Çelsi, Bajerni dhe Reali presin biletën për një vend midis 16 skuadrave më të mira të Europës, në një mbrëmje me shumë emocione dhe gola, ku spikat padyshim ndeshja në “San Siro” midis Milanit dhe Realit të Madridit, por dhe fitorja 7-0 e Marsejës me modestët e Zilinës. Bajerni i Munihut edhe pse me mungesa i mbylli llogaritë në grupin e tij, pas fitores 4-0 më Kluzhin në Rumani. Për finalistët e sezonit të kaluar, tashmë në kuotën e 12 pikëve, realizoi një tripletë sulmuesi Mario Gomez (12’, 24’ dhe 71) dhe Tomas Muleri. Roma ia doli të rikuperojë dy vende në renditje, duke u pozicionuar tani e dyta me gjashtë pikë pas fitores 3-2 me Bazelin në Zvicër, me Menezin, Totin (penallti) dhe Grekon si realizues të golave të italianëve dhe Aleksandër Frein dhe shqiptarin Xherdan Shaqirin si shënues të zviceranëve.
Në grupin F, katër gola të realizuar nga Nikolas Anelka në pjesën e parë dhe Didier Drogba (me penallti) dhe Branislav Ivanoviç (2) në të dytën, i siguruan Çelsit fitoren 4-1 ndaj Spartakut të Moskës, njëherësh edhe suksesi i katërt në po aq ndeshje dhe një vend midis 16 skuadrave më të mira të Europës. Po për këtë grup, Marseja ishte si një “tërmet 7-ballësh” ndaj modesteve të Zilinisë, duke fituar 7-0 në Sllovaki. Sulmuesi francez Andre-Pier Ginjak ishte autori i një triplete, të shoqëruar me golat Heinces, Remisë dhe Gonzalesit (dopjetë). Marseja u ngit në kuotën e 6 pikëve, duke kapur vendin e dytë në grupin F.
Kryendeshja e grupit G, ajo midis Milanit dhe Realit përfundoi në barazim 2-2, dhe me një hero të madh në fushë, Pipo Inzagin, të cilit i mjaftuan vetëm 30 minuta lojë për të firmosur fitoren. Pas shpërdorimeve të rasteve nga të dyja ekipet, ku kulmon një mundësi e pashfrytëzuar nga Zlatan Ibrahimoviçi pas asistit të Ronaldinjos, ishte sulmuesi argjentinas i Realit të Madridit, Gonzalo Higuain ai që shënoi i pari në “San Siro”, pikërisht në limitin e pjesës së parë.
Masimiliano Alegri në minutën e 60-të largoi Ronaldinjon, duke i bërë vend Filipo Inzagit, edhe pse braziliani nuk ishte shumë dakord me zëvendësimin. Golin e barazimit për kuqezinjtë e Milanit e shënoi pikërisht një gjahtar i pastër goli, Filipo Inzagi (70’), edhe pse sulmuesi është jo pak, por 37 vjeç. Goli i tij i 69-të në Ligën e Kampioneve, duke lënë pas Raulin me 68 gola.
Pas vetëm 8 minutash Super-Pipo realizoi edhe golin e tij të dytë në këtë takim, – madrilenët pretenduan për pozicion jashtë loje – duke shokuar Realin e Hoze Murinjos. Për Super-Pipon bëhet fjalë për golin e 70-të në Europë, më shumë se kushdo tjetër. Atëherë kur Milani besonte se do të shkonte në dhomat e zhveshje, Reali goditi në minutën e 94-të me zëvendësuesin Pedro Leon.
Okseri i Francës fitoi 2-1 me Ajaksin e Holandës. Samaritano dhe Langil shënuan për francezët, Alderveilerd për amsterdamasit. Renditja në grupin G është kjo: Reali i Madridit 10, Milani 5, Ajaksi 4 dhe Oskeri 3. Reali siguroi kualifikimin, ndërsa Milani dhe Ajaksi do të luftojnë midis tyre për vendin e dytë.
Ukraianasit e Shahktar Donteskut i dhanë një leksion të hidhur 2-1 Arsenalit, edhe pse londinezët shënuan të parët me Teo Uollkotin pas vetëm dhjetë minutash. Autogoli i Istmond (28’) dhe goli i Eduardos (48’) i siguruan një fitore historike formacionit të Mirçea Luçeskut , duke u barazuar me pikë me Arsenalin, nga 9. Braga nga ana e saj fitoi 1-0 (Moises 35’) me Partizanin në Beograd, duke e mbajtur ende të hapur këtë grup kur kanë mbetur edhe dy ndeshje.