Pesë ikona, sjellë nga pavijoni i artit mesjetar në Muzeun Kombëtar, po i nënshtrohen procesit të restaurimit në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ikonat që datojnë në shek. XVII-XVIII janë ekspozuar për rreth një orë në ceremoninë e organizuar të premten me rastin e 45-vjetorit të themelimit të IMK-së. Nëse u afrohesh, dëmtimet janë të dukshme me sy të lirë. Njëra prej specialisteve që po merret me restaurimin e ikonave, Edlira Çaushi, shprehet se këto ikona janë të dëmtuara edhe nga ndërhyrjet e mëparshme me materiale jo shumë të përshtatshme. Gentian Vokopola, Andi Spahia, Olta Kore, Adrian Çene nga IMK-ja dhe Entela Kasemi nga Muzeu Kombëtar po merren me trajtimin e ikonave. Herë pas here specialistët e kanë risjellë në vëmendje problemin e ikonave që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar në kushte jo të përshtatshme, ku mes 778 ikonash ka edhe nga ato që rrezikojnë të humbasin përgjithnjë vlerat. Çaushi shprehet se pas restaurimit të këtyre 5 ikonave, puna do vazhdojë me të tjera ikona, për të cilat nuk mund të përcaktosh një kohë të domosdoshme për trajtim.
Prej sa kohësh janë sjellë ikonat në laborator?
Ka disa javë që ikonat janë sjellë për t’u restauruar në Laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kemi zgjedhur fillimisht pesë ikona që kanë qenë ekspozuar në pavijonin e ikonave në Muzeun Historik Kombëtar. Pas restaurimit të këtyre ikonave që u përkasin autorëve të ndryshëm, puna do të vazhdojë me të tjera. Gjithsej në MHK, ndodhen 778 ikona.
Pse janë zgjedhur ikona të pavijonit për t’u restauruar e jo të fondit, paraqiteshin më të dëmtuara?
Këto janë ikona që janë të ekspozuara, me të cilat publiku është në kontakt të vazhdueshëm. Sigurisht që të gjitha ikonat kanë problemet e tyre. Për sa i përket fondit, një pjesë është konservuar, një pjesë tjetër është pozicionuar në mënyrë të tillë që të shmangë sa të jetë e mundur dëmtimet, por probleme do të vazhdojë të ketë përderisa gjendja në të cilën ruhen këto ikona është ajo që është.
Në çfarë grade dëmtimi paraqiten 5 ikonat që keni marrë për restaurim?
Fillojnë nga dëmtimet më të vogla deri në degradim. Këto që ne po restaurojmë janë ikona mbi të cilat është ndërhyrë edhe më përpara. Sigurisht që një pjesë e mirë e dëmeve në ikona janë krijuar edhe nga ndërhyrjet e mëparshme me materiale jo të përshtatshme apo nga materiale të përdorura në raporte jo të duhura. Aktualisht, ne po punojmë me materiale bashkëkohore. Kush ka frekuentuar kurset e restaurimit në shkollën që është hapur në IMK ka mësuar teknikat bashkëkohore dhe kemi pasur fatin të punojmë me materiale të mira. Përveç dëmtimeve nga kushtet klimatike, ne po ndërhyjmë për të pastruar edhe materialet që kanë qenë përdorur më parë jo për faj të restauratorëve, por për mungesë të tyre dhe të informacionit. Këto ikona paraqiten shumë më të dëmtuara sesa ikonat ku nuk është ndërhyrë asnjëherë. Materialet e sotme garantojnë ndërhyrje sa më të paktë në ikonat, gjë që zgjat jetëgjatësinë e tyre.
Ju thatë se kemi një fond prej 778 ikonash. A ka potencial Instituti i Monumenteve të Kulturës për të përballuar restaurimin e tyre?
Procesi i restaurimit zgjat në kohë. Është gjithnjë i kushtëzuar nga problematika që çdo ikonë mund të ketë, duke përfshirë këtu edhe kohën që duhet për dokumentimin para dhe pas restaurimit. Ne këtu jemi dhe me këtë punë do merremi vazhdimisht. Nuk mund të përcaktoj një kohë që do të duhej për trajtimin e të gjitha ikonave të fondit.
Kur do të përfundojë trajtimi i 5 ikonave mbi të cilat po punoni?
Për momentin po bëjmë një proces konservimi të fragmenteve që janë shumë të rrezikuara dhe sondazhet e pastrimeve. Më pas do të procedohet me procesin e dezinfektimit, i cili kërkon një kohë të caktuar gjatë së cilës ikonat qëndrojnë të mbyllura dhe besojmë se në vjeshtë të këtij viti do të ketë mbaruar restaurimi.
Ju keni punuar edhe në piktura murale. A ka të tilla që rrezikojnë të zhduken?
Ka piktura murale ashtu si edhe ikona që janë në gjendje shumë të rëndë.
Në një proces të dytë restaurimi, do të vazhdohet sërish me ikonat e pavijonit apo të fondit? Garanton Instituti i Monumenteve një vazhdimësi të fondeve për të kryer këtë punë?
Ikonat do të përzgjidhen në bazë të degradimit të tyre. Duhet të shihen të gjitha e pastaj të vendoset. Për sa u përket fondeve, ikonat nuk kanë shpenzime të mëdha. Për momentin ne kemi disa materiale të mira në laborator dhe po punojmë me to. Në të ardhmen duhet të shpenzohet për t’u porositur jashtë shtetit dhe për analiza që u bëhen ikonave përpara ndërhyrjes, por nuk është ndonjë kosto e jashtëzakonshme.