Home Kulture Silvana Braçe: arsyet qe me detyruan te largohesha nga ekrani

Silvana Braçe: arsyet qe me detyruan te largohesha nga ekrani

2231
0

Silvana Braçe është një nga ato prezantuese që i ka zgjeruar përmasat e figurës dhe personalitetit të saj artistik, duke i qëndruar vazhdimisht besnike ekranit dhe skenës. Mënyra e saj e çiltër e komunikimit, sinqeriteti në raport me kamerën dhe shikuesin, inteligjenca e lindur dhe ajo profesionale e fituar hap pas hapi, e kanë bërë Silvanën tepër të dashur për publikun. Në të folurën dhe në sjelljen e saj, ka diçka dlirësisht të pafajshme, kurse në dialog ajo ruan gjithnjë mençurinë dhe finesën që i duhet një femre moderne. Këto cilësi i ruan edhe përtej ekranit, në jetën e saj të përditshme. Silvana Brace është prezenca më fisnike dhe më dinjitoze e ekranit shqiptar të të gjitha kohërave. Këto ditë e takuam Silvanën para RTSH-së, dashurisë dhe pasionit të saj të hershëm. Përdore mbante të birin, Fatjonin, ende të vogël, me një përkujdesje të admirueshme, marrëdhënie, që zgjonte kuriozitet. Që në dialogun e parë, në bisedën tonë vendoset një intimitet prej miqsh të vjetër dhe në këtë atmosferë miqësore, ajo vazhdon t’u përgjigjet me çiltërsi pyetjeve tona.
A mund të na thoni diçka për fëmijërinë, për ëndrrat dhe pasionet e para?
Po më shtyni shumë vite tutje duke më afruar me kujtimet, që kanë mbetur më të ëmblat e jetës. Edhe pse fëmijëria ime nuk ka qenë aq e begatë apo me fat, ajo përsëri ka mbetur mall i ëmbël. Kam qenë fëmijë e vetme, por prindërit nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë “tekat”e mia, ndaj dhe fëmijëria ime ka pasur tronditjet, aksidentet dhe gëzimet e vogla, mes të cilave po rritej një shpirt i ndjeshëm, i ndrojtur, i heshtur, ëndërrimtar, një zemër e vogël e pastër, e cila që herët do të kuptonte, se jeta për të s’do të ishte aspak e lehtë. Ëndrrat e mia të para, nuk kanë qenë të lidhura me artin, por me jetën princërore, një ngjashmëri e hatashme me mjedisin, që ndërtoi Maria Antuanetë. Më pas lindi pasioni për akrobacinë, këngën dhe vallëzimin. Fëmijërinë e kam kaluar në Tiranë, ku dhe kam lindur, ndaj ndoshta jam kaq e lidhur me këtë qytet të jashtëzakonshëm, më të bukurin për mua, sepse në çdo vend dhe hap, kam ndjesinë e njohjes dhe sigurisë, edhe kujtimet,patjetër.
Si u gjendët në botën e ekranit?
Papritur e pa kujtuar u gjenda aty. S’ishte e projektuar nga familja ose unë, por fati çoi të më takonte me ekranin. Nisja që, kaq e natyrshme dhe e pasforcuar, gjë që u ndje në daljet e mia të para dhe qe pikërisht ky shpengim që më siguroi vazhdimësinë. Ishte koha e pushimeve verore për të kaluar nga arsimi tetëvjeçar(atëherë) për në arsimin e mesëm. Prindërit nuk dinin ku të më orientonin dhe unë gjithashtu. Në këto përsiatje një udhëtim me tren sikur shtroi dhe trasenë e jetës time. Gazetari i Radio Tiranës Kadri Karapici me dëgjoi në komunikim me nënën dhe i bëri përshtypje zëri, artikulimi, s’di çfarë tjetër, por më propozoi, që të paraqitem në Radio Tirana për t’u provuar në mikrofon. A do të tingëllonte ky zë edhe për dëgjuesit e radios? Dhe zhvillimi qe fantastik. Shpejt kapërceva edhe në studion televizive. Sikur fati dhe të tjerët mendonin për mua!Kështu erdha dhe u rrita mes korridoreve të RTSH-së dhe atyre të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, e më pas universitetit në fakultetin e ekonomisë.
A ju kujtohen emocionet nga herët e para kur ju keni dalë në skenë apo në ekran?
Siç ju tregova, fillimi ka qenë shumë i natyrshëm si një dhuratë ,ndaj nuk shkaktoi shumë emocion. Isha dhe shumë e re e nuk e njihja ndjenjën e përgjegjësisë dhe vlerën e kësaj pune. Emocionet e forta, kujtoj të më kenë mbërthyer në festivalin e parë që prezantova. Ishte festivali i 19 në RTSH. Prezantonim Dhimitër Gjoka dhe unë me regji të Vera Grabockës. Vija pas 2-3 viteve përvojë dhe pritja e publikut me lëvdata të larta më kishte prekur në shpirt, duke më ndërgjegjësuar për pozicionin që kisha tashmë. Pas kësaj emocionet më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ato kanë qenë të shumta dhe nga drejtime të ndryshme.
Eksperienca juaj nuk ka qenë vetëm brenda mureve të televizionit, por dhe jashtë tij. A mund të na tregoni ndonjë ndodhi gjatë veprimtarisë tuaj si prezantuese?
Ka plot ngjarje në këtë udhë gati 30 vjeçare, në skena e studio, në sheshe e stadiume nëpër gjithë viset shqiptare, që nga Prishtina, Tetova, Ulqini në Krujë, Shkodër, Lushnjë e Berat edhe në New York, Stokholm, Athinë e Romë kudo që ndodhen bashkatdhetarët tanë. Por meqenëse ju Rezarta jeni nga Skrapari, më kujtoni udhëtimin atje në malet e Gjerbësit. Isha vetëm 16 vjeç atëherë kur me një grup xhirimi të TV do realizonim një program me këngëtarin e folklorit Demir Zyko “Artist i popullit”. Teksa udhëtonim mes maleve në një frenim të rrezikshëm, buzë një humnere, shoferi kuptoi që funksiononte vetëm njeri prej frenave. Kishim ende shumë rrugë për të bërë, por gëzimi i moshës dhe pasioni për punën e mundën frikën e pas atij udhëtimi ferr u shfaq shplodhëse pllaja e bleruar dhe mikpritja e të gjithë fshatit. Përsa i përket skenës s’kujtoj diçka të veçantë, që të më ketë gjetur në befasi. Kjo ndoshta nga që i mbërthej mirë punët para se ti nis. Me e shumta problemet në skenë kanë qenë me shkallët, por kam shpëtuar vetëm me pengesa, pa u rrëzuar fare. Aventura artistike ka tronditjet e forta emocionale. Ajo më ka përballur dhe me yjet më të shndritshëm. Unë kam patur fatin që të intervistojë për herë të parë në Shqipëri aktorin hollivudian, Xhim Belushi dhe jam kaq e lumtur që sot ai ka ardhur e riardhur në Shqipëri dhe magjinë e artit të tij po e shfaq edhe në ekranin tonë. Gjithashtu kam pasur fatin të prezantoj koncertin më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, mendoj, recitalin me krijimtarinë e Limos Dizdarit interpretuar nga Vaçe Zela dhe Gaqo Çako. Në rastin e parë në 1995 ,regjisori Leonard Gjata më thotë në televizion “shpejt, shpejt se vjen në Rinas Belushi”. Unë nuk e dija, dhe isha veshur si zakonisht, dhe krehja po ashtu. Nuk dija çfarë të bëja, më duhej të ndryshoja jo vetëm për rastin, por dhe për kamerën. Gjeta një fustan në gardërobën e televizionit, por që ishte për skenë se nuk kishte tjetër alternative dhe flokët s,kisha kohe t’i rregulloja. Kështu përfundova me fustan skene me shkëlqim dhe me dy gërsheta. Mu duk sikur lash nam, e sajuar, por artisti që vinte nga Amerika ishte më i thjeshtë se unë. Të dukej sikur kishte jetuar me ne, thellësisht shqiptar, jo vetëm nga paraqitja, por dhe nga sjelljet më së shumti. Ishte tradicional, me përkujdesje të dukshme për babain, për djalin dhe për ne të televizionit. Ai bashkëbisedoi sikur të njiheshim prej kohësh. Ndërsa në rastin e koncertit në Teatrin e Operas dhe Baletit ku do të këndonin Vaçe Zela dhe Gaqo Çako, unë shkova dy orë para shfaqjes dhe në dhomën e grimit shoh artisten e adhuruar Vaçe Zela jo në shkëlqim, por në vuajtjen e saj, mbuluar me djersë, me drithërima, e zverdhur përpiqej të trukohej, por….. emocione, kaq të forta s’kisha parë deri atëherë tek një njeri. Me inoçencën e moshës unë fola çfarë s’flitej në atë rast. I thashë për veten se kisha fjetur gjumë, se kisha ngrënë mirë se isha shumë e qetë. Artistja më dëgjoi me durim dhe me urtësi më tha “e kuptoj pse ti je kaq e shpenguar, sepse është fillimi yt. Pas disa viteve do të më kujtosh”. Dhe mbeti që unë ta kujtoj përgjithmonë sepse në qoftë se thashë qe, s’kisha parë ndonjëherë emocione si të artistes, tani shoh të miat, që vetëm rriten, sa më shumë kohë kalon. Me një diferencë të vogël në orë, artisti merr goditjet më të forta, frikën për t’u nisur dhe gëzimin tronditës të suksesit. Është aq e domosdoshme që artistëve t’ua japim një opinion, një duartrokitje. Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja jonë në emocionin dhe veprën e tyre.
Ku e ndjeni veten më mirë në skenë apo në studio?
Më e qetë kam qenë në studio, por më e përfshirë jam ndjerë në skenë. Mund të them se skena është maksimumi i përjetimit të madhështisë.
Pse nuk u realizua ëndrra juaj për baletin?
S’munda ta ndjek këtë pasion sepse, ndoshta ishte një ëndërr mashtruese. Unë doja dhe dija të vallëzoja sikurse dhe sot, por e kisha të vështirë t’i nënshtrohesha rregullave dhe regjimit. Isha një shpirt i lirë që vallëzoja dhe fluturoja nën ritmin tim. Besoj që ky pasion t’i ketë shërbyer më pas profesionit që unë fitova me kohë,ndërsa shpirti i lirë ishte ai që turbullonte shpesh marrëdhënien time në punë.
A ju pengonte politika e asaj kohe në profesion dhe sa e lirë ndjeheshit për të vepruar sipas mënyrës tuaj?
Tani ajo kohë më duket e largët dhe ato pak momente ku më kanë ndërhyrë në mënyrën e prezantimit ose të paraqitjes, tashmë janë zbehur. Ndërsa për tekstet që i lexoja ose i mësoja përmendësh ato ishin të përgatitura nga të tjerë dhe të kontrolluara, kështu që nuk kishte rast për vërejtje. Kujtoj vetëm stërzgjatjen e procesit për pranimin tim për të dalë në ekran, pasi kisha probleme me biografinë politike të familjes. Kujtoj shqetësimin e prindërve se unë s’ia dija rëndësinë kësaj pune. Isha vetëm një gjimnaziste. Kur nisa punën në televizion si e përhershme, ishte një kohë tjetër. Kishte nisur era e ndryshimeve dhe unë tashmë isha rritur dhe pak a shumë isha pajisur me një pjekuri artistike. Pra kam qenë me fat edhe në këtë pikë, sepse kur arrita të përgatisja vete programet e mia, atëherë të gjitha ishin në favorin tim.
Si është Silvana jashtë botës së ekranit?
Është një nënë, një grua, një mike e mirë, e njëtrajtshme me të gjithë në ç’do kohë rënie ose suksesi, e lexueshme qartësisht, e dhimbsur skajshmerisht. Kur erdhi Buskalia në bibliotekat tona nuk gjeta asgjë të re. Këshillat e tij ishin mënyra ime e të jetuarit. E kujdesshme,të mos lëndoj,por të përtërij këdo që kam pranë.
Si u larguat nga bota e ekranit dhe a do të donit të riktheheshit përsëri aty?
Le ta quajmë si një pushim që çdo artist, apo krijues e do në punën e tij. Edhe lodhja mund të kishte qenë një arsye e largimit, pasi kam punuar pa asnjë shkëputje, me shumë intensitet për një kohë shumë të gjatë. Po rasti qe më i bukur se një pushim i shumëpritur. Ishte ardhja në jetë e një fëmije. Linda Fatjonin, që ma hoqi mendjen nga televizioni dhe nga e gjithë bota përreth. Sytë e mi shikojnë vetëm atë. Jemi kthyer në Tiranë tashmë, pas gjashtë viteve në Itali, me shpresën që Fatjonit do t’i pëlqejë shumë çka këtu dhe mami të ketë mundësi t’i rikthehet punës edhe njëherë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here