Home Aktualitet Raporti KE: Shqiperia ploteson kriteret per liberalizimin e vizave

Raporti KE: Shqiperia ploteson kriteret per liberalizimin e vizave

634
0

Shqipëria kalon provimin për vizat. Komisioni Evropian në raportin përfundimtar të publikuar për këtë çështje, shprehet se shteti shqiptar i ka përmbushur të tre kriteret e kërkuara që do ti mundësojnë lëvizjen e lirë qytetarëve shqiptarë. Kështu është bërë progres në riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar, i cili ishte dhe kriteri i parë, është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por sipas draftit, rastet e njerëzve të dënuar janë mjaft të ulëta. Gjithashtu, vlerësohet se ligji për konfiskim e aseteve kriminale në të shumtën e rasteve është zbatuar me përpikëri.
Raporti
Komisioni Evropian vlerëson Shqipërinë për përmbushjen kritereve për liberalizmin e vizave. Sipas raportit të bërë publik nga ”Top Channel” vërehet një progres i mirë në bërjen e “detyrave të shtëpisë” të lënë nga KE. Drafti thekson se kriteri për riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar ka pasur mjaft progres, por vëren se përpjekjet e autoriteteve shqiptare duhet të vijojnë edhe me tej. “Në përgjithësi, përpjekjet për të garantuar zbatim efikas të strategjisë së re dhe planit të aksionit, duhet të vijojnë. Rëndësi të veçantë do të ketë bashkëpunimi i ngushtë i të gjitha agjencive të përfshira, mbledhja dhe analiza efikase e të dhënave. Do të ishte e këshillueshme që të rishikohej rregullisht strategjia dhe plani i aksionit sipas eksperiencës së përftuar”, thuhet në raport.
Kritikat
Lidhur me luftën ndaj korrupsionit, e cila i përket kriterit të dytë të vendosur nga KE, raporti vlerëson se është bërë progres por duhet më shumë punë në disa sektorë që ka ende mangësi. ”Në shumicën e rasteve të korrupsionit që janë hetuar, janë të përfshirë zyrtarë të nivelit të ulët. Megjithëse në disa raste është hequr dorë nga imuniteti i gjyqtarëve për të investiguar akuzat për korrupsion. Autoritetet kompetente hetimore duhet të jenë më proaktivë dhe përdorimi i mjeteve për analizën e riskut duhet të zgjerohen. Më shumë progres duhet bërë për të amenduar legjislacionin për të garantuar se shtrirja e gjerë e imunitetit të gjyqtarëve dhe politikanëve nuk rrezikon hetimin efikas të rasteve të korrupsionit”, thuhet në raport. Lidhur me kriterin e tretë, vërehet një progres për konfiskimin e aseteve kriminale dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Pas dorëzimit të këtij dokumenti, Komiteti përgjegjës në Parlamentin Evropian pritet të votojë raportin për liberalizimin e vizave në mbledhjen e 27-28 shtatorit, për t’i kaluar më pas seancës plenare në tetor. Shqyrtimi i kësaj çështjeje nga ministrat e Brendshëm evropianë është planifikuar në 8-9 nëntor. Në rast se në këtë Këshill merret vendim pozitiv, qytetarët shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen të BE që në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Kriteri 1
Kriteri i parë ka të bëjë me zhvillimin e një strategjie dhe politikave për të mbështetur riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar: “Është bërë progres i mirë. Strategjia për integrimin e qytetareve shqiptarë të riatdhesuar 2010-2015 u miratua në qershor dhe shoqërohet nga një plan aksioni për zbatimin e tij efikas. Strategjia aplikohet ndaj gjithë të kthyerve, përfshirë dhe rastet e kthimit vullnetar, dhe në fokus të veçantë është kthimi i shqiptarëve sipas marrëveshjes së riatdhesimit BE-Shqipëri. Strategjia ka një mekanizëm për promovimin e integrimit të të riatdhesuarve që mbulon nevojat kryesore të tyre, të tilla si regjistrimi, banesa, edukimi dhe punësimi”.

Kriteri 2
Në kriterin e dytë mbi zbatimin efikas të luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, vendi vlerësohet të ketë bërë gjithashtu progres të mirë në forcimin e kapaciteteve investiguese dhe administrative si dhe në rritjen e aktivitetit hetimor, por rastet e dënimit mbeten të ulëta sipas raportit. “Numri i rasteve ku një vendim gjyqësor është marrë mbetet ende i ulët, por ndjekja dhe hetimi i kryer muajt e fundit pritet të reflektohet në statistikat e gjyqësorit me njëfarë vonese”, thuhet për kriterin e dytë. Ndërsa vlerësohen disa amendime të bëra së fundi në kuadrin ligjor, si trajnimet dhe bashkëpunimi mes institucioneve në fushën e krimit të organizuar, për korrupsionin theksohet se nevojitet më shumë progres për të realizuar në veçanti hetim efikas që sipas Komisionit pengohet nga imuniteti i politikaneve apo i gjyqtarëve.

Kriteri 3
Për kriterin e tretë mbi konfiskimin e aseteve kriminale, dokumenti vlerëson se është bërë progres i mirë. “Në mënyrë që të arrihet zbatimi efikas i ligjit të Dhjetorit 2009 mbi konfiskimin e të ardhurave nga krimi, i ashtuquajturi ligji “antimafia”,  burimet njerëzore të njësisë që merret me hetimin e aseteve të krimit të organizuar, në nivel qendror e lokal, janë shtuar në mënyrë thelbësore. Duhet të garantohet interpretimi i bashkuar për zbatimin e legjislacionit nga të gjithë prokurorët. Është planifikuar një rritje e stafit të agjencisë për administrimin e aseteve kriminale”. Pas dorëzimit të këtij dokumenti, Komiteti përgjegjës në Parlamentin Evropian pritet të votojë raportin për liberalizimin e vizave në mbledhjen e 27-28 shtatorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here