Një aventurë e nisur në dehje e sipër ka shkaktuar një incident me eskortën e kryeministrit Sali Berisha gjatë një udhëtimi nga Durrësi në Tiranë.
Protagonisti i incidentit është 33-vjeçari Romir Kopliku, djali i ish-zv/kryeministrit Bashkim Kopliku, i cili ka ndjekur nga Vora në Tiranë makinat e Gardës që shoqëronin kryeministrin, pas një vizite të tij në Durrës.
Burime të sigurta të policisë së Tiranës bënë me dije për MAPO-n se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur makina “Benz” e drejtuar nga Kopliku, i është afruar eskortës së Kryeministrit në pikën ku bashkohet rruga e Maminasit me autostradën. Në rrethana të paqarta, kjo makinë ka tentuar të parakalojë makinën e fundit të eskortës, që sipas burimeve i përkiste policisë rrugore të Tiranës.
Drejtuesi i makinës së fundit të eskortës është përpjekur të mbajë nën kontroll “Benzin” e dyshimtë, por ai ka vazhduar ndjekjen në përpjekje për të hyrë në mes të makinave të Gardës. Një burim nga policia i tha MAPO-s se në këto rrethana, punonjësit e Gardës kanë kërkuar përforcime të policisë rrugore, në mënyrë që të bllokonin drejtuesin deri në atë moment të panjohur të makinës “Benz”.
Një postbllok policie është ngritur fillimisht në mbikalimin e Rinasit, por pa mundur të ndalnin furinë e Romir Koplikut. Një tjetër fakt që vështirësonte ndërhyrjen e policisë ishte prania e disa vajzave në makinën e 33-vjeçarit, ndaj edhe ndjekja ka vazhduar deri në afërsinë e “Zogut të Zi” në Tiranë. Burime të policisë sqarojnë se eskorta e kryeministrit Berisha ka mundur ta shmangë makinën që e ndiqte në rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”. Forcat e Policisë Rrugore kanë mundur të izolojnë më pas makinën “Benz” që sfidoi për 20 kilometra masat e sigurisë për lëvizjen e Kryeministrit. “Në përpjekje për t’i shpëtuar ndalimit nga policia, makina është përplasur me trafik-ndarësen në afërsi të ‘Zogut të Zi’. Megjithatë, ka vazhduar të ecë me shpejtësi derisa është ndaluar në afërsi të stadiumit ‘Dinamo”, – i tha MAPO-s burimi nga policia.
Forcat e policisë kanë ndaluar Romir Koplikun dhe vajzat që e shoqëronin, duke i izoluar për disa orë në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë. 33-vjeçari ka qenë krejt i dehur në momentin e ndalimit, çka duket se ka qenë edhe shkaku i ndjekjes që ai i bëri eskortës së kryeministrit Berisha. Çështja është marrë nën hetim nga agjentët e anti-terrorit, por nuk janë gjetur elementë të një akti kundër kryeministrit. Djali i ish-zv/kryeministrit Kopliku është mbajtur për disa orë në polici, për t’u liruar më pas nga hetuesit. E vetmja masë e marrë ndaj tij ka qenë heqja e patentës nga punonjësit e Policisë Rrugore, për shkak se aventura e ndjekjes së eskortës së Kryeministrit është ndërmarrë prej tij në gjendje krejt të dehur.