Home Aktualitet Raporti i Freedom House: Shqipëria ka shumë për të bërë

Raporti i Freedom House: Shqipëria ka shumë për të bërë

732
0

Freedom House publikoi sot raportin e përvitshëm me titullin “Vendet në Tranzicion 2010”. Në këtë raport,16 faqe i kushtohen Shqipërisë ku një pjesë të rëndësishme zënë edhe zgjedhjet e 28 qershorit.
“Megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’ju përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri” theksohet në raportin e fundit të organizatës Freedom House e cil ka bërë një analizë të përparimit të vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral.

Freedom House e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi. Në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3,75 pikë ashtu si edhe në raportin e një viti më parë.

Në paragrafin që i kushtohet qeverisjes kombëtare thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte. Mirëpo, bojkotimi i kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e parlamentit. Për këtë arsye, raporti e ka ulur nga 4.25 në 4.5 vlerësimin e Shqipërisë lidhur me demokracinë në qeverisje.

Në raportin “Vendet në Tranzicion 2010” thuhet se media në Shqipëri ka bërë përparim në aspektin e teknologjisë që përdor por korniza ligjore që mbulon median e lirë nuk është ende e plotë.
Mbulimi nga media i zgjedhjeve të 2009-s, thotë raporti, favorizoi dy partitë kryesore duke i lënë jashtë mbulimit partitë më të vogla. Raporti shton se gazetaria investiguese vazhdon të jetë e kërcënuar dhe të gjitha këto e kanë ulur vlerësimin nga Freedom House për median e pavarur nga 3.75 në 4 pikë.

Përsa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, Freedom House nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit. “Qeveria vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit” thuhet në raport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here