Janë të gjithë ish-drejtues ose ish-efektivë të Shërbimit Informativ Kombëtar të viteve 92-97 , strukturës që përfaqësonte dorën e hekurt të ish-Presidentit Berisha, nën drejtimin e të besuarit të tij Bashkim Gazidede. Sot rezultojnë në struktura kyçe, në poste domethënëse administrative dhe nuk janë pak, rezultojnë me dhjetra ish-drejtues të SHIK-ut të epokës Gazidede që sot drejtojnë institucione të rëndësishme administrative. Rasti më i freskët lidhet me emërimin e kryetares së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Lleshi. Kjo e fundit gjatë prezantimit që i bëri vehtes dhe së kaluarës së saj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve nuk e fshehu aspak atë fazë të karrierës kur kishte punuar dhe në Shërbimin Informativ Kombëtar. “Quhem Lefterie Lleshi Luzi. Jam 42 vjeç dhe nënë e dy fëmijëve. Kam mbaruar Fakultetin Juridik, dega Drejtësi, pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1992. Më pas vijova punën në SHIK deri në fund të vitit 1999. Karrierën time e kam vijuar në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, në detyrën e shefes së sektorit juridik, deri në vitin 2006. Në 2006-n fillova punë në administratën e Kuvendit, fillimisht si specialiste e jashtme e më pas si këshilltare pranë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, duke vijuar me detyrën e drejtoreshës juridike në këtë administrate”, – deklaroi zonja Lleshi përpara deputetëve. Ish efektivja e SHIK-ut tashmë është në fillim të mandatit të saj 4 vjeçar në krye të një prej institucioneve më delikate në Shqipëri, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Një ndër emrat më të lakuar dhe më përfaqësues të ish-drejtuesve të SHIK-ut që sot mbajnë poste të larta administrative është Arben Sefgjini. Në vitin 2003 ai u arrestua në kuadër të hetimit të çështjes “Remzi Hoxha” pasi dyshohej dhe akuzohej për “Shpërdorim Detyre” nga prokuroria gjatë kohës kur ishte drejtues i SHIK-ut, madje ai ishte i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe torturimin e më pas zhdukjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Sefgjini bëri vetëm pak muaj burg, ndërsa viti 2005 e gjeti Partinë Demokratike në pushtet dhe Sefgjini menjëherë u “gradua” si Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit. Në janar 2008 ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve pas largimit të Gerta Picarit nga ky post. Në këtë periudhë prokuroria kërkoi arrestin shtëpiak për Sefgjinin ndërsa kreu i tatimeve për javë të tëra firmoste urdhrat nga apartamenti i tij dhe vazhdonte të mbante postin e Drejtorit falë edhe mbështetjes direkte dhe të shpallur publikisht të kryeministrit Berisha. Më pas Sefgjini u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, ndërsa pak javë më parë prokuroria e shmangu atë nga çdo akuzë në lidhje me çështjen Remzi Hoxha.
Çelësat e doganave shqiptare që prej vitit 2010 janë në duart e Flamur Gjymyshkës, i cili në periudhën 92-97 ka punuar si Drejtori i Kundërzbulimit në SHIK-un e drejtuar nga Gazidede. Në fakt Gjymyshka është lidhje direkte familjare e ish kreut të SHIK-ut Bashkim Gazidede, pasi është kunati i tij. Përpara vitit 2010 ai ka mbajtur postin e numrit dy të doganave, ndërsa aktualisht vazhdon të drejtojë këtë institucion duke shënuar dhe një episod interesant. Në fund të vitit 2010 ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti denoncoi publikisht dhe institucionalisht atë që u quajt “aferra me naftën virxhine”. Pas deklaratës dhe denoncimit publik të Prifit, të nesërmen Drejtori I përgjithshëm I Doganave Flamur Gjymyshka, hodhi kategorikisht poshtë akuzat e Priftit duke konsideruar të rregullta veprimet e operatorëve të denoncuar nga ish-ministri. Pas hetimit të nisur nga prokuroria në lidhje me këtë çështje, personat e denoncuar nga Prifti jo vetëm që u gjetën fajtorë, por rezultuan se të gjithë skemën e mashtrimit e kishin ndërtuar me falsifikimin e deklaratave doganore të eksportimit të naftës virxhine e cila nuk mund të shitet në tregun vendas pasi është e ndaluar me vendim të posaçëm.
Ish punonjësi i SHIK-ut në kohën e Gazidedes,Arben Ibroja është emëruar drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit.Ibroja vjen në krye të OST, pas një sërë emërimesh dhe largimesh nga pozicione të ndryshme në fusha të ndryshme gjatë qeverisjes së Berishës. Arben Ibroja, i njohur si ish dhjetorist i ’90, do të emërohej vite më pas si oficer në Gardë, ku do të shërbente si truproja e Sali Berishës. Ai gjithashtu shërbeu në SHIK në ’97, periudhë kjo kur në krye të këtij institucioni ishte Bashkim Gaizedede. Vite më vonë, në 2003 ai do të shërbente si komisar në Rinas, por ish ministri i Rendit, Igli Toska e përjashtoi nga radhët e policisë pas zbulimit se në Rinas ishin riaktivizuar rrugët e vjetra nga ku kalonin klandestinët. Motivacioni zyrtar për përjashtimin e Ibros dhe një tjetër komisari nga radhët e policisë ishte për shkelje të betimit, mosnjohje dhe zbatim të akteve ligjore, për shkelje të normave të detyrës dhe për favorizim të trafiqeve të paligjshme.