Home Shendetesi Djersitja e tepert, semundjet qe paralajmeron

Djersitja e tepert, semundjet qe paralajmeron

1303
0

djersitjaDjersitja dhe të mirat e saj

Djersitja është një mënyrë e eleminimit të lëngjeve të tepërta nga organizmi dhe luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e temperaturës së trupit. Trupi vazhdimisht çliron djersë edhe atëherë kur nuk jemi te vetëdijshëm për këtë. Djersitja mund të ndodhë në kushte fiziologjike dhe në kushte patologjike. Në kushte fiziologjike djersitemi për shkak të veprimtarisë së shtuar fizike.

Nxjerrja e djersës në këtë rast ndihmon në uljen e temperaturës së trupit. Po ashtu djersitim shumë në verë, sepse temperaturat janë më të larta dhe djersitja bën një ruajtje të temperaturës midis temperaturës së jashtme dhe të brendshme, ruan një ekuilibër midis dy sistemeve brenda dhe jashtë organizmit.

Djersitja verës është e domosdoshme për të ftohur trupin, ndërsa disa hulumtime kanë treguar se parandalimi i djersitjes gjatë verës, duke përdorur antiperspirantë dhe pajisje të klimatizimit mund të ketë efekte negative në shëndet.

Djersitja është forma më e shpejtë e lirimit të trupit nga toksinat. Me djersitjen sekretohen lëndët e dëmshme, siç janë alkooli, kolesteroli dhe kripa, dhe përmirësohet shëndeti kardiovaskular, sepse zemra nën ndikim të ngrohjes së trupit punon në mënyrë të forcuar për të përmirësuar qarkullimin. Djersitja po ashtu mund të ngadalësojë plakjen e lëkurës. Ajo hap poret, çka përmirëson përbërjen dhe pamjen e lëkurës. Djersitja është e shkëlqyer për dobësim. Në një orë djersitje mund të shpenzohen deri në 300 kalori. Gjithashtu, djersitja redukton nivelin e stresit.

Djersitja e tepërt

Por përveç djersitjes fiziologjike të nevojshme për të ruajtur ekuilibrin termik të organizmit, mund të ndodhë djersitja e tepërt ose e shtuar (hiperhidroza), që për mjekët, përveçse një sëmundje e lindur, mund të jetë “sinjal alarmi” për çrregullime endokrine, përfshirë këtu sëmundjet e tiroides, sëmundjen e diabetit, e deri edhe sëmundjet malinje. Edhe temperatura e lartë shoqërohet gjithmonë me djersitje, pas marrjes së substancave që e ulin atë. Gjithashtu menopauza e shtatzënia mund të sjellin shtim të djersitjes.

Megjithatë, nuk është vendosur ende një përkufizim standard i djersitjes së shtuar. Për qëllime praktike çdo sasi e djersitjes që ndërhyn me aktivitetet e jetës së përditshme mund të përkufizohet e të shihet si hiperhidrozë. Siç është vërejtur në një studim, në disa pacientë prodhimi i djersës mund të jetë i shtuar rreth 40 herë mbi vlerat normale. Ata paraqiten zakonisht me djersitjen e një ose më shumë pjesëve të trupit, siç janë sqetullat, pëllëmbët e duarve, këmbët ose fytyra.

Problemi i hiperidrozës fillon zakonisht gjatë pubertetit (9 – 16 vjeç) dhe vazhdon gjithë jetën, me njëfarë ulje të intensitetit, në varësi të gjendjes psiko-fiziologjike të personit. Kjo dukuri shqetësuese dhe e bezdisshme, që shpesh nuk varet nga temperatura e mjedisit, shfaqet në çdo stinë dhe përkeqësohet zakonisht gjatë verës. Për sa i përket jetës sociale, personat qe vuajnë nga hiperidroza, shpesh e përjetojnë këtë dukuri me ulje të vetëvlerësimit dhe izolim nga shoqëria. Edhe kryerja e aktivitetit normal në punë dhe në jetën e përditshme, kthehet në një problem jo vetëm fizik, por edhe psikologjik. Djersa e tepërt, përveç bezdisjes që krijon tek personat e prekur, mund të bëhet shkak i depozitimit në lëkurë të baktereve, të cilët më proceset e fermentimeve prodhojnë aroma të pakëndshme. Djersitja është një dukuri normale gjatë motit të nxehtë, është një proces natyror dhe është e pamundur të ndërpritet. Vetë djersa nuk kundërmon, por bakteret që krijohen në vendet e djersitura në kontakt me ajrin lëshojnë erë të pakëndshme.

Shfaqja dhe trajtimi

Hiperhidroza ndahet në hiperhidrozë parësore ose idiopatike dhe dytësore, në varësi të shkaqeve të ndryshme. Ky klasifikim mund të kategorizohet më tej duke iu referuar paraqitjes klinike si hiperhidrozë e gjeneralizuar e tërë trupit ose fokale (e kufizuar). Hiperhidroza parësore është zakonisht e kufizuar dhe haset në sqetulla, pëllëmbët e duarve ose të këmbëve dhe fytyrë.

Hiperhidroza dytësore mund të jetë e lokalizuar ose e përgjithshme, që prek gjithë trupin. Hiperhidroza dytësore, siç e tregon edhe vetë emri, shkaktohet si rezultat i një sërë shkaqesh dytësore. Këto shkaqe dytësore mund të përfshijnë disa gjendje mjekësore, medikamentet, ose përgjigjet e ekzagjeruara fiziologjike ndaj nxehtësisë, lagështirës ose aktivitetit fizik. Hiperhidroza e përgjithshme dytësore vërehet në patologji të ndryshme siç janë: çrregullimet endokrine, përfshirë këtu sëmundjet e tiroides, sëmundjen e diabetit, infeksionet akute ose kronike, sëmundjet malinje dhe sëmundjet e shoqëruara me çrregullime të mëdha të sistemit simpatik, si shoku kardiovaskular, pamjaftueshmëria respiratore dhe varësia nga alkooli dhe droga.

Hiperhidroza dytësore mund të paraqitet gjithashtu si hiperhidrozë e lokalizuar. Hiperhidroza dytësore e paraqitur në mënyrë lokale lidhet në më të shumtën e rasteve me dëmtimet neurologjike. Trajtimi i kësaj sëmundjeje mund të jetë lokal, oral, kirurgjikal ose jokirurgjikal. Çdonjëra nga këto mënyra trajtimi është e ndryshme në varësi të indikacioneve, efikasitetit terapeutik, kohëzgjatjes të veprimit, efekteve anësore dhe kostos së terapisë. Megjithatë trajtimi i hiperhidrozës kërkon që të jetë një trajtim i individualizuar në varësi të gjendjes klinike dhe në bashkëbisedim me pacientin.

Këshilla që pakësojnë djersitjen dhe ndikimin negativ të saj

Përveç trajtimit të sëmundjeve që sjellin shtimin e djersitjes, mund të marrim edhe disa masa të tjera që pakësojnë djersitjen dhe ndikimin negativ të saj.

-Kështu, këshillohen disa norma higjienike, si: të përdoret sapun dhe detergjentë që respektojnë pH e lëkurës, të lahen shpesh duart, të shmangen substancat irrituese, të bëhet kujdes për plagët e lëkurës sado të vogla qofshin, të shmangen alkooli, duhani, kafeja, erëzat pikante etj.

-Në përgjithësi, zgjidhja e parë për format e buta është me antidjersë me bazë kripërash të aluminit, ose alumin zirconium. Shumë persona i ngatërrojnë këto produkte me deodorantët, që sjellin shmangien e erërave të pakëndshme në trup dhe nuk ndikojnë në prodhimin e djersës. Megjithatë, në shitje ka edhe antidjersa me veprim deodoranti, për një aromë më të mirë.

-Edhe depilimi ose heqja e qimeve në vendet që djersiten, është një hap në luftë ndaj erërave të pakëndshme. Largimi i qimeve pengon mbajtjen e djersës dhe ndryshimin e përbërjes së saj kimike.

-Pastrimi i rregullt, disa herë në ditë, po ashtu ndihmon shumë, por uji duhet të jetë i vakët. Nëse bëni dush me ujë të ftohtë, trupi tenton ta rikthejë sa më shpejt temperaturën, nxehet dhe atëherë sërish filloni të djersiteni.

-Deodorantet është mirë të përdoren pas pastrimit, ndërsa shmangni parfumet e rënda, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës.

-Një tjetër ilaç është iontophoresis, i cili synon të zvogëlojë sekretimin e gjëndrave ekrine duke përdorur elektricitet në një intensitet të ulët. Në përgjithësi rezultatet janë të kënaqshme pas 10-15 seancash.

-Në rast se trupi juaj nuk u përgjigjet këtyre terapive, mund të zgjidhni kirurgjinë, për aq kohë sa ju besoni në duart e ekspertëve, për të minimizuar rrezikun e efekteve anësore dhe për të rritur shanset për sukses.

-Përveç ndërhyrjes kirurgjikale, hiperidroza mund të trajtohet me rezultate shumë të kënaqshme me anë të injeksionit të botulinit (botoks). Ky medikament përmban toksinën botulinike të tipit A të purifikuar, injeksioni i së cilës bllokon lëshimin e acetilkolinës në nivelin e mbaresave nervore pre – sinaptike dhe si rrjedhojë, edhe trasmetimin e impulsit nervor. Me këtë mekanizëm bllokohet edhe prodhimi i djersës. Megjithëse përdoret tashmë prej shumë vitesh, duhet të kemi parasysh që, botulini është një medikament i cili duhet të aplikohet vetëm nga mjekë ekspertë, në klinika të specializuara. Duhet të bëhet kujdes që trajtimet me botulin të mos kryhen nga persona pa përvojë dhe është e ndaluar të kryhen auto – injeksione, pasi dëmet mund të jenë të konsiderueshme.

-Trajtimi me botoks është komod, me pak dhimbje, nuk ka nevojë për anestezi dhe zgjat 15 – 30 minuta. Nuk është e nevojshme një periudhë rekuperimi pas trajtimit dhe rikthimi në jetën e përditshme është i menjëhershëm. Rezultati është shumë i kënaqshëm dhe zgjat mesatarisht 4 – 8 muaj. Më pas, djersitja do të rifillojë gradualisht, por shpesh, edhe pas një viti nuk arrihen nivelet e djersitjes para trajtimit. Në pjesën më të madhe të rasteve, për të mbajtur nën kontroll hiperidrozën, është i mjaftueshëm një trajtim në vit, duke preferuar periudhën para verës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here