Ashtu siç ishte paralajmëruar prej orës 05:00 të mëngjesit linjat e urbanëve në kryeqytet kanë hyrë në një grevë katër orëshe dhe kanë paralizuar lëvizjet e qytetarëve dhe nxënësve të shkollave. Greva e cila pritet të zgjasë deri në orën 09:00 ka bërë që dhjetra qytetarë të mbeten të bllokuar nëpër stacione. Sindikata e Transportit Urban bën me dije se shkak i grevës është bërë mos marrja e pagave nga punonjësit.
Kryetari i Sindikatës së Transportit Urban Zija Hasanaj shprehet se punonjësit e kësaj sindikate kanë nga tre muaj pa marrë rrogat. Ata kërkojnë që bileta e urbanit të rritet në 70 lekë si dhe të merren masa për dhënien e pagave të këtij muaji dhe të pagave të prapambetura.
“Kjo ndërprerje si shkak i prishjes së marrëveshjes së 20 dhjetorit 2013 me shoqatën e transportit urban pasi kanë dy- tre muaj pa paguar pagat e punonjësve. Në 20 janar duhet të paguheshin edhe pagat e prapambetura. Në bankë nuk është derdhur as paga e muajit janar.”- u shpreh Hasanaj.
Kreu i sindikatës paralajmëron se nëse situata nuk zgjidhet atëherë pas 15 ditësh sindikata do të zhvillojnë një grevë tjetër ku do të ndërpritet lëvizja e urbanëve për 24 orë.
Ai i bën thirrje Ministrisë së Transporteve që të zbatojë ligjin. Sipas Hasanaj nëse situata nuk zgjidhet do të ndërpritet përfundimisht puna dhe do kërkohet që gjithë punëtorët e transportit urban të dalin në asistencë për një vit.