Tre kandidatët e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për në Gjykatën e Lartë nisin sot maratonën e tyre në Komisionin e Ligjeve, ku ata do të përballen me seancat dëgjimore para deputetëve. Në Komision ka mbërritur një dosje voluminoze për tre kandidatët, duke përfshirë edhe përgjigjet me shkrim për 28 pyetje që kanë kërkuar deputetët, kryesisht ata të maxhorancës. Kandidatët për në Gjykatën e Lartë u janë përgjigjur këtyre pyetjeve në mënyrë të hollësishme, duke përfshirë që nga karriera e tyre, por edhe vlerësime për ligje apo mendime për reformën në gjyqësor. Në 28 pyetje të tre kandidatët kanë mohuar që të kenë pasur presion të jashtëm në detyrën e tyre, si dhe mohojnë që mund të ketë pasur lobim politik në përzgjedhjen e tyre. Pyetjes nëse ata kanë dhënë vendime politike para viteve ’90, ata i janë përgjigjur me një “jo”, përjashto kandidaturën e Vexhi Muçmatës, i cili shprehet se nuk mban mend konkretisht ndonjë rast politik në detyrën e tij si hetues para viteve ’90. Por kandidatët kanë dhënë edhe mendime për imunitetin e gjyqtarëve, duke pranuar të tre se ai duhet të hiqet dhe të ndërhyhet në Kushtetutë. Një pyetje tjetër ka qenë edhe për ligjin Antimafia, për të cilin të tre kandidatët e vlerësojnë, por që theksojnë se duhet të ketë zbatueshmëri të saktë të atij ligji. Kandidatët kanë folur edhe për punën e Gjykatës së Lartë, nga ku kanë pranuar praktikat e mira, por nuk kanë kursyer të japin edhe mendimet e tyre për përmirësimin e situatës. Ata pranojnë se sistemi i drejtësisë në tërësi duhet të reformohet, ndërsa pranojnë edhe ekzistencën e korrupsionit në organet e gjyqësorit. Për sa i përket pyetjes nëse ata kanë pasur konflikte interesi në detyra e tyre të mëparshme, të tre kandidatët e përjashtojnë duke thënë se nuk kanë pranuar që të ndikohen as nga të afërmit e tyre në dhënien e vendimeve.
Pyetjet e deputetëve drejtuar kandidatëve
A keni pasur presione në ushtrimin e detyrës tuaj? Si keni vepruar? A mund të na jepni shembuj konkretë?
Medi Bici: Pavarësisht se gjatë karrierës sime rreth 17-vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar, kam nënshkruar tri dënime me vdekje dhe shumë burgime të përjetshme, nuk kam pasur asnjë lloj presioni. Mendoj se kanë qenë dy, arsyet kryesore: korrektësia me të cilën i zhvilloj proceset gjyqësore, cilësia e vendimeve e arsyetimit. Si dhe shpejtësia në dorëzimin e vendimeve në sekretarinë gjyqësore, duke mos u krijuar vështirësi palëve gjyqhumbëse për t’u ankuar brenda afateve në gjykatat më të larta.
Sokol Çomo: Mendoj se duhet bërë dallimi midis presionit dhe ndërhyrjes që mund t’i bëhet një funksionari publik për të ndikuar në mënyrën e ushtrimit të detyrës. Më ka qëlluar që ndonjë rast të veçantë në veprimtarinë time të përballem me ndërhyrje të shkove, miqve, kolegëve, të afërme, por nuk kam lejuar që ato të ndikojnë në zbatimin me korrektesë të detyrave ligjore.
Vexhi Muçmata: Nuk kam pasur presione në asnjë rast në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve që kam kryer.
Në dijeninë tuaj, a ka pasur lobim politik nga forca politike apo të ndonjë natyre tjetër gjatë përzgjedhjes së kandidaturës suaj?
Medi Bici: Në rastin e kandidaturës sime, jo vetëm nuk ka pasur lobingje politike, ekonomike etj., por mendoj se përzgjedhja është bërë ekskluzivisht mbi bazën e meritës dhe si një vlerësim për arritjet e mia në karrierën gjyqësore.
Sokol Çomo: Nën përgjegjësinë time personale etike e morale deklaroj se nuk kam iniciuar dhe nuk kam kërkuar nga ndonjë parti politike apo subjekt krimin e ndonjë lobingu që do të ndikonte në përzgjedhjen time. Nuk jam në dijeni të faktit se ndonjë forcë politike apo ndonjë subjekt tjetër të ketë bërë lobim jashtë vullnetit tim.
Vexhi Muçmata: Nuk ka pasur ndonjë lobin nga forca politike apo të ndonjë natyre tjetër në procesin e përzgjedhjes së kandidaturës sime.
A keni dhënë gjatë karrierës tuaj në sistemin e drejtësisë vendime, apo kryer hetime për vepra penale të një natyre politike, para viteve 1990?
Medi Bici: Karriera ime gjyqësore i ka fillesat e saj në fund të vitit 1993, pra me vendosjen e sistemit politik shumëpartiak dhe nuk kam marrë pjesë në vendimmarrje, ose strukturë hetimi të mëparshëm.
Sokol Çomo: Studimet në Fakultetin e Drejtësisë i kam filluar në shtator të vitit 1990 dhe i kam përfunduar në qershor të vitit 1994. Karrierën time profesionale në sistemin gjyqësor e kam filluar në vitin 1995. Në këto kushte, para viteve ’90 nuk kam dhënë asnjë vendim për vepra penale të një natyre politike.
Vexhi Muçmata: Për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, nuk jam në gjendje të kujtoj saktësisht nëse kam hetuar apo jo vepra penale të një natyre politike të parashikuar në legjislacionin e kohës. Megjithatë, për shkak të detyrës së hetuesit dhe funksioneve procedurale që ngarkonte Kodi i Procedurës Penale nuk kam pasur vendimmarrje për akte kryesore, që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore, siç është vendosja e masës së arrestit, përfaqësimi i akuzës në gjykatë, kërkesa për fajësi, masë dënimit etj., pasi këto ishin funksione procedurale të prokurorit.
A keni dhënë vendime apo ndërmarrë veprime në kushtet e konfliktit të interesit në detyrën që keni mbajtur?
Medi Bici: Në asnjë rast nuk kam marrë vendime gjyqësore të tilla, por as kam kryer konflikt interesi në funksionin e gjyqtarit. Në çdo rast, kur kanë ekzistuar kushtet ligjore për të mos marrë pjesë në gjykim, kam i qenë gatshëm për të paraqitur heqjen dorë nga gjykimi i çështjeve.
Sokol Çomo: Gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore nuk kam dhënë asnjë vendim apo ndërmarrë veprime në kushtet e konfliktit të interesit.
Vexhi Muçmata: Nuk kam dhënë vendime apo kryer veprime që kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesit në detyrat dhe funksionet që kam pasur.
Cili është mendimi juaj për çështjen e imunitetit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë? A duhet të hiqet apo të kufizohet ai dhe si?
Medi Bici: Unë mendoj se imuniteti i gjyqtarëve duhet të kufizohet në dy raste. Përfshirja e tyre në veprime korruptive dhe në kryerjen e veprimeve që disktretitojnë figurën e gjyqtarit. Për të arritur këtë duhen të bëhen ndryshime në Kushtetutë, por mund të bëhet edhe duke bërë ndryshimet e duhura në ligjet organike.
Sokol Çomo: Mendoj se imuniteti më i mirë për çdo gjyqtar është respektimi i ligjit. Për sa i përket imunitetit ligjor, mendoj se ai mund të hiqet ose të kufizohet duke u trajtuar së bashku me heqjen ose kufizimin të imunitetit të të gjithë funksionarëve që e gëzojnë atë me Kushtetutë dhe ligj.
Vexhi Muçmata: Mendoj se çështja e imunitetit është zgjidhur nga Kushtetuta, është Kuvendi ai që jep miratimin për ndjekjen penale të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Dihet që imuniteti është një pengesë për organin procedues në kryerjen e veprimeve.
A mendoni se makinat shtetërore me shofer të paguar nga shteti janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të ushtruar detyrën e gjyqtarit në
Gjykatën e Lartë?
Medi Bici: Dua të theksoj se pasja ose jo e një makine nuk ndikon pozitivisht ose negativisht në kryerjen e funksionit.
Sokol Çomo: Mendoj se transporti me automjete shtetërore në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është i nevojshëm dhe i domosdoshëm vetëm në ditë të caktuara të veprimtarisë së tyre.