Kampionati italian është më i ndjekuri prej dekadash në Shqipëri dhe ndoshta, jo më kot, sportdashësit e tij janë shndërruar në tifozë të përfaqësueses “axurre”. Prej shumë vitesh, të gjithë kishin ëndërruar edhe zhvillimin e një miqësoreje mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila u bë realitet më 18 nëntor të vitit 2014, në stadiumin “Marasi” (ose “Ferraris”) të Xhenovas, në një atmosferë më shumë shqiptare, sesa italiane, duke parë interesimin e madh.
Dhe ndonëse në fund ajo sfidë përfundoi me fitoren minimale të Italisë (1-0, gol i Okakas), për të gjithë kuqezinjtë dhe dashamirësit e futbollit, fundi ishte një festë masive. Por pas një miqësoreje të ashtuquajtur luksi dhe një dëshire të vjetër, shorti i Botërorit “Rusi 2018″ i vuri sërish përballë këto dy përfaqësuese “mike”, duke parë se tashmë, përveç lojtarëve të shumtë shqiptarë që luajnë në Itali, kuqezinjtë stërviten nga Xhani de Biazi, duke e shndërruar këtë duel në një mini derbi, në pritje spektakolar, por që në fund do të jetë një duel i ashpër, duke qenë se në lojë basti është shumë i lartë, një biletë për në Kupën e Botës.
Rreziku më i madh për Italinë është Spanja, por media italiane është treguar shumë e kujdesshme në analizimin e kombëtares sonë, duke parë rritjen cilësore individuale dhe të lojës sonë, duke “na etiketuar” si një rrezik që nuk duhet nënvlerësuar.
“Gazzetta dello Sport” i ka bërë një profil të saktë dhe të analizuar mirë Shqipërisë së italianit të shqiptarizuar tashmë, Xhani de Biazit, duke paralajmëruar se kuqezinjtë e njohin më mirë Italinë sesa anasjelltas, me vetë trajnerin e “axurrëve”, Antonio Konten, i cili tregohet i matur kur flet për cilësinë e “shqiponjave”.
Konte na trembet
Menjëherë pas shortit në Shën Pjetërburg, Konte u ndal fillimisht te sfida me iberikasit, duke e quajtur një nder përballjen me ta, por dje kreu i pankinës së 4 herë kampionëve të botës ka korrigjuar “goditjen” e tij ndaj spanjollëve, ndërsa flet me superlativa për Shqipërinë. “Më duket se fjalët e mia pas shortit u shtrembëruan. Me gjithë respektin për Spanjën, ne jemi Italia, dhe nëse doni t’ju them, jam i kënaqur që do të mund të kem mundësinë që të përballem me ta në grup. Fundja, kemi shmangur kombëtare më të forta sesa Spanja, si për shembull, Gjermania. Shorti ka qenë i vështirë për ne, por ndoshta faj për këtë situatë kemi ne mbi të gjitha. Në të ardhmen duhet të jemi më të kujdesshëm, jo vetëm në zgjedhjen e kundërshtarëve, por edhe në vlerësimin që u bëjmë këtyre miqësoreve. Nëse për në ‘Rusi 2018′ duhet të vuajmë kaq shumë, është për faj të rezultateve tona të dobëta në të tilla sfida, – nënvizon Konte, që më pas ndalet te Shqipëria. – U ndeshëm me ta në miqësoren e Xhenovas dhe më lanë një përshtypje shumë të mirë. Për më shumë, së fundi kanë mundur edhe Francën dhe kjo nuk është diçka e vogël. Do të jetë bukur që të sfidohemi me ta, sepse në vetvete ky duel mund të quhet një derbi, duke parë se për shumicën e shqiptarëve, kombëtarja e dytë për të cilën bëjnë tifozllëk jemi ne, Italia”.
Faksimile e “Gazzetta dello Sport”, profil i Shqipërisë
Prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” i ka bërë një profil, duke u treguar shumë e kujdesshme mbi Shqipërinë, e cila drejtohet nga një trajner i mirënjohur vendas si Xhani de Biazi. Në argumentimin e tyre, ky burim e nis analizën me renditjen e Shqipërisë në vendin e 36-të, duke kujtuar se ky është jo vetëm pozicioni historik më i mirë për ne, por në të njëjtën kohë edhe rritjen fantastike, por progresive që kombëtarja jonë ka bërë në vitet e fundit, sidomos nën drejtimin e trajnerit italian. Nga ana tjetër, “Gazzetta dello Sport” nënvizon edhe faktin se sfida mes Italisë dhe Shqipërisë mund të quhet një derbi i vogël, duke qenë se shumë prej lojtarëve tanë, si Hysaj, Memushaj, Berisha, Basha, Çani dhe sidomos Cana e njohin mirë mentalitetin e futbollit “axurrë”, duke qenë pjesë e Serisë A prej shumë vitesh. Në fund, rikujtohet edhe precedenti i vetëm mes këtyre dy përfaqësueseve, ai i 18 nëntorit 2014, kur në Xhenova sfida u vendos nga një goditje me kokë e Okakas, për fitoren italiane, 1-0.