Home Aktualitet Ilir Meta: Ja arsyet pse vendosa të jap dorëheqjen

Ilir Meta: Ja arsyet pse vendosa të jap dorëheqjen

686
0

Ilir meta nuk është më zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë në qeverinë Berisha. Ditën e djeshme kreu i LSI ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga kabineti pas publikimit të një kasete të regjistruar në zyrën e Dritan Priftit një vit më parë. Meta ka thënë se po e bën këtë akt për tu paraqitur para drejtësisë si qytetar i thjesht duke hequr dorë nga funksionet në qeveri. Në konferencën për shtyp, Meta njoftoi se shumë shpejt do të dorëzojë një padi kundër Dritan Priftit. Meta tha se sjellja dhe veprimet e Dritan Priftit janë tërësisht të patolerushme dhe të kontrolluara nga grupe kriminale.
Dorëheqja
Ndër arsyet kryesore të Metës për të dhënë dorëheqjen ishte përballja me drejtësinë dhe nxjerrja në dritë e së vërtetës që u publikua tre ditë më parë në emisionin “Fiks Fare”. “Zotit Sali Berisha i kam njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet qeveritare dhe njëkohësisht i kam konfirmuar kryeministrit, zotit Berisha dhe kryetarit të PD njëkohësisht vendosmërinë edhe më të madhe, edhe më të fortë timen si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të forcës politike që unë përfaqësoj për të konsoliduar më tej koalicionin qeverisës si një domosdoshmëri për t’i dhënë goditje përfundimtare krimit të organizuar në këtë vend”, tha Meta. Më tej kreu i LSI tha se e pa si të pamjaftueshme lënien vetëm të imunitetit për këtë vendosi të ikë dhe nga qeveria. “Nuk mund të konsideroj se është e mjaftueshme vetëm lënia e imunitetit për t’u përballur me ligjin dhe drejtësinë por njëkohësisht është shumë e rëndësishme edhe lënia e detyrave qeveritare jo vetëm për të shkuar në prokurori dhe në organet e zbatimit të ligjit si një qytetar i barabartë me të gjithë qytetarët e tjera të Shqipërisë, por natyrisht ky monstruozitet politik moral njerëzor nuk mund të mbetet vetëm me vërtetësinë e cila është tashmë e qartë për të gjithë shqiptarët politikisht dhe moralisht”, u shpreh Meta.
Përballja me Priftin
Meta gjatë fjalës së tij ka folur dhe për përballjen me atë që në këto momente është armiku më i madh i tij. Për Ilir Metën përballja me Priftin do të vij shumë shpejt në dyert e drejtësisë. “Gjithçka do të fillojë në kohën e duhur, kjo është një betejë e fituar politikisht, moralisht dhe ligjërisht. Shqipëria dhe shqiptarët, absolutisht, nuk mund të merren peng nga krimi i organizuar dhe mostrat si Dritan Prifti dhe të tjerë, të cilat janë njerëz që kanë humbur përjetësisht lirinë  dhe dinjitetin e tyre për shkak të së kaluarës korruptive dhe kriminale”, tha Meta. Në fund kreu i LSI ka folur dhe për përballjen me drejtësinë. Ai tha se ende nuk ka një thirrje, por sa ta ketë do të jetë plotësisht i gatshëm.

Për dorëheqjen
“Nuk mund të konsideroj se është e mjaftueshme vetëm lënia e imunitetit për t’u përballur me ligjin dhe drejtësinë por njëkohësisht është shumë e rëndësishme edhe lënia e detyrave qeveritare jo vetëm për të shkuar në prokurori dhe në organet e zbatimit të ligjit si një qytetar i barabartë me të gjithë qytetarët e tjera të Shqipërisë, por natyrisht ky monstruozitet politik moral njerëzor nuk mund të mbetet vetëm me vërtetësinë e cila është tashmë e qartë për të gjithë shqiptarët politikisht dhe moralisht”.

Për motivet
“Ky ka qenë dhe mbetet një vendim i imi personal për të cilin unë thjesht i kam komunikuar arsyet dhe motivet Kryeministrit Berisha, të cilat janë pikërisht ato që përmenda edhe përpara jush. Ky ka qenë dhe mbetet një vendim i parevokueshëm, pasi e deklaroj edhe një herë tjetër, që në përballje me ligjin, në përballje me drejtësinë unë nuk mund të pranoj që të shkoj si Zv. Kryeministër dhe ministër. Aq më tepër që në iniciativat e mia ligjore penale dhe civile ndaj monstrës Dritan Prifti përsëri unë nuk mund të pranoj që të paraqitem si Zv. Kryeministër apo si ministër.”

Vangjel Tavo caktohet si nënkryetar i Kuvendit në vend të Naços

LSI: Haxhinasto e Naço në vendin e Metës

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi menjëherë për zëvendësimin e vendeve të lëna bosh në qeveri. Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto emërohet në postin e zëvendëskryeministrit. Në postin e ministrit të Ekonomisë, është emëruar Nasif Naço, deri më tani në postin e nënkryetarit të Kuvendit. Deputeti Vangjel Tavo emërohet nënkryetar i Kuvendit, post që e mbante deri më tani deputeti tjetër Nasip Naço. Mbledhja e Kryesisë së LSI-së nisi punën në orën 15:00, vetëm pak orë pasi kreu i kësaj partie vendosi të jepte dorëheqjen nga pozicionet që mbante në qeveri. “Z. Edmond Haxhinasto, aktualisht ministër i Jashtëm, do të jetë dhe zv. kryeministër në qeverinë që drejton zoti Berisha. Ndërkaq, në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë, dhe Energjetikës propozohet zoti Nasip Naco, aktualisht nënkryetar i Kuvendit. Ndërsa për vendin e nënkryetarit të Kuvendit, propozohet deputeti i njohur Vangjel Tavo”, bëri të ditur vendimin e kryesisë së LSI, sekretari i përgjithshëm Luan Rama. Meta u largua dje nga posti i zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë pas një videoje të transmetuar tre ditë më parë në media. Këto propozime të Kryesisë së LSI-së pritet që t’i dorëzohen mazhorancës dhe konkretisht, kryetarit të saj Sali Berisha për t’u marrë në konsideratë, në kuadrin e koalicionit qeveritar të përbashkët.

Ilir Meta CV
Ilir Meta ka lindur më 24 Mars 1969 në Skrapar. Në vitin 1992 u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, ku vazhdoi edhe studimet pasuniversitare. Ilir Meta është Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), parti të cilën e krijoi në Shtator 2004.
Që prej 16 Shtatorit 2010, z.Meta mban postin e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Gjatë periudhës Shtator 2009 – Shtator 2010 ai ka mbajtur postin e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në legjislaturën e kaluar ai mbante postin e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian.
Ilir Meta është angazhuar në politikë që prej vitit 1990, kur ai ishte pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Studentore që solli pluralizmin politik në Shqipëri.
Që prej vitit 1992 z.Meta është zgjedhur Deputet në të gjitha legjislaturat, me pjesëmarrje aktive në shumë Komisione parlamentare.
Gjatë periudhës 1996-1997 ai ka mbajtur postin e Zv.Kryetarit të Komisionit të Jashtëm Parlamentar.
Gjatë periudhës Tetor 1998 – Tetor 1999, Ilir Meta mbajti postin e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Koordinimit dhe në periudhën Mars – Tetor 1998, atë të Sekretarit të Shtetit për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në Nëntor 1999, Ilir Meta mori postin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare u rizgjodh Kryeministër në Shtator 2001, post të cilin e mbajti deri në Shkurt 2002. Gjatë kësaj periudhe,
Shqipëria ndërmori një sërë reformash të rëndësishme duke u përfshirë në Proçesin e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, Ilir Meta ka mbajtur postin e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme.
Gjatë periudhës 2004 – 2006, Ilir Meta ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i kryesuar nga Ish-Kryeministri Italian, Giuliano Amato. Komisioni hartoi një sërë rekomandimesh të rëndësishme për intregrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian.
Ilir Meta ka qenë lektor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe ka mbajtur ligjërata në mjaft universitete dhe akademi të mirënjohura në botë, përfshirë këtu edhe Universitetin e Harvardit dhe Akademinë Europiane në Berlin.
Z.Meta është i martuar me Monika Kryemadhin. Ata kanë dy vajza dhe një djalë; Bora, Era dhe Besar. Ilir Meta zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here