Shqipëria ka importuar armë dhe municione nga vendet fqinje gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të autoriteteve malazeze, vetëm në 2010 Mali i Zi ka sjellë në Shqipëri 10 mijë raketa antitank që mendohet se janë çuar më pas në vendet e tjera.
Siç shkruan gazeta Tema furnizimet me armë për regjimin sirian nga Mal i Zi vazhduan edhe pas vendosjes së embargos së armëve. Ngarkesat e këtyre avionëve kanë qenë municione dhe armë të vogla e të lehta serbe dhe shqiptare. Duke krahasuar tabelat zyrtare të eksporteve të armatimeve malazeze dhe shqiptare vihet re se Shqipëria importon armatime serbe nëpërmjet Malit të Zi gjoja për forcat e saj të armatosura
dhe pastaj i eksporton drejt vendeve të treta.
Në vitin 2010 Mali i Zi eksportoi për në Shqipëri 10.000 copë raketa kundërtanke ZOLJA, prodhim serb. Këto raketa janë të ngjashme me raketat antitanke jugosllave OSA, por kanë rreze më të shkurtër dhe aftësi më të ulët blindshpuese. Të tilla raketa janë shumë të përdorshme në kushtet e luftës në qendrat e banuara të ngjashme me luftimet që po zhvillohen në Siri.
Në EUC-në certifikatën e përdoruesit të fundit të lëshuar nga autoritetet shqiptare, garantohet që këto raketa nuk janë për tu rieksportuar jashtë Shqipërisë. Pse në dokumentet zyrtare shqiptare këto raketa deklarohen si të lejuara për tu eksportuar në Gjeorgji? Në fakt zyrtarisht deklarohet se ky eksportim nuk është kryer për vitin 2011.
Gjithsesi tashmë këto raketa antitanke nuk gjenden në depot e ushtrisë shqiptare. Ku kanë shkuar këto raketa antitanke? A duhet ta bëjë transparente Ministri Imami këtë çështje para qytetareve shqiptarë? A është i përfshirë në këtë histori Damir Fazlliç, me partnerët e tij malazez? A mund ta qetësojë fytyrën e trembur të Berishës një përgjigje qartë, nëse ndonjë familja i tij nuk vazhdon të merret me shitje armësh, pas dështimit të biznesit të demontimit?