Spanja ka arritur në çerekfinale të Kupës së Botës, duke mposhtur 1-0 Portugalinë në derbin iberik. Skuadra e Vicente Del Boskes ka rigjetur formën e saj të mirë, duke dominuar edhe ndaj fqinjëve portugezë, të cilët kanë qenë të pafuqishëm për të bërë diçka kundër kampionëve të Evropës. Spanja ka dominuar në zotërimin e topit dhe në lojë, ndërsa goli i fitores edhe këtë herë mban emrin e sulmuesit David Vija, i cili shkon në kuotën e 4 golave në këtë Kupë Bote, aq sa Higuain e Vitek. Përballja mes dy fqinjëve pritej me një interes të jashtëzakonshëm, duke emrat e mëdhenj në përbërjen e tyre, por në fund ka arritur të triumfojë skuadra më e mirë.
Botërori ndërkohë humb një tjetër yll, Kristiano Ronaldon, i cili edhe në këtë takim nuk është se ka shkëlqyer shumë.
Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi me tre goditje të shpejta të spanjollëve, që janë neutralizuar nga portieri Eduardo. Ndërkohë Portugalia është treguar mjaft e rrezikshme në kundërsulm dhe në një moment për pak nuk ka shënuar, por Kasijas largoi në dy kohë. Një tjetër moment ishte një gjuajtje e rrezikshme e Kristiano Ronaldos me goditje dënimi, por që sërish është pritur nga Kasijas.
Në pjesën e dytë, Spanja ka hyrë në fushë më e vendosur, ndërsa vendimtar ka qenë ndërrimi i Torres me sulmuesin Fernando Jorente, autor i një paraqitje mbrësëlënëse. Vetëm 2 minuta pasi kishte hyrë në fushë ai rrezikoi me kokë, por u ndal nga portieri Eduardo, ndërsa në minutën e 63-të, preku me finte një top të Iniestës, duke e shndërruar në një asist për David Vijën, i cili realizoi me dy goditje.
Praktikisht ndeshja u mbyll këtu, sepse Portugalia ka qenë e pafuqishme për të rrezikuar, ndërsa spanjollët qarkulluan lehtësisht topin. Në minutën e fundit, luzitanët mbetën me 10 vetë, pas kartonit të kuq të marrë nga Rikardo Kosta për një bërryl të lehtë ndaj Kapdevilës. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi dhe tashmë Spanja do të përballet në çerekfinale me Paraguajn.