Vizita disa orëshe në Tiranë e Sekretares amerikane së Shtetit, Hillari Klinton më datën 1 nëntor, do të shoqërohet me masa të forta sigurie.
Kryediplomatja e SHBA do të zbresë paraditen e së enjtes në Aeroportin “Nënë Tereza” nën mbikë-qyrjen e sigurisë kombëtare, ndërkohë që mësohet se do të vijë e shoqëruar bashkë me oficerë të shumtë amerikanë, të cilët do të ruajnë sigurinë e saj. Krahas kësaj, Tirana do të mbulohet nga flamujt amerikanë, me të cilët do të zbukurohet kryeqyteti shqiptar.
Nga Rinasi në Kryeministri, Klinton do të shoqërohet po nga masa të forta sigurie, ndërkohë që gjatë vizitës disa orëshe të Sekretares amerikane të shtetit, në Tiranë në datën 1 nëntor, janë parashikuar 3 takime dhe një mesazh në Parlament. Axhenda e takimeve të Klinton u ka mbërritur zyrtarëve shqiptarë.
Zbritja do të jetë në Aeroportin e Rinasit dhe gjatë rrugëtimit për në kryeqytet do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit në autostradën Tiranë– Durrës. Takimi i parë është parashikuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe do të mbahet në selinë e Kryeministrisë, aty ku u zhvillua dhe takimi me ish-presidentin e SHBA, Xhorxh Bush, në vitin 2007. Në axhendën e Sekretares amerikane, që është në ditët e fundit të mandatit të saj para zgjedhjeve të 6 nëntorit, është përfshirë një takim dypalësh edhe me kreun e opozitës, Edi Rama, por nuk është saktësuar vendi i mbajtjes se tij. Për arsye sigurie po shqyrtohen 2 variante për vend-takimin, në rezidencën e SHBA në Tiranë, ose në Hotel ‘Shera-ton’.
Takimi i tretë është parashikuar me Presidentin e Republikës. Burime diplomatike bëjnë të ditur se biseda mes Klinton e Nishanit, do të zhvillohet në rezidencën amerikane dhe jo në presidencë. Deputetët janë lajmëruar se në seancën e së enjtes do të ketë edhe një mesazh drejtuar politikës prej përfaqësueses së lartë të Departamentit të Shtetit, por ajo që mbetet për tu saktësuar në një njoftim të dytë, është ora e fjalimit në Parlament.
Kështu në 1 nëntor, Tirana do të jetë e blinduar nga masat e sigurisë. Që të mërkurën, kur është përfshirë në turin në rajon të Sekretares Klinton edhe Shqipëria, zyrtarët e sigurisë të ambasadës amerikane kanë vendosur kontaktet me palën shqiptare, për të garantuar vizitën e saj. Selitë ku janë parashikuar të mbahen takimet janë të parat objekte që janë marrë nën mbikëqyrje, duke nisur nga Kryeministria, Hotel ‘Sheraton’, por edhe Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar vizitën në Tiranë të Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton si ngjarjen më të rëndësishme në 100-vjetorin e Pavarësisë.