TIRANE – Gjykata e Tiranës nuk mundi të zhvillonte normalisht dje seancën e radhës të procesit gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve në proces. Gjatë prezantimit të palëve nga ana e kryesuesit të seancës, gjyqtarit Ridvan Hado, u vu re mungesa e avokatëve Behar Bibero, Alfred Balla dhe Sokol Shazi, mungesa e të cilëve linte pa mbrojtje katër të pandehur. Në të tilla kushte nga përfaqësuesit e prokurorisë në proces u vlerësua se nuk mund të veprohej me zëvendësimin e avokatëve dhe për rrjedhojë seanca duhet të shtyhej. Në vijim gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit e arrestuar. Ndërkohë, mbrojtës ligjor i të pandehurit të arrestuar Mihal Delijorgji, njëkohësisht kreu i Dhomës së Avokatisë, avokati Maks Haxhia, sugjeroi para gjykatës se nga ana e saj duhet të caktohen disa avokatë kryesisht, të cilët duhet të njihen me dosjen. Sipas avokatit Haxhia, këta mbrojtës të përdoren nga gjykata për të zëvendësuar mbrojtësit që mungojnë, në mënyrë që të mos shtyhen seancat gjyqësore. Aktualisht shqyrtimi i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitarët e seancave të fundit kanë qenë ish-punonjës të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kohës kur janë ndërmarrë praktikat ligjore për ndërtimin e më pas vijimin e punës në Gërdec