Home Aktualitet Gjykata jep vendimin per ndarjen e Pirro Cakos me Inva Mulen. Inva...

Gjykata jep vendimin per ndarjen e Pirro Cakos me Inva Mulen. Inva merr kujdestarine e djalit

762
0
Lidhja bashkëshortore mes sopranos me famë botërore, Inva Mula dhe kantautorit Pirro Çako mori fund dje edhe zyrtarisht. Pas nëntëmbëdhjetë seancash gjyqësore, Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin përfundimtar të zgjidhjes së martesës mes të dyve, tashmë “ish-bashkëshortë”. Vendimi u dha nga gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Elona Gjoka, e cila shqyrtoi çështjen nga fillimi i saj. Sipas vendimit, kujdestaria e djalit të lindur nga çifti i famshëm Çako-Mula do të jetë e sopranos Mula. Po sipas vendimit, gjykata detyron kantautorin Çako të paguajë një tarifë mujore prej 10 mijë lekësh për djalin e tij. Për takimet mes Pirro Çakos dhe djalit të tij, gjykata lejoi që ato të ndodhin sa herë që i mituri ka mundësi dhe kohë. Gjatë shpalljes së vendimit, në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm asnjë nga anëtarët e çiftit që po divorcohej, ndërsa morën pjesë vetëm avokatët e tyre mbrojtës. Vendimi u shpall pasi gjykata u njoh edhe me konkluzionet përfundimtare të palëve në proces.
SEANCA
Seanca e djeshme “mbylli kapitullin” e shqyrtimit gjyqësor të kërkesë-padisë së sopranos Inva Mula, për zgjidhjen e martesës me kantautorin Çako në Gjykatën e Tiranës. Ashtu siç ishte shtyrë një seancë më parë, ditën e djeshme palët paraqitën përpara gjykatës pretendimet përfundimtare të tyre me shkrim. Kujdestaria e djalit pas ndarjes ligjore të çiftit, si pjesa më delikate e procesit, ishte edhe dje kryeargumenti i pretendimeve të fundme. Ndërkohë që pak seanca më parë, i mituri, i pyetur nga gjykata zgjodhi të qëndronte me sopranon, pas divorcit të prindërve të tij. Burime brenda seancës, sqaruan se avokatët i palës paditëse, në këtë proces Inva Mula, pretenduan se kujdestaria e fëmijës i takonte klientes së tyre. Sipas avokatëve, arsye ishte moskontributi i dhënë në të kaluarën nga ana e kantautorit. Po sipas tyre, i mituri ka lindur në Francë, ku po studion dhe aty ai ka rrethin e tij shoqëror. Ndërkohë nga pala e paditur, në këtë proces kantautori Pirro Çako, pretendoi dje se gjykata duhet të shqyrtonte edhe njëherë vendimin e ndërmjetëm për kujdestarinë prindërore. Avokati i Pirros pretendoi, sipas burimeve, një kujdestari të përbashkët të fëmijës. Në pretendimet e tyre, avokati i është referuar edhe raportit të psikologëve të sjellë në gjykatë në seancat e mëparshme, sipas të cilit “më e mira për fëmijën ishte kujdestaria e përbashkët prindërore”. Në përfundim, gjykata shpalli verdiktin përfundimtar, që i dha të drejtën e kujdestarisë sopranos Mula.
PROCESI
“Për shkak të largësisë në të cilën jetojmë, martesa jonë nuk ka më kuptim”. Me këtë argument sopranoja Inva Mula u drejtua në Gjykatën e Tiranës, në prill të vitit 2009, me një kërkesë-padi ku kërkonte zgjidhjen e martesës me bashkëshortin e saj Pirro Çako.Në seancat e para, i padituri Çako shfaqi “pavendosmëri” në lidhje me divorcin, duke sjellë argumente para gjykatës se “të jetuarit larg njëri-tjetrit ishte një mënyrë jetese e zgjedhur nga vetë bashkëshortët dhe kjo nuk përbënte shkak për të quajtur jo-funksionale martesën mes tyre”. Në vijim procesi “rrodhi” në 19 seanca, që prej seancës së parë më 22 prill të vitit 2009, e deri në atë të djeshmen, që ishte përfundimtarja.
“Pika e nxehtë”, kujdestaria e djalit
Kujdestaria e fëmijës së lindur nga lidhja e tyre martesore ishte “pika më e nxehtë” e procesit të divorcit mes dy këngëtarëve. Fillimisht, të dy palët pranuan ta zgjidhnin vetë kujdestarinë, por pasi nuk ranë në kompromis, ia lanë sërish në dorë gjykatës. Në vijim, gjykata caktoi disa psikologë të “studionin” kujdestarin më të mirë prindëror, ndërsa kërkoi në gjykatë edhe vetë mendimin e të miturit. Në seancën e 15 majit, i mituri pohoi para gjykatës se pas divorcit të prindërve donte të jetonte me nënën e tij në Paris, Francë.
Inva Mula
Pala paditëse në divorcin Çako-Mula, në rastin në fjalë  sopranoja Mula, pretendoi para gjykatës kujdestarinë e djalit të mitur, të lindur nga martesa mes dy këngëtarëve. “Në situatën që bashkëshorti nuk ka kontribuar as për bashkëshorten dhe as për fëmijën, atëherë kujdestaria e fëmijës i takon nënës. Fëmija ka lindur në Paris. Atje po bën shkollën dhe ka rrethin e tij shoqëror”, ka argumentuar avokati i Mulës para gjykatës, duke ripohuar edhe njëherë se martesa mes Çakos dhe Mulës e kishte humbur kuptimin, për shkak të largësisë në të cilën ata jetonin prej disa vjetësh, sopranoja në Francë dhe kantautori në Shqipëri.
Pirro Çako
Para gjykatës, avokati i Pirro Çakos ka pretenduar dje se: “Zgjidhja e martesës të mos konsiderohet si shkak për mosjetesën së bashku. Largimi nga familja ka qenë nga ana e Inva Mulës dhe kjo për arsye profesionale. Gjykata të rishqyrtojë vendimin për përgjegjësinë e përbashkët prindërore. Në kushtet aktuale, referuar dhe raportit të psikologëve, e mira e fëmijës është përgjegjësia e përbashkët prindërore. Të dy pjesëtarët e çiftit kanë banesa në Francë dhe për shkak të angazhimeve profesionale të sopranos në periudha të konsiderueshme, fëmija do të rrijë me persona “të tretë”. Kujdestaria e përbashkët është kërkesë edhe e fëmijës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here