Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka njoftuar para pak castesh dorëheqjen nga postet e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë.
Në një komunikim me gazetarët, Meta ka deklaruar se vendimi i tij është personal dhe ka si qëllim lehtësimin e hetimit të prokurorisë ndaj tij.
“Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryteministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim”, ka deklaruar Meta.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, gjë që nuk mund ta bënte për sa kohë kishte poste qeveritare që i garantonin atij imunitet.
“Ky ka qenë dhe mbetet vendimi im personal dhe mbetet gjithashtu i parevokueshëm. Nuk mund të paraqitem si zëvendëskryeministër dhe ministër në prokurori”, ka pohuar Meta.
Më tej kryetari i LSI-së ka hedhur akuza ndaj ish-vartësit të tij, Dritan Prifti, për përfshirje në afera dhe për një të kaluar me precedentë kriminalë.
“Shqipëria nuk mund të merret peng nga krimi i organizuar dhe monstra si Dritan Prifti, i cili ka një të kaluar kriminale”, ka shtuar Meta, duke paralajmëruar një betejë ligjore ndaj Priftit.