Home Aktualitet Takimi me Papulias, Nishani: Te hiqet ligji i luftes

Takimi me Papulias, Nishani: Te hiqet ligji i luftes

707
0

nishani-papuliasShqipëria këmbëngul në kërkesën drejtuar Greqisë për të hequr ligjin e luftës, që do i hapë rrugë dhe zgjidhjes së çështjes çame, por sërish nuk merr asnjë përgjigje nga pala greke.

Këtë herë kërkesa drejtuar Athinës u bë nga Presidenti shqiptar Bujar Nishani drejtuar homologut të tij grek, Karolos Papulias në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri si President i Greqisë, por zyrtarisht para medias, nuk mori asnjë përgjigje.

“Kërkojmë që Parlamenti grek të shfuqizojë ligjin e luftës dhe që mban nën sekuestro pasuritë e shqiptarëve.”- tha Nishani në deklaratën shtyp, në prani dhe të homologut grek Papulias, menjëherë pas takimeve dy palëshe.

Presidenti Karolos Papulias tha se vizita e tij është një shtysë të re e marrëdhënieve greko-shqiptare por e kaloi në heshtje çështjen e ligjit të luftës duke këmbëngulur në respektimin e të drejtave të minoritetit grek nga shteti shqiptar.

Paraditen e sotme, Presidenti Nishani e priti me nderime të larta, dhe organizoi një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje për homologun grek të cilin e kishte ftuar vetë në Shqipëri.

E ndërsa të dy presidentët po zhvillonin takimin, tek Piramida, disa metra larg Presidencës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” shoqata “Çamëria” zhvillonte një protestë ku i kujtonte Presidentit grek, preardhjen e tij dhe i kërkonin të mbante fjalën e thënë 20 vite më parë për të hapur bisedimet për zgjidhjen e çështjes çame.

Ata i kërkuan dhe krerëve të lartë të shtetit shqiptarë të mos heshtin por në emër të parimit të reciprocitetit të bëjnë detyrën Kushtetuese për zgjidhjen e çështjes çame, dhe heqjen e ligjit të luftës.

ANULOHET KONFERENCA PER SHTYP, PRESIDENTET MBAJTEN VETEM DEKLARATA
Ajo që ishte parashikuar si konferencë e përbashkët për shtyp, përfundoi vetëm në një deklaratë shtypi që secili presidenti mbajti para gazetarëve në Presidencë. Gazetarët nuk u lejuan të bëjnë asnjë pyetje.

NISHANI: ME VULLNET TE PERBASHKET TE ZGJIDHIM TE GJITHA PROBLEMET
”Është kënaqësi për mua si President të pres Presidentin e grek, Karolos Papulias si autoriteti më i lartë në Greqi. Vlerësova larg presidentin Papulias dhe rolin e tij të çmuar mes fqinjësisë së Shqipërisë dhe Greqisë, gjatë periudhave që ai ka shërbyer në pozicione të ndryshme. Falenderova homologun grek, për ndihmën dhe mundësitë që u ka dhënë emigrantëve shqiptarë në Greqi. Gjithashtu vlerësova lart mbështetjen e Greqisë, për integrimin e Shqipërisë në BE, në anëtarësimin në NATO. Viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm, pasi Greqia merr udhëheqjen e BE-së, por edhe ne si shtet kemi pritshmëri të mëdha. Vlerësuam me Presidentin Papulias, për marrëdhënie miqësore mes dy vendeve dhe u ndalëm konkretisht në nxitjen e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve greke në Shqipëri. Theksuam rëndësinë e kontakteve më të shpeshta në nivela më të larta dhe vlerësuam rëndësinë që kanë projektet, TAP dhe ai Adriatiko-Jonian, për rajonin. Në axhendën e marrëdhënieve dy palëve, ka edhe çështje të mbartura apo të reja dhe këto çështje u ngritën gjatë takimit. Marrëdhëniet tona nuk duhet të pengohen nga çështje të së shkuarës. Fryma e Traktatit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë duhet të jetë në bazë të marrëdhënieve tona. Besojmë se me vullnet të përbashkët në kuadër të marrëdhënieve dy palëshe duhet të zgjidhen të gjitha problemet.

ORA 12: 30 NISHANI: TE HIQET LIGJI I LUFTES
Presidenti shqiptar Bujar Nishani tha se ka kërkuar presidentit që parlamenti grek të heqë ligjin e luftës dhe shprehu gadishmërinë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për cështjen e kufijve detarë. Jo vetëm kaq Presidenti kërkoi dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Kërkojmë që Parlamenti grek të shfuqizojë ligjin e luftës dhe që mban nën sekuestro pasuritë e shqiptarëve.Çështja e detit mbetet një cështje për tu zgjidhur dhe ne jemi të gatshëm të zgjidhim këtë çështje në bazë të të drejtës ndërkombëtare. Ndajmë edhe opionione për gjendjen në rajon.” – tha Nishani duke i kërkuar Greqisë të njohë pavarësinë e Kosovës.

PAPULIAS: TE RESPEKTOHEN TE DREJTAT E MINORITETIT GREK
“Me presidentin Nishani shqyrtuam çështje që kanë të bëjnë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë por edhe për ato rajonale. Vizita ime në Tiranë na jep rastin për t’i dhënë një shtysë të re të marrëdhënieve greko-shqiptare dhe kjo është një gjë e mirë edhe për rajonin. Minoriteti etnik grek përbën një nyjë lidhëse dhe të pazgjidhshme mes dy popujve tanë. Grekët e Shqipërisë janë një pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe të drejtat e tyre duhet të respektohen. Nga ana tjetër, qindra e mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, përbëjnë një nyje lidhëse në marrëdhëniet tona. Tavolina e rrumbullakët që do të bëhet sot do tu japë mundës biznesmenëve shqiptarë dhe grekë që të zhvillojnë marrëdhënit. Shqipëria është një partner i Greqisë dhe me gjithë krizën ekonomike, biznesi grek është një nga investitorët më të mëdha.”- tha Papulias.

ORA 10:00- 10: 40 PROTESTA ÇAME: PAPULIAS MBAJ FJALEN TE ZGJIDHIM CESHTJEN CAME
E ndërsa të dy presidentët po zhvillonin takimin, tek Piramida, disa metra larg Presidencës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” shoqata “Çamëria”
Protesta zgjati mbi 30 minuta.

“Ne i themi sot se 20 vite kaluan ndaj Papulias duhe të mbajë fjalën dhe të japë kontributin për zgjidhjen e çështjes çame. Të ndërmarrë inisiativën e heqjes së ligjit të luftës që mban peng ligjin e pronave. Çështja çame do të kontribuonte mes marrëdhënieve të dy vendeve. Nuk mund të ketë miqësi mes dy vvendeve nëse mbetet e pazgjidhur kjo çëshje. Politika greke të ndërmarra hapa për zgjidhjen e saj. Ne nuk bëjmë kompromise për çështjen tonë, është cështje historike politike dhe kërkohet vullnet politik”- tha Ardian Tana, kreu i shoqatës Çamëria

IDRIZI: GREQIA SPOSTOI PROTESTEN, PAPULIAS TE MOS KETE FRIKE NGA NE
”Sot erdhëm në një shesh tjetër sepse pala greke kishte frikë prej nesh por etnia e kombi nuk mohohen. Protesta jonë nuk ishte kundër Papulias por kundër politikës greke që ai e ka përfaqësuar në mënyra më të buta. Çështja çame do të jetë gjithmonë e gjallë. Është protestë për drejtësi. Pala greke që ka kërkuar largimin e protestës nga Presidenca bën sot si struci duke fshehur kokën në rërë e bën sikur nuk e sheh forcimin tone. Por ne jemi në çdo shesh. Presidenti është bashkëkombasi ynë çamë ortodoksë dhe vetëm ai nuk duhej të tregonte frikë ndaj nesh por kompeksi makbethian e bëri kështu. Ai është dëshimtar i genocidit grek. Ai e di mirë se ne nuk kemi bashkëpunuar me luftuesit pasi ka luftuar krah për krah me komunitetin Çamëria”

Protestuesit i kujtuan fjalët e Papulias më 1993 se çështja came i ka ende plagët e hapura dhe se duhet diskutuar pas 20 vitesh.

“Papulias në 1993 ke premtuar se çështjen çame ta trajtojmë pas 20 vitesh. Kanë kaluar 20 vjet dhe plagët janë tonat ne nuk i harrojmë”- i tha Idrizi duke shtuar “Ju duhet të keni frikë nga neonazistët e Agimit të Artë, jo nga ne”.

Ora 10:00 PAPULIAS NE PRESIDENCE PRITET NGA NISHANI
Presidenti grek, Papulias mbërrin në presidencë. Vetë Presidenti Nishani kishte dalë ta priste dhe ceremonia shtetërore e mirëseardhjes u zhvillua në oborrin e Presidencës, ku u kënduan himnet e dy shteteve. Më pas dy presidentët hynë në godinë për të vijuar takimin.

ORA 09: 49 ÇAMET NGRENE PANKARTAT: HIQNI LIGJIN E LUFTES
Çamët bëhen gati për protestën që pritet të nisë në orën 10:00.
Protesta e cila organizohet nga shoqata Çamëria do të zhvillohet tek Piramida dhe tashmë organizatorët kanë vendosur pankartat ku shkruhet ndër të tjera “Hiqni ligjin e luftës”.

Ndërkohë policia ka bllokuar qarkullimin tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” Protesta ishte parakishuar të zhvillohej para Presidencës, por policia e zhvendosi tek Piramida për shkaqe sigurie.

“Me liderët miq shqiptarë do të diskutojmë hapur dhe me vërtetësi të gjithë çështjet e marrëdhënieve dy palëshe” ka thënë Papualias pas takimit të djeshëm me Vangjel Dule shkruajnë mediat greke.

DELEGACIONI QE E SHOQERON PAPULIAS
Papulias shoqerohet ne Tirane nga nje delegacion ministrash e zv/ministrash grek i përbëre nga ministri i Mbrojtjes, Dimitris Avramopoulos,zv ministri i Energjisë dhe Zhvillimit, Yannis Maniatis, ministri i Arsimit, Costas Arvanitopoulos dhe zv/ministri i Jashtëm grek Akis Gerontopoulou.

I njohur si arkitekti i miqësisë Shqipëri-Greqi, Papulias do te diskutojë në lidhje me Zonat Ekskluzive Ekonomike të cilat Shqipëria është në një linjë me Turqinë, duke mos njohur sovranitetin grek në ishjut shkëmborë të Korfuzit. Kjo ka komplikuar procesin e negociatave, ndërsa nevoja për përcaktimin e kufijve detare mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është e domosdoshme pasi ajo është e lidhur direkt me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe midis Italisë dhe Greqisë për kalimin e tubacionit të TAP në Itali.

“Sipas presidencës greke qëllimi i kësaj vizite është për t’i dhënë një vrull të ri marrëdhënieve dy palëshe, për shkak të vullnetit të Shqipërisë për të forcuar procesin e pranimit të saj në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh disponibilitetin e Qeverisë së Edi Ramës për të provuar profilin e tij -pro evropian” shkruan news.it. Mesazhi nga Athina në Tiranë është se nëse Shqipëria dëshiron të hyjë në orbitën europiane duhet të përballet me sfidat e qarqeve nacionaliste e aspiratat irredentiste duke promovuar çështje serioze të tilla si përcaktimi i Zonave Ekskluzive Ekonomike por edhe të ndihmojë e mbështesë minoritetin.

Presidenti Nishani dhe Presidenti Papoulias do të jenë të pranishëm dhe do të përshëndesin Tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet sot në hotel “Rogner”.

Takimi i parë i Papuliasit dje në Tiranë ishte me kreun e Kishës Autoqefale Ortodoske, Janullatos. Më pas zhvilloi takim me partinë e minoritetit grek, PBDNJ, mes tyre dhe Vangjel Dule.

Papulias është me origjinë nga fshati Voshtinë, sot Pogonian i Çamërisë, krahina etnike e Shqipërisë Jugore e aneksuar nga Greqia pas Konferencës së Londrës në 1913 dhe u shpërngul së andejmi me familjen pasi grekët nisën dëbimin masiv të popullatës etnike shqiptare çame.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here