Home Politike Marreveshja per kufirin me Greqine, shqyrtohet propozimi i PS

Marreveshja per kufirin me Greqine, shqyrtohet propozimi i PS

550
0

Komisioni i ligjeve ka nisur shqyrtimin e amendementeve të projektligjit për mbikqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror.

Projektligji, amendamentet e të cilit janë propozuar nga Ilir Gjoni bëjnë të mundur rivendosjen e kufinjve shtetërorë të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në komision, ministri i brendshëm Bujar Nishani ka propozuar që propozimi i PS-së të futet në ligjin e rojës bregdetare, propozim i cili është miratuar në parim me konsensus nga të gjitha palët.

“Edhe pse nuk ka kufi me Greqinë janë piramidat ato të cilat tregojnë kufirin mes dy vendeve. Ne nuk jemi kundër ligjit, por të futet në një ligj tjetër, jo tek propozimi i PS-së” deklaroi më herët Nishani.
Drafti “Për një ndryshim në ligjin 9861, datë 24.01.2008 “Për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit shtetëror” përcakton se “kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe të traktateve dypalëshë ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi.

Ndryshe nga ligji i 2008-ës që e la vendin pa kufij, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë duke vendosur dhe koordinatat e sakta. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, thuhet në draft, shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjerësi prej 12 miljesh detare duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit, Kepi i Pallës, i Lagjit, derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ndërsa gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det, deri te Kepi i Rodonit, shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav.

Nisma e paraqitur në Kuvend nga grupi parlamentar socialist përcakton dhe kufijtë e brendshëm të vendit tonë. “Ujërat e brendshëm territorialë të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur më sipër, dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë”, përfundon propozimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here