Për shërbimin hekurudhor do të nisë një fazë e re, që do të sjellë përmirësimin e linjave ekzistuese duke i shpëtuar degradimit, e njëkohësisht do të mundësojë realizimin e projekteve të reja. Nga qyteti bregdetar i Durrësit, ku inspektoi Bazën e Mjeteve të Lëvizshme ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, prezantoi nismën për ringjalljen e këtij sektori me anë të investimeve nga buxheti i shtetit, dhënies me koncesion dhe bashkëpunimit me investitorët. “Jemi këtu për të parë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka hekurudha për t’u ringjallur dhe për të ofruar ato shërbime të nevojshme që ka zhvillimi i sotëm i vendit. Investimet në sektorin hekurudhorë nuk mund të ndodhin gjatë një viti dhe të përfundojnë, por janë investime komulative”, tha Haxhinasto. Duke e konsideruar të rëndësishëm investimin në sektorin e hekurudhave, edhe për faktin që do të shërbejë për krijimin e vendeve të reja të punës, ministri Haxhinasto tha se për ta bërë të mundur këtë do të mirëpriten edhe bashkëpunimet strate-gjike me investitorë të ndryshëm. “Jemi të hapur për të dhënë kontrata koncesionare për segmente të ndryshme të hekurudhës, si dhe për forma të ndryshme si partneriteti publik e privat”, vijoi më tej ministri.
LINJAT
Prioritet, sipas kreut të Transportit dhe Infrastrukturës, do të marrë projekti për realizimin e trekëndëshit hekurudhor Tiranë-Rinas- Durrës. Një projekt ky i përfunduar, por që ka mbetur peng për shkak të mungesës së investimeve. Nga ana tjetër, përparësi do t’i jepet përmirësimit të linjës ekzistuese midis Durrësit dhe Pogradecit, duke parë edhe mundësinë për shtrirjen e saj deri në Maqedoni, si edhe lidhjes së Durrësit me Bajzën dhe më lart me Malin e zi.