“Bamir Topi të dalë nga qypi… të mos flasë si miza në qyp… të na sqarojë nëse do të marrë vota nga të pakënaqurit me Saliun, për të shkuar prapë te Saliu, apo do t’i kundërvihet deri në fund qeverisë?” Këto fjalë janë të Edi Ramës, thënë para 3 javësh në emisionin “Tonight me Ilva Taren”. Dhe një javë më vonë, erdhi edhe kundërpërgjigjia e Topit, në të njëjtin emision: “Unë dola nga qypi, por ti [Rama] zbrit nga pema, lëri ciu ciut dhe zbrit në terren; vendi ka nevojë për opozitë”.
Ç’ndodhi pas kësaj kundërpërgjije? Rama, si gjimnazistët idhnakë të viteve ’80 që shkëmbenin kunja me njëri-tjetrin tek bordura përballë Hotel Dajtit, nuk mund ta linte kundërpërgjigjen e Topit pa një kundër-kundërpërgjigje të tijën. Të premten e shkuar, në emisionin “Debat” të Alfred Pezës, ai tha: “[Topi] është si ata kalamajtë e Tiranës që gjuajnë me llastiqe, por me gurin e Saliut…. kam shumë arsye të besoj se, pas zgjedhjeve, ai do të ishte i gatshëm të ribashkohej me atë pjesë të kalbëzuar të së djathtës, së cilës sot i është kundërvënë.”
Si në formë edhe në përmbajtje, sulmet e Ramës ndaj Topit ishin shumë malinje. Në mënyrë përçmuese për ish-presidentin, ai praktikisht u bëri thirje votuesve potencialë të FRD-së (partisë që kryeson Topi) që të mos votojnë për këtë parti, sepse, sipas tij, votat e tyre, në mënyrë të kamufluar, do të rikanalizohen në rezervuarin e Berishës. Por, siç kam argumentuar në një shkrim të mëparshëm, shumica dërrmuese e votuesve të ardhshëm të FRD-së janë votues të djathtë që kanë votuar për PD-në në të kaluarën. Dhe kjo të bën të mendosh se Rama, duke sulmuar Bamir Topin, po shpreson të tërheqë pikërisht këta votues të djathtë drejt vetes. Déjà vu, “Përtej së majtës e së djathtës”…
Me këtë moto, Rama garoi në vitin 2009 kundër trinomit Berisha-Nano-Meta dhe, falë edhe “ndihmës” së KQZ-së së Ristanit, arriti të sigurojë për koalicionin e tij 45.3% të votës popullore. Një arritje e madhe kjo, po të kihet parasysh se i njëjti koalicion kishte marrë vetëm 41.3% të votës popullore katër vjet më parë, kur KQZ-në e drejtonte Çelibashi. Por pavarsisht nga rritja e ndjeshme prej 4%, dy pjesët e fundit të trinomit të mësipërm nuk e lanë Ramën të siguronte shifrën e artë të 71 mandateve parlamentare që do ta bënin kryeministër. Nano, nëpërmjet votave të PSV-91-shit, i hoqi 2 mandate, ndërsa Meta i hoqi 4 mandate. Dhe kështu, në postin e kryeministrit mbeti përsëri Berisha…
Ndoshta pa nxënë nga ky pësim, Rama, me sulmet e hidhura ndaj Topit dhe, në një shkallë më të butë edhe ndaj Kreshnik Spahiut, duket se ka ndërmend të futet kësaj rradhe në garë jo ndaj një trinomi, por ndaj një pentanomi. Pra, duket se ai shpreson që elektorati i majtë dhe një pjesë e elektoratit të djathtë do ta japin votën për koalicionin e tij, duke i dhënë kështu mundësinë t’i sigurojë 71 mandatet e shumëdëshiruara parlamentare vetëm me ndihmën e Gjinushit, Milos, Dules etj.
Ky do të jetë një bast personal shumë i rrezikshëm për Edi Ramën. E humbi një herë këtë lloj basti me “ndihmën” e Ristanit në 2009-ën dhe mund ta humbasë përsëri – kësaj rradhe me “ndihmën” e ‘Ristanes’. Por do ta ketë shumë të vështirë të mbijetojë politikisht në qoftë se humbet përsëri – ankesat e Ramës ndaj ‘Ristanes’ do të jenë një këngë e përsëritur që do t’i ketë lodhur veshët e partisë së tij…
Përtej bastit personal, Rama, në qoftë se vendos të garojë kundër të gjithëve, do të vërë edhe një bast të rëndë për të gjithë popullin opozitar, siç e quan ai. Një rimarrje e mandatit kryeministror nga Berisha në 2013-ën mund t’i pakësojë shumë gjasat për një rotacion politik të pushtetit në të ardhmen e afërt në Shqipëri – ndoshta pastaj do të na duhet të presim për një rotacion biologjik të pushtetit. (Kujtesë: Në moshën 86-vjeçare, Mugabe po rikandidon për një mandat të n-të presidencial në Zimbabue…)
Deri në ditën që do të zyrtarizohen koalicionet, sidoqoftë, do të rrjedhë ende edhe shumë ujë në politikën shqiptare. Dhe ndoshta Rama, duke ripeshuar në mendje sa më sipër, do të gjejë kësaj rradhe ndonjë matematikan më të saktë se Kastriot Islami (që e siguroi se do të fitonte 72-75 mandate në 2009-ën), i cili mund t’i tregojë me detaje numerike sesi Berisha rierdhi në pushtet në 2005-ën, duke udhëhequr një koalicion që mori vetëm 41.2% të votës popullore… /Respublica