Vazhdojnë grabitjet në mes të ditës në kryeqytet. Tre persona të armatosur kanë grabitur filialin e një banke në Tiranë. Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, nga persona ende të paidentifikuar nga policia.
Burime policore bëjnë me dije se grabitja ka ndodhur në “NBG Bank” ne Rrugën e Kavajës.
Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se, autorët kanë qënë të maskuar, ku njëri prej tyre i armatosur, të cilët kanë mundur të marrin në këtë bankë sasinë prej 350 000 lekësh të reja. Kjo sasi parash përdorej nga punonjësit e bankës për pagesa emergjente.
Permes nje njoftimi per shtyp, rreth grabitjes behet me dije se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke marrë shkas nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendëshëm të Bankave të Nivelit të dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar të tyre si dhe bizneseve në përgjithësi.
Aktualisht, strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Kryeqytetit, po punojnë intesisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.