Opozita i propozon mazhorancës një marrëveshje me 10 pika, nëpërmjet të cilës synohet bashkëpunimi dypalësh për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE. Duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të opozitës, lideri i saj, Edi Rama u shpreh se të gjitha kërkesat e saj janë në përputhje me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian. Duke folur para mediave menjëherë pas takimit me ambasadorin Uollfarth, Rama parashtroi 10 kërkesat e paktit “Për Shqipërinë si gjithë Europa”.
1. Votimi i menjëhershëm i një rregulloreje për bashkëjetesën në sallën e Kuvendit
2. Ngritja e një komisioni parlamentar ad hoc për reformën institucionale të Kuvendit
3. arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e reformës zgjedhore deri në mars të 2012-s bazuar mbi raportet e OSBE-ODIHR-it duke rënë dakord që çdo propozim i PS që gjen konsensusin e OSBE-ODIHR-it të miratohet me consensus
4. Zgjedhja me consensus e këshillit të Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit të saj
5. Zgjedhja me konsensus e kreut të Komisionit të Lartë të Shtetit dhe paraqitja e një profili para Presidentit, jo si emër por thjesht si staturë, një person që nuk vjen nga partitë
6. zgjedhja konsesuale e Avokatit të Popullit
7. Komisioni i Ligjeve të trajtojë së bashku me një grup ekspertësh çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5, kjo brenda kësaj legjislature, dhe garancia se do të ketë dakordësi mbi çdo product të punës së këtij komisioni
8. Të ndërmerret një tryezë ku të përfshihet edhe opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshime në Kushtetutë në trasparencë të plotë me publikun, përsa i përket çështjes së imunitetit.
9. T’i drejtohemi Prokurorisë së Përgjithshme për dy çështje: a) zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, të cilës PS ka interes publik t’i bashkëngjisë edhe dy vrasje të tjera: atë të deputetit Xhindit dhe kryekomunarit Veselit, hetimet e të cilave i bllokon policia. B) Prokuroria të thërrasë të gjithë personat me detyra qeveritare që kanë rezultuar të përzier nën dritën e kabllogrameve të publikuara së fundi nga Wikileaks
10. Balancimi me konsensus i bordit të TVSH-së, KKRT dhe të votimi me konsensus i ligjit të mediave për t’u dhënë fund presioneve mbi mediat dhe praktikës së reklamave qeveritare paraelektorale.
Duke theksuar fjalën konsensus në të gjitha pikat e marrëveshjes, Rama u ndal në simbolikën që zgjedhjet e 8 majit i dhanë numrit 10, për të ftuar kreun e mazhorancës në bashkëpunim.
“Këto 10 pika mund ta trazojnë pak mendjen e arsyen e Saliut, por ne këto kemi. Nëse i do vërtet votat tona në Parlament, ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër, duke marrë publikisht pjesën tonë të përgjegjësisë për refuzimin e statusit të vendit kandidat vitin e shkuar dhe për të garantuar që kjo nuk do të përsëritet sërish”, përfundoi Rama.