Kolegji Zgjedhor pas kërkesës së Partisë Socialiste për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ 49 ka vendosur pushimin e çështjes. Kolegji ka shqyrtuar ankimin e PS për mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ 49 nga ana e KQZ-së si dhe tejkalimin e afatit për nxjerrjen e rezultatit të Tiranës. Në kërkesën ankimore të paraqitur nga PS-ja thuhet se, në përfundim të numërimit të votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, dhjetë KZAZ-të e kësaj zone aprovuan tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e miratoi këtë tabelë. Nga numërimi i kutisë së fundit në njësinë 5, për kryetar të Bashkisë së Tiranës 5, Edi Rama, doli me dhjetë vota avantazh, në një kohë kur numri i votave të kontestuara ishte shumë herë më i madh, dhe kur ende nuk ishin hapur kutitë për funksione të tjera, nga të cilat rezultoi së shumë qytetarë kishin hedhe dhe votën për kreun e bashkisë së Tiranës. Në këtë rast, KQZ në rolin e KZAZ-së për Bashkinë e Tiranës, pasi numëroi votat në këto kuti nxori dhe tabelën e rezultatit të njësisë 5 dhe tabelën përmbledhëse, sipas të cilës Lulzim Basha është fitues i Bashkisë me 81 vota plus.
Reagimi i PS-së
Partia Socialiste e ka vlerësuar si tërësisht ilegjitim vendimin e parë të marrë sot nga Kolegji Zgjedhor, që pushoi çështjen e KZAZ-së numër 49. Sipas partisë më të madhe të opozitës, trupi gjykues e ka pasur të pamundur të marrë vendimin e duhur për shkak të presioneve politike. “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është tërësisht i pabazuar në ligj. Vendimi flet qartë për vështirësitë e Kolegjit për vënien e drejtësisë në vend. Trupi gjykues e kishte të pamundur të vendoste në bazë të ligjit dhe jo të politikës”, thuhet në një deklaratë të PS. Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se, Partia Socialiste do të vazhdojë ta kërkojë të drejtën e saj në dyert e drejtësisë.
Arvizu: Lexojeni të plotë deklaratën e Kantrimen,jo vetëm pjesët që u interesojnë
Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, është shprehur në mbështetje të deklaratës së dhënë nga Kantrimen. Ai u shpreh se deklarata e Kantrimenit ishte e qartë, e thjeshtë, konçize dhe mjaft e kuptueshme. “Nëse e keni lexuar me kujdes deklaratën, nuk ka asnjë pyetje përsa i përket qëndrimit të SHBA për situatën në Shqipëri. Ajo që Kantrimen ka nënvizuar, është ajo që unë mendoj. Duket lexuar e gjithë deklarata për të marrë kuptimin e saj dhe jo vetëm pjesët që u interesojnë”, tha Arvizu. Ambasadori amerikan mori pjesë në betimin e 39 vullnetarëve të korpusit të paqes, i cili kryhet për çdo vit në Elbasan. Betimi u krye pas përfundimit të trajnimit dhe duke nisur nga nesër do të nisin të punojnë në bashkitë, komunat, shkollat dhe qendrat shëndetësore në mbarë Shqipërinë. Gjatë dy viteve të ardhshme ata do të punojnë si mësues të gjuhës angleze, edukatorë për promovimin shëndetësor, këshilltarë në fushën e zhvillimit organizativ të komunitetit. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryetari i bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, i cili falënderoi vullnetarët e Korpusit të Paqes. Ai ka vlerësuar asistencën e vullnetarëve dhe nënvizoi se vullnetarët do të jenë gjithnjë të mirëpritur në këtë qytet. Vullnetarët e Korpusit të Paqes e nisën aktivitetin e tyre në vendin tonë në vitin 1992 me ftesë të qeverisë shqiptare. Deri më tani në vendin tonë kanë shërbyer 310 mijë vullnetarë. Korpusi u themelua në vitin 1961 nga presidenti amerikan John Kenedy. Që nga ajo kohë, ai është i shpërndarë në më shumë se 140 vende të botës dhe ka si synim promovimin e vlerave dhe dhënien e ndihmës dhe kontributit konkret për popujt.
Majko:Jo presion,ne kemi me vete drejtësinë
Ish-kryeministri dhe një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste, Pandeli Majko e cilësoi vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Tiranen, si simbol jo vetëm të shkeljeve flagrante ligjore por edhe të një regresi që i është imponuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga pushtetarët aktuale.“10 votat e diferencës mes Ramës dhe Bashës kane nxjerrë një varg problemesh qe as nuk mund te shihen dhe as nuk mund të trajtohen, si një vakum ligjor që ka të bëjë më te drejten kushtetuese te votës. Ne ndihemi keq kur shohim PE-në apo menyren se si na trajtojne dhe qe realisht, ashtu sikurse edhe Kadareja u shpreh, na ka kthyer disa vite prapa”, tha Majko për Top-Channel. Për Majkon, situata aktuale shkon përtej socialistëve. “Jemi në një situatë që është e mundshme ta pohosh edhe duke qenë kundërshtar i PS; një gjendje për të cilën të vjen keq kur shohim që ndërkombëtarët na japin mësime që ne i dimë, thjesht ka njerëz që duan të përsërisin të njëjtat gabime”, tha Majko. Duke e cilësuar presionin e pushtetit ndaj Kolegjit Zgjedhor si pjesë për fat të keq normale në një vend ku siç theksoi Majko është shantazhuar apo akuzuar deri Presidenti i Republikës, kryeprokurorja apo edhe opozita , ai tha se trupa e Kolegjit ndodhet tashmë përballë një momenti të rëndësishëm duke patur në dorë, siç pohoi Majko, të rikthejë ligjshmërinë e humbur në KQZ. “Anëtarët e Kolegjit kanë një përgjegjësi shumë të madhe që ka të bëjë më ligjin. Sot të gjithë ne kemi një dëshirë që të rrisim fëmijët në këtë vend dhe të jetojmë një jetë sa më normale”, tha Majko. Ndërkohë Majko nuk pranoi të shprehet për protestat pasi siç tha ai është momenti që drejtësia të lejohet të thotë fjalën e saj pa ushtruar presion.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave:Rregullat nuk ndryshohen në mes të procesit
Është shumë e rëndësishme që apelimet të mund të kalojnë nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor në Tiranë, thotë për DW-në Sabine Freizer, drejtore seksioni për Evropën me qendër në Stamboll në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Cila është përvoja e vendeve të tjera me votat e gjetura në kutinë e gabuar?
Me duhet t’ju them se për çështjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara të votimit është shumë e vështirë të vendoset, sepse nuk ka praktikë universale në lidhje me atë nëse votat e hedhura në kutinë e gabuar duhen apo nuk duhen numëruar. Por ajo që duket relativisht qartë është se rregullat e lojës gjatë zgjedhjeve nuk duhet të ndryshohen në mes të procesit. Kështu, nëse komisionerëve zgjedhorë u është thënë se nuk duhet t’i numërojnë këto vota, atëherë është paksa vonë për ta ndryshuar këtë rregull gjatë procesit të numërimit.
A i përmbushën këto zgjedhje (deri këtu) kriteret e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
Ajo që më duket mjaft pozitive është që procesi në ditën e zgjedhjeve rrodhi mjaft mirë. Prej asaj që duket se po thotë misioni vëzhgues i OSBE-së është se dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe se shumica e procedurave u kryen siç duhej. Pra, sigurisht, problemi kryesor është mjedisi tejet i polarizuar në Shqipëri, i cili krijoi një gjendje shumë të tendosur në prag të zgjedhjeve dhe ajo që ndodhi pas zgjedhjeve gjatë procesit të numërimit. Këtu ka pasur mjaft vonesa gjatë numërimit dhe ka pasur veçanërisht vonesa në shpalljen e rezultateve për Tiranën. Kjo është disi shqetësuese dhe tani është shumë i rëndësishëm rishikimi prej kolegjit zgjedhor i ankesave dhe apelimeve si dhe që të ketë një vendim gjithëpërfshirës prej kolegjit për të vendosur më në fund rezultatin e zgjedhjeve.
Gjendja është aq e tendosur sa pas 21 janarit. Çfarë është e rëndësishme në këtë stad?
Në këtë pikë dy gjëra janë shumë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që apelimet të mund të kalojnë nëpërmjet kolegjit zgjedhor dhe që ky (kolegji) të ushtrojë përgjegjësinë e e vet për të marrë vendim të plotë për apelimet (kjo është e para gjë shumë e rëndësishme). Gjëja e dytë shumë e rëndësishme është që të mos ketë përdorim dhune prej asnjërës palë për t’u përpjekur për të zgjidhur mosmarrëveshjen zgjedhore. Nëse opozita vendos të organizojë demonstrata, ato duhet të jenë demonstrata paqësore dhe policia duhet gjithashtu ta përmbushë drejt mandatin e saj duke mos përdorur forcë të tepruar për të shpërndarë demonstratat.
Ç’mund të bëhet nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtare?
Mund të ndodhë që bashkësia ndërkombëtare të pyetet për të dhënë një lloj këshille se si duhet trajtuar kjo mosmarrëveshje. E mundshme është gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të thirret të ndërmjetësojë midis palëve për të inkurajuar dialogun midis tyre, por unë mendoj se në këtë moment është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri për të mbështetur një përfundim paqësor të kësaj mosmarrëveshjeje.