Home Aktualitet Tarifat e reja per vizitat shendetesore

Tarifat e reja per vizitat shendetesore

790
0

12651353_1200593899969887_9209595345418262217_n-620x412Vetëm pak orë, pasi u raportua se në drejtim të makinës së ministrit Ilir Beqaj, janë hedhur vezë edhe domate, kryeministri Edi Rama ka qenë i pari që ka reaguar për aktin.Ai nuk e ka komentuar ngjarjen drejtpërdrejt, por në faqen e tij në “Facebook” ka zbardhur tarifat e reja për pacientët dhe çmimet në shërbimin shëndetësor, madje duke i komentuar ato, si rezultatet kuptimplota për rrugën drejt shëndetësisë falas.

“Duke filluar nga data 1 shkurt, janë miratuar edhe tarifat e reja të vizitave te mjeku specialist dhe të ekzaminimeve të ndryshme shëndetësore për personat që nuk janë të siguruar, por që bëhen pjesë e sistemit të referimit, duke e filluar kontrollin nga mjeku i familjes. Ka një ulje shumë të konsiderueshme të tarifave krahasuar me ato të deritanishme.

Ndërkohë, është e qartë se tarifat për personat që nuk pranojnë të ndjekin sistemin e referimit, pra përmes mjekut të familjes, do të mbeten të pandryshuara”, shkruan Rama. Nga 1shkurti, pacientët nuk paguajnë asnjë lek te mjeku i familjes. Në rastet kur mjeku i familjes gjykon se pacienti ka nevojë për një ndihmë më të specializuar, me anë të një rekomandimi e dërgon pacientin te mjeku specialist. Kur pacienti paraqitet te mjeku specialist duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti dhe rekomandim nga mjeku i familjes. Kështu ai do të përfitojë nga çmimet e reja, shumë më të ulëta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë prej 1 shkurtit. Pas ofrimit të vizitës falas te mjeku i familjes (nga 1000 lekë që ishte), vendim i cili hyri në fuqi më 27 janar 2016, në rastin e vizitave ambulatore, kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale ofrohet tashmë falas.

Trajtimi i pacientëve

Por, sipas urdhrit të Beqajt, përjashtim nga rregulli i mësipërm do të bëhet në bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë. Në këto bashki, mjeku specialist e referon pacientin sipas rastit në shërbimet konsultative përkatëse pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë në bashkitë e tjera, pacienti që trajtohet në një spital bashkiak dhe ka nevojë për diagnostikime, ekzaminime dhe trajtime që nuk i siguron dot nga ky spital, dërgohet me epikrizë shoqëruese në spitalin rajonal pas konsultës së firmosur nga mjeku kurues dhe shefi i shërbimit spitalor. Sipas rastit dhe nevojës për shërbim shëndetësor, referimi i pacientit mund të vijojë pranë spitaleve universitare. Nga ky rregull përjashtohen urgjencat mjekësore, ku pacienti shkon ose transportohet direkt në spital.

Sistemi i referimit

Për zbatimin e sistemit të ri të referimit, nëse një person i pasiguruar ka të nevojshme kryerjen e një ekografie, ajo kushton 1000 lekë në rastet kur pacienti nuk ndjek sistemin e referimit, pra kur nuk kalon nga mjeku i familjes. Në rast se pacienti kalon fillimisht te mjeku i familjes dhe më pas te specialisti në poliklinikë për kryerjen e kësaj ekografie do të paguajë vetëm 200 lekë. Ndërkohë, pacientët të cilët janë të siguruar mjafton të paraqesin kartën e shëndetit dhe atë të identifikimit dhe i përfitojnë të gjitha këto ekzaminime falas. Edhe çmimet për kryerjen e biopsive të të gjitha llojeve janë ulur nga 3000 lekë në 500 lekë, ose gjashtëfish. Ndërsa, pjesa më e madhe tarifave të ekzaminimeve radiologjike dhe ato imunologjike janë ulur më shumë se pesëfish.

Tarifat e reja

Tarifat për disa ekzaminime, si Mamografia dhe Anti- HIV 1+2, është falas për herë të parë. Vizita te mjeku specialist në poliklinikë, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë; Vizita te mjeku specialist në spitalet universitare, nga 3000 lekë ulet në 500 lekë; Vizita te mjeku specialist në spitalet rajonale, nga 2000 lekë ulet në 100 lekë; Vizita te mjeku specialist në spitalet e rretheve, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë. Tarifat për endoskopinë ulet më shumë se 2-fish. Tarifat për analizat laboratorike kliniko-biokimike ulen nga dy deri në 8-fish. Tarifat për analizat laboratorike mikrobiologjike ulen nga tre deri në 8-fish. Tarifat për shërbimin e alergologji-pneumologjisë ulen nga pesë deri në 8-fish. Tarifat për shërbimin e kardiologjisë ulen nga pesë deri në dhjetëfish, ndërsa ato të shërbimit ORL, ulen nga katër deri në 5-fish.

Kontrolli për moshat 40-65, shtohen kërkesat

Kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministri i Ilir Beqaj, inauguroi dje poliklinikën Nr. 10 të kryeqytetit ku u inspektua nga afër zbatimi i check-up në kabinetet e kësaj qendre. Gjatë një takimi me mjekës dhe pacientët, u vu re se shumica e tyre kishin ardhur për herë të dytë, ndërsa mjekja Rudina Gjini bëri të ditur se interesi i qytetarëve është në rritje sa i përket kontrollit që u ofrohet falas. Nga ana tjetër, Rama tha se nëpërmjet kontrollit, po krijohet për herë të parë një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për të vijuar punën në sistemin e shëndetësisë.

”Ne jemi shteti i vetëm në rajon dhe në Europë që nuk kemi një kartelë shëndetësore të popullatës dhe duke mos pasur të tilla, nuk dimë se cila është situata e përgjithshme dhe kush janë sëmundjet më problematike, çfarë duhet të bëjmë me politikat më tej, etj. Kjo është vendosja e një bazë të dhënash për herë të parë, pas 20 e kusur vitesh, se para 20 e kusur vitesh edhe lopët, edhe delet kishin kartelën e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk. Do të ishte mirë ta bënim për të gjithë popullsinë, por jemi fokusuar tek grupmosha 40-65 vjeç sepse aty shfaqen zakonisht problemet e fillesave me sëmundjet”, tha Rama. Qendra shëndetësore nr. 10, është qendra më e madhe në Tiranë që mbulon një zonë prej rreth 80 mijë banorësh, të njësive bashkiake 3 dhe 4, në kryeqytet, nga të cilët 20 mijë janë të grupmoshës 40-65 vjeç. Mësohet se personeli prej 114 mjekësh, shërben gjatë gjithë ditës, me dy turne.

Kontrolli bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë; hipertensioni arterial, obeziteti, duhanpirja, kolesteroli, dieta e varfër, inaktiviteti fizik dhe përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riskut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here