Vrasja e një burri ka shënuar krimin e radhës në familje. Një burrë 46 vjeç është masakruar me thikë nga i biri pas një grindjeje që kishte nisur mes të dyve nga pija.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03 të mëngjesit të së dielës në një banesë në lagjen “Rilindja” në qytetin e Vlorës. Në familjen Baraj e cila përbëhej nga pesë pjesëtarë, burrë e grua me tre fëmijë, gjatë natës ishte konsumuar alkool.
Më pas ka nisur dhe zënka me fjalë mes djalit dhe të atit. Djali i madh i familjes Baraj, Ermali pasi ka debatuar ashpër më babain e tij, 46-vjeçarin Shkëlqim Baraj janë zënë fillimisht me grushta.
Më pas babai ka përdorur një thikë duke e plagosur të birin dy herë në këmbë. Djali 21-vjeçar ka mundur t’ia marrë thikën të atit dhe më pas ka nisur ta qëllojë disa herë në trup atë duke i shkaktuar vdekjen e menjëherëshme.
Policia e cila është njoftuar për një vetvrasje, ka shkuar mënjëherë në vëndgjarje duke arrestuar djalin.
Ndërsa në mbrëmje, në Mbrostar të Fierit, një baba plagosi me çifte djalin e tij 40-vjeçar. Abas Metaj plagosi djalin e tij Shyqeri dhe shkak i ngjarjes mendohet se është prona.
I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Fierit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi qëlloi të birin, babai i tij tentoi të vetëhelmohet me fotoksinë.
70-vjeçari u shoqërua nga policia në ambientet e spitalit, ku mori dhe ndihmën e nevojshme. Policia tha se babë e bir kishin pasur dhe më parë konflikte me njeri-tjetrin.