Tentakulat e bosëve shqiptarë të drogës kanë arritur deri te drejtorët e senatit italian. Një aksion i njoftuar dje nga policia e Romës njoftoi arrestimin e shtetasit Italian Orlando Ranaldi, i cili ishte drejtor i komunikimit postar pranë Senatit, por lajmi që vjen pas këtij arresti ishte se Drejtori Italian në Senat në fakt ishte ortak me një narkotrafikant të madh shqiptar i shpallur në kërkim dhe se përdorte postin e tij për të shpërndarë kokainë dhe për të orientuar trafikun nga zyra e tij.
Të gjitha mediet më të mëdha italiane kanë bërë të njohur këtë lajm ditën e djeshme ndërsa mësohet se në këtë aksion janë arrestuar në total 10 persona tre prej të cilëve janë shqiptarë. Drejtori i Zyrës së Komunikimit Postar është konsideruar si krahu i djathtë i një trafikanti të rëndësishëm shqiptar i cili dyshohet se kishte nën kontroll trafikun e kokainës në zonën jugore të Romës. Arrestimi i Orlando Ranaldit ka ardhur në kuadër të një hetimi të bërë ndaj një organizate ku italianët dhe shqiptarët kishin lidhur aleancë për tregtimin e kokainës. Hetimet zbuluan se drejtori i arrestuar në disa raste kishte bërë dorëzimin e lekëve të fituara nga shitja e drogës pikërisht në zyrën e tij në senat.
Mediet italiane kanë bërë të ditur se hetimet për këtë organizatë kanë zgjatur rreth gjashtë muaj dhe nëpërmjet përgjimeve dhe teknikave të tjera zbuluese janë arrestuar disa persona në flagrancë dhe janë sekuestruar në mënyrë të përsëritur disa sasi kokaine të vlefshme për krijimin e qindra dozave të gatshme për shpërndarje. Por arrestimi i Drejtorit të Komunikimit Postar të Senatit duket se i ka habitur të gjithë. Në këtë mënyrë mediet italiane citonin dje zyrtarin e senatit Paolo Franco i cili komentonte arrestimin e bujshëm. “Unë dua të saktësoj, që nuk bëhet fjalë për një nëpunës të senatit por të postës. Por ne kemi një marrëveshje me postën italiane dhe në bazë të kësaj marrëveshje në senat vijnë herë pas here punonjës të postës. Por më duhet të pranoj se lajmi për arrestimin na ka habitur të gjithëve”,-ka thënë dje zyrtari i lartë i Senatit italian Paolo Franco.
Lajmi për shkatërrimin e organizatës italo-shqiptare që kishte shtrirë influencën e saj deri në zyrat e senatit është bërë objekt komentesh edhe nga politikanë të ndryshëm italianë të cilët me ironi shpreheshin se shpresonin që drejtori i arrestuar të mos kishte filluar të furnizonte me kokainë antarët e senatit. Nga ana tjetër mediet italianë kanë mësyrë në llogarinë “tuitter” dhe “facebook” të drejtorit të arrestuar Orlando Ronaldi duke ironizuar madje disa komente dhe statuse të tij të bëra në profilet private përmbajtja e të cilave shprehte revoltën e drejtorit të arrestuar ndaj politikës italiane. Nga ana e tyre hetuesit e çështjes e kanë marrë më seriozisht atë që ka ndodhur duke shtuar se ka edhe persona të tjerë që janë nën hetim dhe që dyshohen sit ë implikuar në trafikun e kokainës që menaxhonte kjo organizatë.