Një vit nga koalicioni mes PD-së dhe LSI-së, njeriu që hodhi gurin e themelit të këtij bashkëpunimi, nga dje nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar. Një mbledhje e beftë e kryesisë së LSI vendosi që Dritan Prifti të mos jetë më ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës. LSI vendosi që postin e Priftit ta marrë kreu i kësaj partie, ndërkohë që në Ministrinë e Jashtme të propozohet Edmond Haxhinasto. Por si erdhi shkarkimi dhe pse Prifti nuk mori një post tjetër nëse është i vërtetë fakti që Meta kërkon të jetë më pranë partisë? Gazeta në mënyrë konfidenciale ka zbuluar gjithë prapaskenat e vendimit. Nga biseda e Berishës me Metën dhe deri te takimi dje paradite i ish-ministrit tashmë të Ekonomisë, në zyrën e kryeministrit.
Prapaskenat
Kryeministri Berisha deklaroi dje se Ilir Meta prej më shumë se gjashtë muajsh i kishte kërkuar largimin nga diplomacia dhe kalimin te Ministria e Ekonomisë, por kjo nuk kishte ndodhur për shkak të axhendës së ngjeshur të kreut të ekzekutivit. Në të vërtetë kjo është reale, por nuk është e plotë. Kërkesa për të larguar Dritan Priftin nga qeveria duket se ka ndikuar në vendimin e Berishës. Prifti ka qenë promotor i krijimit të koalicionit të pazakontë me PD-së dhe LSI-së. I paralajmëruar për largimin nga Ministria e Ekonomisë, Dritan Prifti është takuar në mënyrë sekrete me kryeministrin Berisha ku duket se ka kërkuar që të mos miratohet shkarkimi i tij. Por domosdoshmëria e numrave në Kuvend e kanë detyruar Berishën që mes votës së Priftit dhe tre votave të Metës, të zgjedhë këtë të fundit. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, Prifti mungoi duke mos dashur të jetë pjesë e vendimit për largimin e tij nga kabineti qeveritar. Ajo që mbetet për t’u parë është se cili do të jetë reagimi dhe fati politik i ministrit në detyrë Dritan Prifti, marrëdhëniet e tij me LSI dhe kryetarin e saj, si dhe cili do të jetë pozicionimi i tij brenda mazhorancës. Prej kohësh në korridoret e politikës përfliteshe një acarim i marrëdhënieve mes Ilir Metës dhe Priftit, por vendimi i djeshëm tregon se kjo ka qenë jo thjesht një thashethem.
Akuzat e opozitës ndaj Priftit
Prej më shumë se dy muajsh opozita në mënyrë të përditshme ka akuzuar ministrin e Ekonomisë, Prifti për përfitime të paligjshme të cilat kanë pasuruar ministrin me një shumë prej 1.8 milion eurosh vetëm në një vit. Berisha dhe Meta në asnjë rast nuk morën mundimin të dilnin në krah të ministrit të tyre, por i lanë fushë të lirë Priftit të mbrohej me çdo formë, si ligjore ashtu dhe verbale. Me largimin që LSI i bëri Priftit, arrin të marrë një kredit politik për momentin. Të paktën opozita nuk mund të vijojë akuzat për këtë ministër dhe për më tepër Prokuroria do ta ketë më të kollajtë për të hetuar një deputet se një ministër. Në gjithë këtë manovër politike duket se i humburi i madh ka dalë Dritan Prifti, por ka fituar si Ilir Meta ashtu dhe Sali Berisha. Nëse opozita kishte një tabelë të fortë për të sulmuar, tashmë këtë mundësi e ka të humbur dhe do të kërkojë një ministër tjetër për ti bërë akuza.
Të dhëna personale
Kombësia
Shqiptare
Ditëlindja
27.08.1968
Vendlindja
Kuçove, Berat
Gjendja familjare
I martuar, ka 3 djem
Eksperienca e Punës
Në sektorin publik
9/2009 Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Kuvendi i Shqipërisë
Tiranë
6/2009 Deputet
Zgjidhet Deputet i Parlamentit të Shqipërisë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në qarkun e Fierit.
7/05 – 9/09 Deputet
Deputet i zgjedhur i Parlamentit të Shqipërisë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në rrethin e Fierit.
Anëtar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, Financat, Privatizimin, Tregtinë dhe Energjinë.
6/01 – 7/05 Deputet
Deputet i zgjedhur i Parlamentit të Shqipërisë me Lëvizjen Socialiste, në rrethin e Fierit.
Anëtar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financën.
Qeveri
9/01-3/02 Ministër i Shtetit për Energjinë
Si anëtar i kabinetit qeveritar përgjegjës për hartimin, propozimin, zbatimin dhe koordinimin e politikave energjetike.
KESH
11/00 – 6/01 Drejtor i Përgjithshëm
Drejtoi me sukses kompaninë më të madhe publike në Shqipëri, me 11,000 punonjës.
Kabineti i Kryeministrit
07/00 – 10/00 Drejtor i Kabinetit të Kryeministrit
Këshilltar kryesor i Kryeministrit mbi të gjitha fushat e qeverisjes dhe politikave publike. Menaxhoi dhe koordinoi stafin e Kryeministrit.
Ministria e Financave
10/98-7/99 Shef i Kabinetit të Ministrit
Këshilltar kryesor i Ministrit në çështje fiskale, monetare, strukturore dhe organizuese.
Drejtoi punën e stafit të Ministrit.
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
9/97-9/98 Shef i Kabinetit të Ministrit
Këshilltar kryesor i Ministrit në çështjet e punës, mbrojtjes sociale dhe politikat e sigurimeve shoqërore.
Drejtoi punën e stafit të Ministrit.
Arsimi
7/99 – 6/00 HARVARD UNIVERSITY
Cambridge, MA, USA
Kennedy School of Government Master in Public Administration – MPA, 2000. Fusha: Qeverisje
8/93 – 12/95 UNIVERSITY OF NEW MEXICO Albuquerque, NM, USA R. O. Anderson School of Management Master in Business Administration – MBA, 1995. Fusha: Drejtim i përgjithshëm
9/86 – 7/90 UNIVERSITETI i TIRANËS
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë Laureuar në Gjuhën Angleze, 1990.Fusha: Gjuhe angleze
Të tjera:
Angazhim politik: Nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Anëtarësim: Harvard Club of Tirana, Harvard University Alumni Association.
Shoqëria Civile: Kryetar i Bordit të Këshillit Shqiptar të Zhvillimit, një OJQ e bazuar në projekte të konsulencës mbi mirëqeverisjen (1998).
Tituj:
Emëruar nga Presidenti i Shqipërisë si Komisioner në Komisionin e Letrave me Vlerë për një periudhe 3 vjeçare deri në 2002.
Gjuhët e huaja: Anglisht shkëlqyeshëm.
Italisht mirë.