Një Barcelonë shumë e motivuar bëri ligjin në “San Mames” kundër Atletiko Bilbaos dhe tani, pas javës së 22-të, lufta për titullin kampion është rindezur. Blaugranat dje me fitoren me goleadë 2-5 në transfertë shkojnë në 9 triumfe radhazi. Largësia nga Reali është vetëm 1 pikë, për më tepër që katalanasit nuk fitonin në Bilbao që prej sezonit 2010-’11. Njeriu i ndeshjes ishte i zakonshmi Mesi, i cili dje shënoi golin e tij të 10-të në 8 takime (23 në kampionat). Suarez u zhbllokua pas 1 muaji. Mesi – Masat e bardhekuqve për të ndaluar Barçën janë presingu dhe presioni sa më afër portës kundërshtare. Por vendësit nuk mundën të bënin asgjë ndaj potencialit të individualiteteve të blaugranave. Miqtë, edhe pse vuajtën që të ndërtonin lojën e tyre, kaluan në avantazh në të 15-n minutë falë një të majtë të Mesit, të devijuar nga Laporte. I frymëzuar, ylli argjentinas pas 5 minutash krosoi për te Suarezi, i cili gjuajti me kokë dhe pa se si iu mohua goli nga një ndërhyrje e bukur e gardianit Irazioz. Por “El Pistolero” e gjeti golin në të 26-n, kur “Pleshti” i pasoi sërish saktë dhe ai me të djathtën nuk gaboi këtë herë. Shi golash – Në të njëjtën kohë gjeti mënyrën për të marrë disa duartrokitje edhe portieri i Barçës, Bravo. Gardiani kilian bëri dy pritje të mrekullueshme në të 19′ pas gjuajtjes së Adurizit (goditi shtyllën në të 32′) dhe në të 24′, pasi Susaeta goditi me të djathtën fluturimthi. Por Bravo nuk mundi të bënte dot asgjë në gjuajtjen e Rikos në të 60′, që rihapi lojën, pas goditjes së fuqishme të Adurizit të grushtuar. Gjithsesi, goli solli reagimin e menjëhershëm të Barçës, kur Suarezi në të 61 i dha Mesit një pasim të artë, që u fut në portë pas një prekjeje të De Markosit. Pas 4 minutash u shfaq Nejmari, i cili u tregua i zoti në fitimin e duelit me portierin Irazioz.
“Manita” – Emocionet nuk mbaruan aty, pasi pas 60 sekondash Adurizi shfrytëzoi një asist të Muniainit dhe gjuajti fuqishëm me të djathtën e tij duke shkurtuar rezultatin. Takimi gjithsesi vazhdoi të dhuronte të tjera emocione. Në të 75′, Etkseita e humbi toruan dhe bëri një “ndërhyrje kriminale” ndaj Suarezit. Uruguaiani u detyrua të dilte nga loja, vendin e të cili e mori Pedro. Me një futbollist më pak, vendësit pë- suan golin e 5-të nga zëvendë- suesi spanjoll. Për katalanasit, fitorja e djeshme ishte e 500-ta në transfertë në La Liga.