Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me homologun Benjamin Netanjahu, në kuadër të vizitës së tij në Izrael.
Netanjahu vlerësoi marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve dhe siguroi kryeministrin Berisha se do të nxisë investitorët izraelitë të vijnë në Shqipëri.
Kryeministri Netanjahu deklaroi se do të vizitojë shumë shpejt Tiranën, ndërkohë që theksoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të nxitur bashkëpunimin me Shqipërinë.
“Shqipëria ka perspektivë ekonomike. Modeli juaj ekonomik është shumë i suksesshëm. Do të nxisim bashkëpunimin në fushën e arsimit e teknologjisë.”,- deklaroi Netanjahu.
BERISHA TAKON KRYETARIN E PARLAMENTIT, REUVEN RIVLIN
Ora: 13:50- Gjatë vizitës së tij zyrtare në Jeruzalem, Kryeministri Berisha u prit gjithashtu në një takim nga kryetari i parlamentit, Reuven Rivlin.
Kryetari i Parlamentit i shprehu atij mirënjohjen më të thellë për atë çfarë Shqipëria dhe populli i saj kanë bërë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shpëtuar hebrenjtë.
Rivlin vlerësoi kontributin e kryeministrit Berisha në krye të qeverisë shqiptare për reformat e rëndësishme të cilat kanë transformuar Shqipërinë. Ai u shpreh se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe se “në Izrael e vlerësojnë atë që kryeministri Berisha ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj edhe presim që Shqipëria t’i bashkohet së shpejti Bashkimit Evropian”.
Kryeministri Berisha theksoi në këtë takim se e shkuara jonë është një moment shumë frymëzues, e cila na shtyn të forcojmë edhe me tej marrëdhëniet në të gjitha fushat me Izraelin. “Ne, – u shpreh kryeministri, – jemi shumë të lumtur për potencialet e shumta të dy vendeve për bashkëpunim dhe vullnetin e palëkundur të tyre për t’i zhvilluar marrëdhëniet në të gjitha fushat”.
Në takim, dy personalitetet diskutuan edhe rreth zhvillimeve në rajon. Berisha u shpreh se stabiliteti afatgjatë është i lidhur ngushtë me demokratizimin e vendeve të këtij rajoni. “Shqipëria vlerëson mbështetjen që qeveria izraelite i bëri deklaratës së Kuartetit (SHBA, Rusi, BE dhe OKB) si një udhërrëfyes me hapa konkrete që çojnë drejtë paqes, si dhe uron që edhe pala palestineze të bëj të njëjtën gjë”, tha kryeministri.
LIEBERMAN-BERISHËS: IZRAELI DO HAPË AMBASADË NË TIRANË
Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Izrael është takuar edhe me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme z. Avigdor Lieberman. Gjatë një darke të shtruar për nder të delegacionit shqiptar, Liberman i ka komunikuar kryeministrit Berisha, lajmin se së shpejti Izraeli do do të hapë ambasadën e tij në Tiranë.
Gjatë darkës u vlerësua vizita e kryeministrit Berisha si një kontribut i rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit midis dy qeverive e vendeve.
BERISHA TAKON PRESIDENTIN SHIMON PERES
Në nisje të vizitës së tij zyrtare në Jerusalem, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres.
Presidenti Peres, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis të dy vendeve, si dhe e cilësoi këtë vizitë të kryeministrit si një kontribut tjetër për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre.
Presidenti Shimon Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht, për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e kombit dhe shtetit të tij për qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të paqes e sigurisë në këtë rajon.
Ndërsa kryeministri Berisha risiguroi Peres për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti në fusha si ato të bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit, etj.
Në përgjigje të interesit të Presidentit Peres për progresin në Shqipëri, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe arritjeve të rëndësishme në një sërë fushash.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Peres të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.