Home Politike Ja kush jane 5 arsyet e vërteta pse Berisha mbron Priftin

Ja kush jane 5 arsyet e vërteta pse Berisha mbron Priftin

670
0

Dritan Prifti tashmë mund të thuhet pa hezitim se është një deputet i Partisë Demokratike. Deklarata e tij e djeshme plot mllef për kolegët e LSI la të kuptohej qartë se qëndrimi i tij në partinë që ka milituar që nga themelimi është një mision i pamundur. Akuzat ndaj figurave kryesore të LSI flisnin qartë se Prifti nuk e ka pritur mirë këtë largim të tij nga qeveria dhe se për këtë do të ndërmerrte veprime të tjera duke nënkuptuar edhe largim nga partia. Gjatë fjalës së tij Prifti theksoi fort marrëdhëniet e mira me kryeministrin Berisha duke nënkuptuar se vazhdimi i karrierës së tij do të jetë pranë PD-së. Por në të vërtetë dhe Berisha nuk e “shiti” Priftin edhe pse largimin ia kërkoi Meta dhe ishte i detyruar. Në fjalën e tij, Berisha vetëm e falënderoi Priftin duke lënë të nënkuptonte se nuk ishte ai që po e largonte, por vetëm Ilir Meta. Gazeta boton sot arsyet e vërteta pse shefi i mazhorancës ka marrë në mbrojtje Dritan Priftin. Arsyeja e parë është një miqësi e vjetër mes tyre që në kohën që ishin kundërshtarë të Fatos Nanos. Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishmja lidhet me krijimin e koalicionit mes PD-së dhe LSI-së. Në vend të tretë qëndron shtimi i Grupit të PD-së me një deputet më shumë. Ndërkohë që arsyeja e katërt dhe e pestë lidhet me dobësimin e LSI-së dhe me zgjedhjet lokale.

Lidhjet e vjetra Prifti-Berisha
Shumë kush e kujton se Dritan Prifti është përplasur mjaft ashpër me Fatos Nanon në kohën kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë. Nano e akuzoi ashpër Priftin për afera korruptive dhe ish-drejtori i KESH-it të asaj kohe, nuk qëndroi duarkryq por shkoi takoi kreun e opozitës së kohës, Sali Berishën. Në mënyrë indirekte Berisha mbrojti Priftin duke mos vijuar aksionin e sulmeve ndaj tij. Edhe në vitin 2005, kur Fatos Nano ishte në kulmin e tij, Prifti u bashkua me akuzat e PD-së duke sulmuar kryeministrin socialist. Kjo gjë ka vijuar dhe në vitin 2007 kur Prifti deklaroi ashtu si PD, se nuk do të jepte votën për Fatos Nanon President në asnjë rrethanë.

Krijimi i koalicionit me LSI-në
Menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të shkuar, kur PD arriti të merrte vetëm 70 mandate, ai që i dha oksigjen ishte Dritan Prifti. Në mënyrë publike deklaroi votën për Sali Berishën nëse nuk do të kishte mazhorancën. Prifti ishte i pari që hodhi themelin për koalicionin mes LSI dhe PD-së. Edhe nëse Ilir Meta nuk do të kishte ndërmend të shkonte në mazhorancë, deklarata e Priftit ishte vendimtare. Me këtë koalicion, Berisha arriti të mbante për herë të dytë qeverisjen e vendit pasi i vetëm me koalicionin e tij nuk e fitoi shumicën qeverisëse.

Shtimi i PD-së me një deputet
Për Sali Berishën, largimi i Priftit nga Lëvizja Socialiste për Integrim do të thotë një deputet më shumë për Partinë Demokratike. Prifti do ta çonte në 71 mandate numrin e deputetëve demokratë në Kuvend, çka do të thotë praktikisht mbajtja e qeverisë edhe pa votat e Ilir Metës. Me këtë rast Berisha mund të fusë në rend të ditës dhe një seri ligjesh që nuk kishte konsensusin e LSI-së, si për shembull ligjin e SHISH-it. Me këtë kuotë deputetësh, projekti-ligji i SHISH kalon edhe me kundërshtimin e opozitës dhe të LSI-së.

Presioni ndaj Ilir Metës
Një tjetër arsye pse Sali Berisha e mbron dhe e kërkon Dritan Priftin është fakti se bie pesha e Ilir Metës në koalicion. Nëse përpara një viti Meta kishte katër vota në Kuvend, tashmë ka vetëm tre, çka do të thotë se pesha e tij është e vogël. Nëse Meta do të kërkojë diçka më shumë ose do ketë pakënaqësi me Berishën, kryeministri e ka të lehtë t’i “japë duart” për të vijuar qeverisjen i qetë vetëm me të vetët. Grupin e PD-së Berisha e ka thuajse nën tutelë dhe është vështirë të besosh se dikush do të nisë t’i bëjë diversion. Për më tepër zërat në korridore të partive qarkullojnë se Berisha ka një ofertë për deputetët kundër Ramës në PS për ti futur në aleancë.

Votat për zgjedhjet lokale
Zgjedhjet lokale tashmë janë në prag dhe votat që Dritan Prifti merr në zonën e Fierit janë shumë të çmuara për mazhorancën e djathtë e cila në atë qark nuk ka një mbështetje të gjerë. Berisha e ka menduar mirë se një votë më shumë në Fier është një tregues se ai ka mbështetje si në veri ashtu dhe në jug të vendit. Dy mandatet e fundit kur Prifti ka konkurruar në Libofshë, ka marrë një rezultat të mirë që e kanë bërë atë edhe deputet. Zgjedhjet e 8 majit për të djathtën janë një sfidë shumë e rëndësishme pasi kërkojnë që të tregojnë se pushteti i tyre po funksionon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here