Deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, nuk do t’i kërkojë ndjesë ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Duke folur për “Panorama”, deputeti Frroku e konsideron fare normal mesazhin e tij drejtuar zonjës Topalli, përmes një gjuhe politike. Ai shprehet se nuk do të lejojë njeri në Kuvend që të merret me emrin e tij, ndërsa largimi nga Grupi Parlamentar i PS-së, sipas tij, nuk është problem i tij.
Keni reflektuar pas kërkesës së zotit Rama për t’i kërkuar ndjesë zonjë Topalli për SMS-në që i keni dërguar. Cili do të jetë reagimi juaj në Parlament?
Asnjë reagim nuk do të kem. Ajo ka bërë një reagim, unë reagimin tim. Unë jam OK. Unë e konsideroj reagimin tim shumë normal, shumë etik, s’ka asnjë fyerje dhe ka brenda vetëm gjuhë politike. Unë s’kam pse i kërkoj ndjesë, se në mesazhin tim nuk ka asnjë shqetësim, asnjë element kërcënimi dhe as fyes. Çdo njeri është i lirë ta lexojë sipas mendjes së tij. Unë e shkrova mesazhin tim duke pasur parasysh përdorimin politik që i kanë bërë zonjës Topalli, dhe përtej kësaj nuk kam detyrim të sqaroj nënkuptimet që mund të nxjerrë kushdo.
Ka pasur fyerje dhe ofendime të mirëfillta, në kuptim të parë, në Parlament, dhe nuk është kërkuar më parë të kërkohet ndjesë. Pse kjo masë ndaj jush?
Deputetë të tjerë jo vetëm kanë ofenduar, por në 23 vjet Kuvendi ka qenë arenë luftimi, madje dhe janë rrahur, edhe janë kërcënuar me jetë. Zonja që e quan veten të ofenduar ka kërcënuar “me plumb ballit” të tjerët. Deputetë të PS e kanë ofenduar zonjën Topalli, ajo ka ofenduar deputetët e PS, dhe të gjithë janë bërë lëmsh në atë Kuvend.