mbajtur nën vëzhgim doganierët, hetuesit kanë pikasur tre prej tyre, përkatësisht të arrestuarit Selman Doçi, 43 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës, Ylli Troplini, 50 vjeç, doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës dhe Artur Mustafa, 36 vjeç doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës.

Hetuesit i kanë mbajtur nën mbikëqyrje të dyshuarit dhe gjatë orëve të vona të natës së datës pesë nëntor kanë pikasur dy autobote që po dilnin nga porti. Policia ka ndjekur autobotet deri sa ato kanë mbërritur në Fier dhe në Shkodër. “36.500 litra karburant janë transportuar me autobotin me targa “SH 8895 D”/ “SH 9037 D”, me destinacion një pikë karburanti në Shkodër. 15.000 litra karburant janë transportuar nga autoboti me targa “FR 0737 D” në një karburant në Fier. Gjatë këtij operacioni u konstatua se mjeti tip Benz me targa të Shkodrës kishte udhëtuar me dy targa të ndryshme. Njëra para, ndërsa tjetra e vendosur në pjesën e pasme të mjetit”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Durrësit.

Sipas tyre, autobotet me naftë janë shkarkuar në karburantet përkatëse në Fier dhe Shkodër e më pas janë nisur sërish drejt Durrësit. Në mëngjes ata kanë hyrë sërish në port për t’u mbushur sërish me karburant. Por gjatë kësaj kohe policia kishte verifikuar regjistrat e doganës së Portit të Durrësit dhe kishte konstatuar se dy mjetet kishin dalë pa paguar asnjë detyrim. Kur autobotet janë paraqitur sërish në port, drejtuesit e tyre janë arrestuar. “Shoferët e arrestuar janë Afrim Meçe, 38 vjeç drejtues i autobotit me targa “SH 8895 D” / “SH 9037 D” dhe Pellumb Metollari, 61 vjeç drejtues i autobotit me targa “FR 0737 D”. Përveç tyre janë arrestuar edhe Klodian Cullhaj, 35 vjeç agjent doganor në Porto Romano Durrës dhe Lauret Bega, 40 vjeç magazinier”,- thanë burimet zyrtare të policisë së Durrësit. Sipas tyre, ndaj të arrestuarve është ngritur akuza e kontrabandës së karburantit dhe dosja i është dërguar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të kryejë hetimet e mëtejshme.

 

Të arrestuarit

Selman Doçi, 43 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës

Ylli Troplini, 50 vjeç, doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës

Artur Mustafa, 36 vjeç doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës

Klodian Cullhaj, 35 vjeç agjent doganor në Porto Romano Durrës

Lauret Bega, 40 vjeç magazinier

Afrim Meçe, 38 vjeç drejtues i autobotit me targa “SH 8895 D” / “SH 9037 D”

Pellumb Metollari, 61 vjeç drejtues i autobotit me targa “FR 0737 D”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here