Home Sport Kombëtarja e Portugalisë kërkon ndihmën e Hoze Murinjos

Kombëtarja e Portugalisë kërkon ndihmën e Hoze Murinjos

750
0

Trajneri aktual i Realit të Madridit gjithmonë e ka shprehur dëshirën që një ditë të drejtojë kombëtaren e vendit të tij, Portugalinë. Por një dëshirë të tillë ai ka thënë se kërkon ta realizojë në një të ardhmen të largët, kur të jetë rreth moshës 60 vjeçare dhe të ketë arritur të fitojë sa më shumë në nivel klubesh dhe gjithmonë me skuadra të ndryshme. Por duket se drejtimin e kombëtares do ta marrë më shpejt nga se ai e kishte menduar, pasi është kombi i tij që këtë herë ia kërkon si ndihmë, të paktën për dy ndeshjet e radhës në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë, pasi Portugalia ka bërë një nisje zhgënjyese duke regjistruar një humbje dhe një barazim në dy ndeshjet e para, prandaj derisa Federata të gjejë pasardhësin e Keiroz, kërkojnë që Hoze Murinjo të jetë në timonin e kombëtares për të paktën dy ndeshje.
Portugalia kërkon ndihmën e Murinjos
Federata Portugeze e Futbollit do t’i bëjë një kërkese Hoze Murinjos për të drejtuar kombëtaren në dy ndeshjet eliminatore përballë Danimarkës dhe Islandës më 8 dhe 12 tetor. Portugalia e ka nisur në mënyrën më të keqe aventurën drejt Euro 2012-ës, teksa ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para. Kjo solli edhe shkarkimin e trajnerit Karlos Keiroz. Për të mos rrezikuar që Europianin e ardhshëm futbollistët portugezë ta ndjekin nga televizioni, federata ka menduar t’i propozojë Murinjos drejtimin e skuadrës në dy sfidat e ardhshme, tepër të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme në grup. Kreu i futbollit portugez, Xhilberto Madail, do të takohet me agjentin e trajnerit, Horge Mendes, me shpresën që ky i fundit të bindë “të Veçantin” t’i thotë “po” kërkesës. Marrëdhëniet e mira mes federatës portugeze dhe asaj spanjolle mund të ndikojnë pozitivisht në vendimin e Murinjos. Dy vendet kanë prezantuar kandidaturën për organizimin e Kampionatin Botëror të vitit 2018 dhe një mospjesëmarrje e mundshme e Portugalisë në Euro 2012, do të ndikonte negativisht në mundësinë e kandidaturës së dy federatave iberike. Gjithsesi, fjala e fundit i takon vetë Murinjos, por edhe klubit spanjoll, nëse do t’ia japin mundësinë atij që të drejtojë njëkohësisht Realin e Madridit dhe kombëtaren luzitane, prandaj në mes është edhe klubi madrilen.
“Trajner i Milanit? E vështirë, por…”
Ndërkohë që flitet për një ftesë në kombëtaren portugeze, gazetarët vazhdojnë të pyesin Murinjon për ndonjë mundësi kalimi te skuadra e Milanit si trajner, pasi të gjithë e dinë se atij i pëlqejnë sfidat e reja. Vetë tekniku thotë se asgjë nuk është e pamundur, por nuk beson të drejtojë kuqezinjtë, edhe se për ta ka një respekt të madh. “Unë si Zlatan? Për mua të drejtoj Milanin do të ishte tepër e vështirë pasi jam i dashuruar me Interin dhe me gjithë familjen zikaltër”. Fjalë dashurie për tifozin Murinjo i cili në mikrofonat e “Mediaset Premium” duket skeptik për idenë e kalimit të tij në drejtimin e “djallit”. Por gjithsesi për portugezin, dyert nuk duhen mbyllur kurrë. “Në futboll kurrë nuk duhet thënë kurrë. Në vitet e mia në Itali, Milani ka qenë një rival jo një armik. Kam pasur marrëdhënie të mira me ta, por të më shikosh si trajner në stolin kuqezi, duket e vështirë”. Për gjendjen e kampionatit italian këtë vit Murinjo shprehet: “Është e vërtetë që Inter barazoi në ndeshjen e parë, por duhet parë progresi i skuadrës. Nuk besoj se ata do të kenë ndonjë problem, për më tepër, duke parë çfarë bëri Roma dhe Milani, çdo gjë mund të ndodhë”, është shprehur ”Special One”.
Tension te Roma, Toti: Nuk mund të luajmë vetëm në mbrojtje

Sezonin a kaluar skuadra e Romës, ishte një nga ekipet që kishte më shumë harmoni si ekip. Të gjithë ishin të bashkuar dhe mbështesnin njëri-tjetrin, duke filluar që nga drejtuesit e klubi, trajneri e deri te lojtarët. Harmonia në grup, ishte arma e tyre kryesore, të cilët arritën të rivalizojnë Interin në të gjitha kompeticionet kombëtare, si Kampionat, ashtu edhe Kupë e Superkupë, megjithëse nuk fituan asgjë. Por sezoni i ri duket se nuk ka nisur në mënyrën e duhur për verdhekuqtë, të cilët si fillim humbën ndeshjen e Superkupës përballë zikaltërve. Më pas në javën e parë të Serisë A, barazuan me Çezenën dhe një javë më pas do të “shkatërroheshin” 5-1 nga Kaljari. Por rezultatet negative nuk mbarojnë këtu, pasi të mërkurën në mbrëmje, në ndeshjen e parë në grupe të Ligës së Kampioneve do të humbisnin 2-0 në “Alianz Arena” ndaj Bajernit të Mynihut. Por tani duket se diçka nuk shkon mirë në skuadër. Duket se ka tension, i cili është shfaqur pikërisht në humbjen kundër bavarezëve, dhe ai që e ka shfaqur i pari ka qenë kapiteni Toti, dhe kjo jo për humbjen por më shumë për mënyrën se si skuadra e tij ka luajtur. “Ndoqëm rregullin e futbollit “katenaçio”, gjithë ndeshjen duke u mbrojtur. Asnjë gjuajtje në portë. Nuk mund të luhet kështu pasi do jetë e vështirë t’i fitojmë ndeshjet”, është shprehur “flamuri” i verdhekuqve. Nga ana tjetër, trajneri Ranieri nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë deklaratë, duke thënë: “Nuk di asgjë dhe nuk komentoj”. Klubi ka zgjedhur heshtjen e shtypit të paktën deri në ndeshjen kundër Bolonjës.
Van Gal në një mendje me Totin: Roma luajti vetëm në mbrojtje

Trajneri holandez i Bajernit të Mynihut ka shprehur rezerva mbi mënyrën e lojës së Romës, kundërshtarit të bavarezëve në sfidën e së mërkurës në mbrëmje në Ligën e Kampionëve. Ai tha se verdhekuqtë luajtën si anteri në finalen e vitit të kaluar, në një lojë të përqendruar në mbrojtje. “Roma luajti si Interi, në finalen e kaluar të Champions League, me dhjetë lojtarë prapa në mbrojtje. Nëse ju e pëlqeni këtë mënyrë të luajturi, mua nuk më pëlqen fare”, deklaroi Van Gal pas ndeshjes së fituar 2-0 ndaj skuadrës së drejtuar nga Klaudio Ranieri, i cili vazhdon: ”E vetmja që shpëton është Fiorentina e Prandelit, vitin e kaluar”. Në përballjen e mbrëmjes së mërkurë në “Alianz Arena”, skuadra e Ranierit i rezistoi për 78 minuta presionit të Bajernit të Mynihut, duke aplikuar një lojë mbrojtëse. Kjo taktikë rezultoi vetëvrasëse për verdhekuqtë, të cilët përballë kishin lojtarë si Myler apo Klose, të cilët ditën se si ta zhbllokonin ndeshjen.
Van der Vart i pafat, i padisponueshëm për ndeshjen e nesërme

Mesfushori i Totenhemit, holandezi Rafael van der Vart mund të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Uollverhampton Uanderers, që do të luhet nesër, për shkak të një dëmtimi në pulpë të këmbës. Lojtari 27-vjeçar paraqitjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve për “Spërsat” e bëri duke 2-2 me Verder Bremenin, por ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë, dhe ishte pikërisht ai që dha krosin për golin e shënuar nga Peter Krauç. U duk se holandezi kishte gjetur lumturinë e tij, pas largimit nga Reali ku kohën më të madhe e kaloi në stol, por përsëri nuk është me fat që të aktivizohet, këtë herë për shkak të dëmtimit. Ish-lojtari madrilen nuk mundi ta përfundoi ndeshjen pas dëmtimit të pulpës së këmbës, për të cilin raportohet se nuk është i natyrës serioze. Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se dëmtimi i pësuar në Bremen ka gjasa ta lërë mesfushorin jashtë ekipit për ndeshje e radhës në Premier League, e cila do të luhet të shtunën kundër “ujqve”.

Sulmuesi suedez replikon me ish-trajnerin kuqezi në lidhje direkte
Ibrahimoviç, “sherr” me Arrigo Sakin pas ndeshjes me Okser

Zlatan Ibrahimoviç është paraqitur mjaft i kënaqur me veten dhe skuadrën, pas fitores ndaj Okser në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi suedez shënoi të dy golat e fitores për kuqezinjtë, të dy në pjesën e dytë të ndeshjes në një distancë kohore prej tre minutash, në të 66-ën dhe 69-ën. Gjithashtu ai ka përgëzuar shokët e skuadrës për një pjesë të dytë të shkëlqyer, sipas tij. “Ne vuajtëm presionin e kundërshtarit, por ishte një pjesë e dytë e përkryer. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Pas pushimit, fokusi ynë ndryshoi dhe ne luajtëm shumë më mirë se në pjesën e parë. Kjo ishte ndeshja ime e parë në “San Siro” me Milanin dhe vërtet doja të paraqitesha mire, dhe mendoj se e bëra një gjë të tillë. Unë gjithmonë dua të fitoj”, ka thënë Ibra. Por pas fjalëve të mira, Ibra do të nxirrte edhe disa të hidhura në drejtim të Sakit, që duket se nuk e kanë shumë për zemër njëri-tjetrin.
“Saki të mbyllë gojën”
Ish-trajneri i Milanit dhe kombëtares italiane, Arrigo Saki, ka marrë përgëzime nga trajneri i skuadrës franceze të Okser, Zhan Fernandez, por nuk i ka ndodhur e njëjta gjë me sulmuesin suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka lëshuar një sulm verbal ndaj tij. Por shtatlarti kuqezi njihet si një lojtar, që nuk i kursejn fjalët dhe atë që ka e thotë pa pasur komplekse. Protagonist është Arrigo Saki, një figurë e nderuar e Milanit dhe ish-trajner i Italisë nënkampione e botës në 1994-ën. Në një lidhje direkte televizive në rrjetin “Mediaset Premium”, kanë plasur zënkat në transmetim direkt. Fillimisht i kanë thënë suedezit nga studio: “Saki tha që nëse nuk do kishe numrin e këmbës 47, nuk do kishe shënuar golin e parë”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi sulmuesit duke thënë: Saki duhet të mësojë të mbyllë gojën. Edhe ai duket xheloz për mua pasi po flet shumë. Duhet të flasë më pak në televizione dhe gazeta. Nëse ai ka diçka me mua duhet të vijë te unë”, u shpreh Ibrahimoviç. Më pas është përsëri Saki, i cili kërkon të ulë tensionin, duke thënë se ishte një kompliment: “Shiko… unë të bëra një kompliment”, thotë ish-trajneri. Por numri 11 i kuqezinjve ka edhe disa gjëra të tjera për t’i thënë: ”Faleminderit… Por ti ke folur edhe kur unë isha te Barcelona. Kur dikush flet shumë, kjo duket. Ti je një nga ata. Nëse nuk të pëlqen loja ime, atëherë mos më shih”, u shpreh Zllatan në drejtim të Arrigo Sakit, pas përfundimit të ndeshjes.
Alegri: Mësuam nga Çezena
Ndërkohë që në lidhje me ndeshjen, trajneri i kuqezinjve, Masimiliano Alegri, është shprehur mjaft i kënaqur për fitoren dhe për paraqitjen e skuadrës në Champions League. Kjo ishte ndeshja e parë e tij në një eveniment të tillë, si trajner dhe si lojtar, dhe për këtë ai nuk i fshehur emocionet. Gjithashtu ai shprehet i kënaqur që skuadra ka “vënë mend” pas humbjes me Çezenën në javën e dytë të Serisë A. “Më pëlqeu durimi që ekipi e tregoi gjatë kësaj ndeshje. Okser u paraqit mirë në pjesën e parë, por edhe ne kishim disa shanse për të kaluar në avantazh, por gjithashtu kemi rrezikuar që të ndëshkohemi me kundërsulme. Ishte një ndeshje identike si ndaj Çezenës, por fatmirësisht ata gabuan në gjuajtjen e fundit. Por pasi kaluam në avantazh, ekipi ishte më i lirshëm, edhe pse në pesë minutat e fundit, ne duhej ta mbanim topin më mirë”, tha Alegri për “Sky Italia”.
Gjigantët e Serisë A, në garë me njëri-tjetrin për Geret Beil

Merkato është mbyllur prej disa javësh, por asnjë klub nuk ka ndërmend që të qëndrojnë pushim. Këtë gjë bëjmë edhe Milani dhe Juventusi, të cilët përgatisin terrenin që sapo të hapet merkatoja e janarit të hidhen në sulm për përforcimet e mundshme. Për momentin flitet se klubet më të mëdha të Serisë A, janë të interesuara për mesfushorin e Totenhemit, Geret Beil, për të cilin mund të veprojnë në merkaton e dimrit. Mesfushori 21-vjeçar po vijon të tregojë një formë të shkëlqyer që ka filluar të spikasë që sezonin e kaluar me fanellën e “gjelave” dhe vazhdon edhe në këtë sezon, duke u shndërruar në një nga objektivat kryesorë për klubet evropiane. Prej kohësh, Hoze Murinjo është një nga admiruesit e tij kryesorë, ndërkohë që sipas “Italsportpress”, madrilenëve i është shtuar edhe treshja italiane Inter-Milan-Juventus. Interi nuk bëri asnjë blerje në verë, dhe do të tentojë gjithçka në janara, ndërkohë që Juventusi është në një fazë ndërtimi dhe kërkon të ketë sa më shumë lojtarë. Por edhe Milani nëse dëshiron të blejë mund t’ia arrijë qëllimit. Në maj, mesfushori i majtë rinovoi edhe për katër vjet të tjera kontratën me Totenhemin. Kjo do të thotë që klubi i Premier Ligës, që këtë sezon është ndërmjet garuesve për Ligën e Kampionëve, do të kërkojë një dorë të mirë parash për ta lënë të lirë futbollistin e talentuar, por vlera e tij rritet akoma më shumë duke parë që shumë skuadra të mëdha rivalizojnë njëra-tjetrën, dhe duhet të rrisin ofertën për të mposhtur konkurrencën.
Milani fiton kundër francezëve, por humb Paton dhe Ambrozinin

Jo gjithçka ka shkuar mirë për Milanin gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve, edhe pse sfida u fitua prej tyre dhe arritën të marrin tre pikë, që janë mjaft të rëndësishme, por humbën dy lojtarë të formacionit titullar. Aleksandre Pato dhe Masimo Ambrozini kanë pësuar dëmtim në ndeshjen e së mërkurës bë mbrëmje kundër Okserit dhe nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Alegri në ndeshjen e radhës në Serinë A, por mund të mungojnë edhe në ndeshjen e Champions League në Amsterdam, ndaj Ajaksit. Kontrollet e djeshme nga mjekët e Milanit kanë evidentuar një tërheqje në këmbën e majtë për sulmuesin brazilian. Sulmuesi 20-vjeçar parashikohet të qëndrojë jashtë fushës rreth 20 ditë. Por afërsisht po kaq kohë do t’i duhet edhe mesfushorit Masimo Ambrozini, i cili pësoi një dëmtim në gjurin e majtë gjatë sfidës së fituar 2-0 ndaj francezëve. Sipas njoftimit të klubit, Ambrozini pritet të qëndrojë jashtë rreth tre javë.
Arsen Venger synon të përforcojë skuadrën me lojtarë gjermanë

Skuadra e Venger, arriti që të realizojë një fitore tenistike yë mërkurën në mbrëmje kundër portugezëve të Bragës, duke shënuar gjashtë gola në portën e tyre dhe duke zhvilluar një lojë me të vërtetë të bukur. Arsenali është një nga skuadrat më spektakolare dhe me moshën më të re në Premier League, politikë kjo e ndjekur prej vitesh nga trajneri Arsene Venger. Por tekniku francez kërkon ta vijojë këtë punë, duke menduar për të bashkuar me skuadrën e tij, një tjetër talent. Bëhet fjalë për gjermano-boshnjakun Marko Marin, aktualisht në radhët e Verder Bremen, i cili ishte pjesë e kombëtares gjermane në Botërorin e Afrikës së Jugut, edhe pse nuk u aktivizua shumë minuta. Një tjetër objektiv është portieri i Shalke 04, Manuel Nojer dhe mbrojtësi i ri Benedikt Hovedes. Operacioni i trefishtë mund t’i kushtojë Arsenalit 21.5 milionë euro. Të interesuar për Marin janë edhe Barcelona, Bajern Mynih dhe Mançester Junajtid.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here