Për shkatërimin e grupit kriminal që prej vitesh është kthyer në mankthin e policisë së Gjirokastrës dhe kultivuesin më të madh të drogës që eksportohet në vendet e BE, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë menduar 6 muaj më parë. Që prej ditëve të para të janarit të këtij viti, Krimet e Rënda, kanë nisur hetimet me qëllim identifikimin, krijimin e provave materiale dhe arrestimin e personave të këtij grupi kriminal.
Bëhet fjalë për rreth 40 persona që janë mbajtur në vëzhgim dhe përgjim telefonik, ku është kontrolluar me shumë vëmëndje pozicioni i tyre në kultivimin e drogës dhe trafikimit të saj, drejt Greqisë dhe Italisë. Hetimet për këtë çështje janë ndjekur nga prokurorët Anton Martini dhe Përparim Kulluri, të cilët thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se janë duke koordinuar shumë veprime me policinë kriminale, njëherësh janë nxjerrë dhjetëra Urdhëra-Arresti dhe urdhëra për kontrollin e banesave.