Dy komando shqiptarë janë vrarë pas një sulmi të ndodhur sot në Afganistan. Ngjarja ka ndodhur në Kandahar, në orën 15:05, ku në drejtim të komandove të Kontingjentit “Eagle-4”, është hapur zjarr prej efektivëve të policisë afgane, sic njofton ministria e Mbrojtjes.
Komandët e vrarë janë Kapiten Feti Vogli, 31 vjec nga fshati Shpat i komunës Baldushk në Tiranë dhe specialisti i armatimit Aleksandër Peci 23 vjec nga Lekbibaj i Tropojës, të cilët fillimisht morën plagë të rënda, ndërsa më pas humbën jetën në spital.
“Në fshatin Robot 2, Kandahar Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri Vogli, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës, “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policísë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.
Po sipas njoftimit të ministrisë, gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4″
të cilët më pas humbën jetën në spital. Ndërkohë që mësohet se janë arrestuar 11 policët afganë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tona.
Kjo është hera e parë që dy komando shqiptarë, pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s humbin jetën në misionet paqeruajtëse në Afganistan.