Në përpjekje për të larguar nga vendi azilkërkuesit ose për t`i bindur ata që të largohen vetë, institucionet gjermane të niveleve të ndryshme kanë mundësi për “zgjidhje kreative”.
Kështu, qarku i Lorrachut (landi jugor Baden Württemberg) ka marrë iniciativën që përmes parave të josh shqiptarët dhe ballkanasit tjerë që të marrin rrugën e kthimit në vendet e tyre.
Ata refugjatë që e tërheqin kërkesën e tyre për azil dhe marrin vendimin për t`u kthyer prej nga kanë ardhur, Lorrach i shpërblen me një ndihmë financiare për kthim. Sigurisht, ky program ka të bëjë vetëm me refugjatët ballkanikë, shkruan 24.de.
Ai që tërheq kërkesën e azilit dhe veç kësaj nënshkruan marrëveshjen se as në vitet e ardhshme nuk do të bëjë kërkesë të re për azil, përfiton 600 euro dhe një këshillim për kthim, ka deklaruar një zëdhënës i autoritetit të qarkut për mediet gjermane, transmeton albinfo.ch.
Sipas tij, ky model mundëson kursim të mjeteve dhe lirim të vendeve për strehim në qendrat e azilit.
Qarku i Lorrachut deri më tash ka shpenzuar rreth 65 mijë euro për programin e kthimit. 107 persona kanë shfrytëzuar këtë ofertë dhe gjatë javëve në vijim do të kthehen në vendet e tyre me autobusë. Ndërsa, ofertat e ngjashme për kthim që ishin bërë në nëntor dhe në shkurt, i kishin shfrytëzuar 141 persona. Kështu, autoritetet “menaxhimin e kthimit” e konsiderojnë si një sukses të tyre.
Por, nuk është vetëm qarku i Lorrachut që ka bërë një përvojë të tillë. Në qarkun Biberach kjo praktikë ekziston edhe më gjatë. Atje madje autoritetet janë edhe më “zemërgjera”: për një të rritur që vendos të kthehet japin nga 2000 euro dhe për fëmijët nga 1000 euro, përcjell albinfo.ch.
Ndërkaq, parti dhe qarqe të ndryshme në Baden Württemberg dhe në Gjermani janë shumë kritikë ndaj kësaj praktike. Sipas tyre, ky është një element joshjeje më shumë për të sjellë në Gjermani edhe më shumë refugjatë tjerë që marrin vesh për këtë stimulim.