Përpos reagimit të Bashës, Partia Demokratike ka dalë në një reagim zyrtar lidhur me vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Në një deklaratë drejtuar mediave këshilltari i djathtë Akil Kraja pohoi se bashkimi i votave të djeshme të PS/LSI vlen 240 milionë euro, ndërsa shtoi se qindra miliona euro të qytetarëve të Tiranës kanë shkuar për interesat e kryebashkiakut Erion Veliajt.
DEKLARATA E PD:
Vota e bashkimit PS/LSI vlen 240 milionë euro. Kjo është e vetmja e vërtetë nga mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak Tiranë. 180 milionë euro për UKT-në dhe 60 milionë të tjerë për konçesionin e shkollave të Tiranës. Qindra milion euro të qytetarëve të Tiranës për interesat okulte të Erion Velisë.
Por çfarë ndodhi konkretisht.
Në mungesë totale transparence, të martën në mbrëmje, këshilltarët bashkiakë të PS dhe të LSI organizuan një takim të përbashkët pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile e as më pak të këshilltarëve demokratë mbi çështjen e ngritjes së tarifës së ujit.
Pas këtij takimi, këshilltarët demokratë lëshuan disa thirrje publike drejtuar të gjitha forcave politike në këshill, e në veçanti LSI-së, të mos legjitimojnë këtë aferë okulte të Veliajt.
Thirrja jonë ishte fare e thjeshtë : 19 votat tona me 13 votat e LSI përbënin shumicën e vendimarrjes së këshillit (32 nga 61 këshilltarë në total). Ne mund të bllokonim Erion Velinë por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë.
Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt ju dha vota, popullit ju dha fatura.
Dy këshilltarë të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja qëndruan në sallë dhe siguruan kuorumin e nevojshëm duke ju shtuar 25 votave të PS, 3 të PDIU dhe 1 vote të FRPD.
Ndërkohë, ende pa filluar mbledhja e Këshillit, nga salla kishin dalur të gjithë këshilltarët demokratë si dhe shumica e këshilltarëve të LSI. E ripërsëris, të 19 këshilltarët demokratë kanë bojkotuar që në fillim seancën e djeshme duke mos marrë pjesë në asnjë votim apo diskutim, përfshirë rendin e ditës apo votimin e kredive të buta siç u shpif së fundmi.
Dje vota e bashkimit PS/LSI vlente 240 milion euro. Kaq duhet mbajtur mend.