Home Aktualitet Vrasja, Konomi u survejua 2 javë

Vrasja, Konomi u survejua 2 javë

545
0

Grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është kthyer sërish dje në Vlorë për kryerjen e veprimeve në terren lidhur me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.Shkak për rikthimin e hetuesve në Vlorë është bërë nevoja për sqarimin e disa rrethanave që mund të ndihmojnë zbardhjen e ngjarjes. Sipas burimeve nga Prokuroria dhe Policia, është krijuar tashmë ideja e qartë për hetuesit se gjyqtari Skerdilajd Konomi është ndjekur në të gjitha lëvizjet e tij në pjesën e dytë të muajit gusht. “Pala e interesuar për vrasjen, për të mos u ekspozuar vetë, pasi ishte në konflikt me gjyqtarin, dyshohet se ka përdorur njerëz të porositur të cilët fillimisht kanë mbikëqyrur vendbanimin e gjyqtarit, më tej parkimin e deri tek itinerari i lëvizjes së tij, çdo mëngjes nga shtëpia deri në zyrën e punës në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës”, thanë burime të Policisë së Vlorës. Sipas hetuesve, personi apo personat që kanë ndjekur gjyqtarin, me shumë gjasa, janë maskuar si turistë të çfarëdoshëm që po qëndronin në qytetin e Vlorës për të kaluar pushimet e verës. Nisur nga ky fakt, hetimi ka përfshirë edhe verifikimin në regjistrat e disa hoteleve që ndodhen në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku banonte edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi. Pasi kanë mësuar adresën e banimit të Konomit, i cili pak muaj më parë ishte ndarë nga prindërit, si dhe vendin e parkimit të dy mjeteve, makina e gjyqtarit dhe e bashkëshortes, autorët e krimit kanë nisur nga puna. Një ditë para atentatit me eksploziv, ata kanë shpuar gomat e makinës së gjyqtarit, një fuoristradë “Benz ML”. Më pas, ata kanë vënë tritolin në mjetin e bashkëshortes së 33-vjeçarit, një “Benz 250? që hapet kollaj. Duke ditur se gjyqtari do të përdorte makinën e gruas, pasi mjeti i tij ishte dëmtuar, atentatorët kanë montuar bombën, të cilën e kanë aktivizuar të nesërmen teksa gjyqtari ndodhej në timonin e mjetit në qendër të Vlorës.
Hetimi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dy ditë më parë se persona me sjellje të pazakontë dhe të çuditshme ishin parë kohët e fundit pranë banesës së gjyqtarit. Nishani theksoi po ashtu se pista e vrasjes për shkak të detyrës nuk ka prova të forta dhe të besueshme, duke lënë në fuqi variantin e ekzekutimit për problemet e pronësisë. Gjyqtari Skerdilajd Konomi ishte në listën e trashëgimtarëve të një prone rreth 400 hektarë tokë në Hamallaj dhe Gjirin e Lalëzit, në bregdetin e Durrësit. Që prej vitit 2007, kur nisi beteja gjyqësore për zotërimin e kësaj prone, gjyqtari Skerdilajd Konomi ishte kthyer në njeriun kyç të çështjes, për shkak se ai u kujdes për përgatitjen e dosjes, me të cilën fitoi gjyqin në Gjykatën e Durrësit dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, më 16 qershor 2011, i dha pronën Konomit, por ai u pengua të hipotekonte atë, për shkak se pala kundërshtare depozitoi kërkesë në Gjykatë për bllokimin e truallit prej rreth 151 hektarësh tokë në Rrashbull, zonë në Hamallaj të Durrësit.

Dy pistat
Dy kanë qenë pistat kryesore që ka ngritur prokuroria, pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi më 9 shtator në Vlorë. Për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, prokuroria ka hetuar pistën e vrasjes për shkak të detyrës, ndërkohë që provat kryesore janë mbledhur për variantin e vrasjes për shkak të konfliktit të pronësisë, nisur nga sipërfaqja dhe vlera e madhe e tokës në Hamallaj e Gjirin e Lalëzit në Durrës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here