Shefi i diplomacisë shqiptare, njëkohësisht edhe kryetar i LSI-së ka shpjeguar të gjitha arsyet e shkarkimit të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një intervistë për “Alsat” rrëfen marrëdhëniet e tij, me ministrat, me Berishën si edhe planet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Meta nuk përjashton bashkëpunimin me forcat e majta.
Zoti Meta do më duhet t’ju pyes për propozimet e fundit të bëra sot nga LSI-ja për disa ndryshime në kabinetin qeveritar, largimin e zoti Prifti, kalimin tuaj nga Ministria e Jashtme në Ministrinë që e drejtonte më parë zoti Prifti dhe zëvendësimin tuaj me zotin Haxhinasto. Pse këto propozime? Pse lindi nevoja e këtyre ndryshimeve dhe pse pikërisht tani?
Nuk do të preferoja të ndalesha shumë në këtë zhvillim të bërë publik në emër të Kryesisë së LSI–së nga sekretari i saj, Luan Rama, pasi jam në zyrën e ministrit të Jashtëm dhe dua t’ju siguroj së vijoj me të njëjtin angazhim dhe përkushtim si deri tani dhe do të vazhdoj deri në momentin e fundit të përfundimit të procedurave ligjore dhe kushtetuese, të kryej këtë detyrë me shumë përgjegjësi. Përsa i takon këtyre ndryshimeve, mendoj se këto janë ndryshime krejtësisht të natyrshme pas një viti qeverisës. Dua të them se pas një viti, sidomos në detyrën e ministrit të Jashtëm, më është dashur më shumë se 100 ditë, pra 1/3 e kësaj periudhe kalendarike 1 vjeçare, ta kaloj me shërbime jashtë shtetit për shkak të kësaj detyre dhe të angazhimit të jashtëzakonshëm për çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian, çështjet e liberalizimit të vizave dhe në veçanti do të thoja për çështjen e Kosovës e cila ka përjetuar disa momente kyçe sikurse është opinioni i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë apo dhe rezoluta e fundit që u miratua në asamblenë e OKB-së. Në këtë plan kuptohet që kjo është një mungesë që është ndjerë shumë sidomos në funksionimin e LSI-së brenda vendit por edhe në tërësi në funksionimin e saj si një forcë qeverisëse dhe natyrisht duke ndjerë këtë vështirësi, duke qenë vazhdimisht nën presionin pozitiv të kolegëve të mi, anëtarëve të LSI-së dhe përfaqësuesve të tjerë, kam qenë i detyruar të respektoja këtë vendim që mori sot Kryesia e LSI-së, që nuk do të thotë se ndryshon diçka në prioritetet e kësaj qeverie, përkundrazi do të thotë se duke ndjerë përmbushjen e angazhimeve kryesore gjatë këtij viti në Ministrinë e Jashtme, sidomos për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ku kjo ministri ka patur dhe ka një rol kyç si koordinuese e përmbushjes të të gjithë detyrimeve dhe njëkohësisht edhe mbarëvajtjen me sukses të afirmimit të çështjes së Kosovës duke qenë i bindur se Z. Haxhinasto edhe si diplomat në të kaluarën, por edhe me backgraundin politik që ka, e sidomos në drejtim të politikës së jashtme, do të vijojë me shumë dedikim dhe sukses të çojë përpara prioritetet e kësaj ministrie, edhe të qeverisë në politikën e jashtme. Besoj se kjo zhvendosje e vë theksin tek një rol më i madh edhe i imi si lideri i kësaj lëvizje në çështjet e brendshme, sidomos në drejtim të politikave ekonomike.
Ju na shpjeguat deri tani pse po largoheni ju nga Ministria e Jashtme, por në fakt ende nuk kemi folur për largimin e zotit Prifti?
Arsyeja kryesore është kjo që unë përmenda më parë, pra një lloj konflikti, do ta vendosja në thonjëza, midis angazhimit tim si kryetar i LSI-së, jo thjesht si parti por dhe si forcë të qeverisë brenda vendit, me angazhimin tim si ministër i Jashtëm. Besoj se pas një viti eksperiencë, lind nevoja për ndryshime, për modifikime dhe ky sigurisht që është një rikompozim i përbërjes së LSI-së në qeverisjen e vendit që ndihmon forcimin e rolit të LSI-së në qeverisje, por besoj se do të ndihmojë edhe më tej në përmbushjen e vazhdueshme të objektivave të kësaj qeverisje .
A ka lidhje largimi i Z .Prifti me akuzat për korrupsion të deklaruara së fundmi nga PS-ja për pasurinë e tij, por qoftë edhe për akuzat për korrupsion që i takojnë ministrisë që ai drejton, si konçensioni i HEC-ve, etj? A është kjo arsyeja e largimit të Zotit Prifti nga kabineti?
Më duket se e sqarova shumë qartë arsyen kryesore dhe natyrisht që kjo është një arsye shumë parimore.
Pse nuk ju zëvendësoi Z.Prifti në Ministrinë e Jashtme nëse ju vetëm donit të qëndronit në Tiranë?
Kjo ka të bëjë thjesht me një fakt se Zoti Haxhinasto, aktualisht nga drejtues i LSI-së, ka një lidhje më të fortë me Ministrinë e Jashtme, me diplomacinë, për shkak të detyrave në të kaluarën dhe njëkohësisht një lidhje më të ngushtë me të majtën evropiane pasi ka njohje të gjera për shkak të funksioneve që ka patur deri tani edhe në LSI.
Megjithatë me gjithë respektin për Z. Haxhinasto, në karrierën e tij, statura juaj dhe statura e Haxhinastos në krye të Ministrisë së Jashtme, nuk janë shumë afër, po të kemi parasysh se Ministria e Jashtme është gjithmonë e synuar nga profile të larta politike apo jo?
Unë mendoj se zoti Haxhinasto, përfaqëson një profil paksa të ndryshëm nga i imi, por një profil plotësisht të denjë për të qenë ministër i Jashtëm ku elementi i profesionalizmit në diplomaci spikat në raport me përvojën e përgjithshme politike dhe kjo është një shenjë shumë e mirë.
Pra largimi i Zotit Prifti nuk ka të bëjë fare me punën e tij në ministri? Si do ta vlerësoni punën e tij aty?
Nuk kam ndonjë vlerësim të ndryshëm nga ai i deritanishmi. Sigurisht që besoj se kjo qeveri do të vazhdojë të performojë gjithnjë e më mirë dhe më me ambicie, edhe në drejtim të politikave të zhvillimit ekonomik.
METE është një ministri delikate, por t’i rikthehemi edhe njëherë akuzave për korrupsion që e përfshijnë për shkak të sektorëve shumë të rëndësishëm që ka. Çfarë performance të re do të sillni në këtë ministri?
Nuk preferoj të flas për një pozicion të ri që i takon perspektivës qoftë edhe pas disa ditëve. Preferoj ende të flas si ministër i Jashtëm duke qenë i tillë.
A keni marrë OK nga kryeministri për këto ndryshime?
Ne jemi në një bashkëpunim shumë konstruktiv dhe institucional me kryeministrin Berisha. Gjithçka është zhvilluar dhe do të zhvillohet në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar.
Zoti Prifti do të qëndrojë ende pranë LSI-së, në grupin e deputeteve të LSI-së? A do të sjellë kjo një problem?
Nuk kam arsye përse të mendoj ndryshe. Largimi i cilitdo nga një post ministror nuk përbën ndonjë fatkeqësi apo dramë, përkundrazi mendoj që ai i ka të gjitha mandatet për të ecur më tej në rrugën e tij politike.
Largimi i tij nga grupi do ta rrudhte disi praninë e partisë suaj në Parlament?
Nuk kam arsye të paragjykoj por të jeni të sigurt se fuqia e LSI-së nuk ka qenë asnjëherë tek numri i deputetëve ku dihet se LSI është cenuar në mënyrë dramatike nga zgjedhjet e vitit 2005 por edhe nga zgjedhjet e fundit në bazë të një kodi që ne e kemi kontestuar shumë seriozisht. Mendoj se fuqia e LSI-së, qëndron tek legjitimiteti i saj, i votave të saj të cilat janë vota të shenjta dhe njëkohësisht edhe në kontributet që ajo jep për rinovimin e vazhdueshëm të politikës shqiptare.
Në Parlament këto ndryshime kalojnë me shumicë të thjeshtë, a ka mundësi që PS të bllokojë këtë votim me pjesëmarrjen e saj në votim ?
Nuk jam aspak i shqetësuar për këtë çështje, gjithçka do të shkojë sipas procedurave institucionale dhe kushtetuese.
Prioritetet tuaja në këtë moment të LSI cilat janë? Në zgjedhjet lokale, mendoni se këto ndryshime ndikojnë në pozitën e LSI-së?
Absolutisht që këto ndryshime imponohen edhe nga shpallja e datës së zgjedhjeve lokale, që është data 8 maj. Në këtë drejtim ka nevojë për t’i kushtuar shumë më tepër vëmendje ristrukturimit të LSI-së dhe sigurisht fuqizimit të saj.
Do të kemi ndryshime të tjera, propozime të tjera në postet qeveritare që LSI mban?
Kjo do të shikohet sipas rastit, sipas domosdoshmërisë.
Ju përmendet datën e zgjedhjeve lokale që nuk është larg në fakt. Ju pak më parë bëtë një thirrje për partitë për të rifolur për Kodin, një nismë që të paktën deri tani nuk di të ketë marrë një përgjigje?
Ne shprehim keqardhjen për ato forca politike që nuk vlerësojnë dhe nuk angazhohen për përmirësimin e reformës zgjedhore, pra Kodit Zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR. Ne besojmë se procesi i kërkuar i transparencës me procesin e reformimit të kodit aktual nuk duhet ta pengojnë, por duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
A mendoni se jeni në kohë për ndryshimet e duhura në Kodin elektoral. LSI ka qenë një ndër nismëtarët e parë për ndryshimet në Kod?
Jemi të vonuar. Kjo reformë duhet të kishte filluar menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Megjithatë më mirë vonë se kurrë.
Kemi një krize politike ende të pazgjidhur në Shqipëri siç është ajo e kutive të votimit të 28 qershorit. Palët politike kanë ndalur në një pikë që le ta quajmë ngërç. Mendoni se mund të ketë një zgjidhje para zgjedhjeve lokale apo është thjesht një mënyrë për të bërë politikë?
Duhet të ketë patjetër. Mendoj se ngërçi qëndron tek mungesa e vullnetit sipas mendimit tim, që po tregon lidershipi aktual i PS-së për të realizuar transparencën që kërkon. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë ai që kërkon të realizojë objektivat e transparencës që janë kundërshtuar nga mazhoranca për arsye kushtetuese. Unë besoj se nëse PS do t’i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kohë dhe në rast se ajo do të kishte konfirmuar përmes dhe komisionit te Venecias se ishte i domosdoshëm dhe është i mundshëm nga ana kushtetuese procesi i rinumërimit, këto çështje do të ishin zgjidhur me kohë. Në rast se numërimi do të kishte dalë në favor të PS-së ajo do të ishte në pushtet sepse unë mendoj se edhe deklarata e kryeministrit Berisha është shumë e moralshme, që do të thotë se nuk ka rinumërim thjesht për moral dhe le të qëndrojë kjo qeveri apo mazhorancë, pra në rast se rinumërimi është i mundur nga ana kushtetuese atëherë ky rinumërim të bëhet dhe në rast se rezulton që PS ka shumicën, ajo të marrë pushtetin pas zgjedhjeve. Unë nuk e kuptoj çfarë e pengon Partinë Socialiste, pasi ajo ka numrin e domosdoshëm të deputetëve për të kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.
A ka menduar LSI ta çojë këtë çështje, për hir te interesave të vendit që kjo krizë të zgjidhet dhe të ketë një funksionim normal të Parlamentit, ta çojë ajo në Gjykatën Kushtetuese?
LSI e ka të pamundur për dy arsye. Së pari nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve për ta nisur nga ana procedurale këtë kërkesë. Së dyti ka dhe një problem tjetër moral, nuk mund të formulojë, pasi përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese do varet edhe nga përmbajtja e formulimit të forcës politike që e dërgon. Pra nuk mund të formulojë dot LSI shqetësimin e Partisë Socialiste, më mirë se ajo vetë. Nëse Gjykata Kushtetuese do të thoshte jo, do të thuhej se LSI bëri formulimin e gabuar, etj. Kjo është një çështje që i takon në mënyrë ekskluzive Partisë Socialiste. Unë shpresoj që ajo ta iniciojë këtë hap.
A do të jeni në aleancë me PD-në për zgjedhjet lokale për Tiranën,apo do të konkurroni i vetëm ?
Besoj se ka ende kohë, janë gati 8 muaj deri në fillimin e fushatës elektorale dhe natyrisht gjatë fillimit të kësaj periudhe, LSI do të përjetojë një proces riorganizimi si dhe do të shikojë mundësinë e të gjitha kandidaturave të saj dhe do të shqyrtojë të gjitha variantet dhe mundësitë.
Zoti Milo ka deklaruar se mundësia më e mirë për të fituar pushtetin e majta është që LSI-ja dhe PS ta rigjejnë edhe një herë gjuhën e bashkëpunimit në një tryezë të së majtës. Ju çfarë mendoni?
Ne jo vetëm që nuk e kemi përjashtuar asnjëherë bashkëpunimin me PS-në, me PSD-në apo ndonjë forcë tjetër politike, jo vetëm të majtë por edhe të djathtë, ashtu siç kemi konkretizuar edhe këtë koalicion për arsye të cilat janë bërë të ditura dhe të cilat në themel kanë rezultatin e 28 qershorit. Ne shprehim keqardhjen që në vend që kjo forcë politike të angazhohet ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën për procesin e reformave, për integrimin, për procesin e domosdoshëm të reformës zgjedhore dhe sidomos kodit aktual që ka ndëshkuar edhe forcën politike të zotit Milo apo edhe të forcave të tjera të majta, përkundrazi kërkon të zhvendosë debatin në një çështje të karakterit emocional. LSI padyshim është një forcë e majtë dhe është në këtë koalicion si një forcë e majtë por në radhë të parë është për integrimin e vendit. Këtu nuk bëhet fjalë për kalkulime të bashkojmë forcat e majta apo të djathta sepse ky nuk është një raport që i intereson zhvillimit të jetës politike të vendit.
Dikur keni qenë me këtë filozofi për bashkimin e të majtës…
Po patjetër për tu bashkuar, por për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit, po jo të bashkohen për të bllokuar funksionimin e institucioneve në vend për të bllokuar proceset integruese, për të bllokuar ligje shumë të rëndësishme që janë me 84 vota, jo për të mbajtur qeverinë sepse qeverisë i mjaftojnë 71 vota për të funksionuar por për të çuar para reforma që kanë të bëjnë drejtësinë, që kanë të bëjnë me biznesin përsa i përket Gjykatës Administrative apo çështje të tjera.
Pra nuk e përjashtoni edhe aleancën me PS në zgjedhje lokale, nuk përjashtoni asnjë lloj aleance?
Është shumë herët për të folur për aleanca për zgjedhjet lokale, ashtu siç mund t’iu konfirmoj që LSI do ti përmbahet marrëveshjes që ka me PD, marrëveshjes 4 vjeçare për të përmbushur të gjitha objektivat e këtij koalicioni dhe kësaj qeverie.
Ju e largoheni nga Ministria e Jashtme në një moment shumë delikat, janë muajt e fundit përpara liberalizimit të vizave për shqiptarët, një proces shumë i rëndësishëm ky… A ju vjen keq që po e lini Ministrinë e Jashtme në këto momente?
Natyrisht, MPJ është ministria që më pëlqen më shumë, kjo është arsye që jam këtu për të tretën herë dhe më ka dhuruar sfida dhe kënaqësi shumë të mëdha, por në këto momente, mbi kënaqësinë dhe aspektin profesional prevalon një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm. Detyrimi im është në radhë të parë ndaj LSI si një forcë e rëndësishme për integrim, si një forcë qeverisëse në vend dhe për të rritur më tej këtë rol në qeverisjen e vendit…
Cilat janë detyrat më të rëndësishme që do të gjejë z.Haxhinasto në tavolinën e tij?
Besoj se në rast se do të kishte ndonjë kandidat që do ta fillonte punën menjëherë pa iu dashur shumë kohë për të studiuar dosjet e rëndësishme ai është z.Haxhinasto i cili edhe gjatë kësaj kohe ka qenë një nga këshilltarët e mi më të rëndësishëm në fushën e diplomacisë.
E kam fjalën cilat janë prioritet…
Unë besoj se liberalizimi i vizave vazhdon të jetë një prioritet, por kjo ministri dhe qeveria në përgjithësi i kanë përmbushur kërkesat e këtij procesi siç është konfirmuar dhe nga ekspertët evropianë. Por gjithsesi deri në momentin që ky vendim do të formalizohet, ky mbetet një prioritet jo vetëm i ministrisë por edhe i të gjithë qeverisë. Së dyti përmbushja e kërkesave për Shqipërinë si një vend anëtar i ri i NATO dhe padyshim konsolidimi i njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës dhe përmirësimin i marrëdhënieve të vendit tonë më vendet e rajonit, janë objektiva shumë të rëndësishëm të diplomacisë…
Sipas zërave informalë në media gjatë këtij vitit, marrëdhëniet e zotit Meta me ministrat e tjerë të LSI–së kanë qenë të vështira si me z.Prifti ashtu edhe me z. Vasili. A është e vërtetë që po negocioni edhe për postin e ministrit të Brendshëm, a mund të lëvizë edhe ministri Vasili, apo të gjitha këto janë zëra inforomalë në ambientet tona gazetareske?
Unë i respektoj zërat informatë, por nuk mendoj se ka diçka të vërtetë dhe dua të them se zoti Vasili ka bërë një punë jashtëzakonisht të vështirë në një ditë jo shumë të mirë për shëndetësinë përsa i takon burimeve të financimit për këtë reformë dhe besoj se do të vazhdojë me këtë përkushtim edhe në të ardhmen.